Produktiviteti në ekonominë shqiptare nuk po shfaq shenja përmirësimi. Shihet se, numri i personave që paguajnë sigurime me pagë minimale është rritur në tremujorin e tretë të vitit 2019 dhe përqindja e personave që paguajnë sigurime me paga të larta është ulur.
Ndërkohë që qeveria ka shpallur nismën për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë në janarin e vitit 2021, zhvillimet në ekonominë reale po sinjalizojnë të kundërtën, pasi gjithnjë e më shumë punonjës po paguhen me pagën minimale.
Sipas të dhënave të INSTAT, struktura e kontribuuesve të sigurimeve shoqërore është përkeqësuar në tremujorin e tretë të vitit 2019 pasi, numri i atyre që paguajnë sigurime me pagë minimale zyrtare, që aktualisht është 260 mijë lekë, është rritur ndjeshëm, duke shkuar në 28.5% të totalit të të punësuarve kontribuues.
Përqindja e personave që paguhen me pagë minimale ka shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2018, ku vetëm 25.3% e të punësuarve paguan sigurimet me pagën minimale.
Ulje shënoi edhe numri i kontribuuesve me paga 30,000-40,000 mijë lekë, kategoria që paguhet nga 60,000-95,000 mijë lekë dhe punonjësit me paga mbi 120 mijë lekë.
Që nga viti 2014, Shqipëria aplikon tatimin progresiv mbi pagat, i cili duket se ka nxitur informalitetin në pagat e larta. Në fund të tremujorit të tretë, vetën 4.3% e të punësuarve kishin paga mbi 120 mijë lekë, nga 4.7% që ishte pesha e tyre në fund të 2018-s. (shih grafikun: Pesha e të punësuarve me paga mbi 120.000 lekë).
Niveli i Kontributit për Sigurime Shoqërore është 24.5%. Punëdhënësi paguan 16.7% të kontributeve, ndërsa punëmarrësi paguan 11.2%. Krahasuar me vendet e rajonit, normën më të lartë të kontributeve për sigurimet shoqërore e ka Serbia, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe vendi ynë. Nivelin më të ulët e mban Kosova me vetëm 10%.
Aktualisht, shkalla e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë është zero, për pagat nga 30-130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 300 mijë lekë dhe pagat mbi 130 mijë lekë tatohen 13 mijë lekë plus 23% e shumës mbi 150 mijë lekë.
Shqipëria ka informalitet të lartë në tregun e punës. Banka Botërore, në raportin e përvitshëm për trendet e punësimit në rajon, vuri në dukje se punësimi informal është rritur edhe me 10 mijë persona gjatë vitit 218 në Shqipëri. Së fundmi, Ministria e Financave është angazhuar në një aksion të ri antiinformalitet me fokus edhe në tregun e punës.
Ministria e Financave raportoi në muajin gusht të vitit 2019 se ishin inspektuar në sektorin Hoteleri-Turizëm, nga administrata tatimore, rreth 2000 subjekte, ku kanë rezultuar me probleme rreth 40% e tyre.
Nga kontrollet e zhvilluara nga inspektorati i Punës, në 1,400 subjekte të inspektuara me 10 600 punonjës në total, 38% e tyre rezultojnë me probleme në sigurimin e punonjësve.