Home KRYESORE PËR CILËN KUSHTETUTË TË LUFTOJMË?

PËR CILËN KUSHTETUTË TË LUFTOJMË?

Nga Kastriot Cipi

Presidenti Meta na ka thirrur në shesh, më 2 mars, për të protestuar në mbrojtje të Kushtetutës. Në daljet e shpeshta publike të muajve të fundit, ai ka sqaruar në mënyrë bindëse, se në Shqipëri po ndodh një grusht shteti institucional, duke renditur tetë hapa, i pari prej të cilëve është vjedhja e zgjedhjeve parlamentare të 2017-s. Ai ka paditur penalisht në SPAK zyrtarë të lartë, si ministren e drejtësisë Gjonaj, apo kreun e KED Dvorani, por ka akuzuar të gjithë shumicën parlamentare rilindase (jo socialiste), si përgjegjëse për grushtin e shtetit.

Në përvjetorin e Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës (2 mars 1444), Presidenti Meta ka thirrur popullin (jo princat, që mund të ishin kryetarët e partive) në një “besëlidhje” të re, për një Kushtetutë të re dhe ka shpallur misionin e tij: rikthimin te Kushtetuta e 1998-s. Duket sikur Presidenti ka ndërmarrë nismën për themelimin e një lëvizjeje populiste, për sovranizëm dhe demokraci direkte. Ai flet për referendume, për president të zgjedhur nga populli, për kushtetutë të re me referendum etj.

Por Presidenti nuk është një figure e re në skenën politike, as udhëheqës i ndonjë partie të re anti-elitë, që premton reformimin e sistemit politik. Ai nuk është as Farage, as Salvini e as Orban, në fillimet e tij. Presidenti ynë është deputet që prej vitit 1992. Para se të bëhej president ka qenë kryeministër, kryetar partie dhe kryetar parlamenti. Në mbarim të mandatit presidencial, në korrik 2022, ai mbush 30 vjet në politikë dhe në një vend normal do duhej të dilte në pension. Në këto kushte, përveç kritikave apo akuzave, për qeverinë apo opozitën, Presidenti duhet të bëje edhe mea culpa për rolin e tij në degradimin e demokracisë dhe duhet të propozojë, por edhe të ftojë qytetarët të propozojnë parimet kushtetuese, që do të garantonin se historia e këtyre dy dekadave të fundit nuk do të ketë shanse të përsëritet më.

Nga Kushtetuta e parë post-komuniste na ndajnë 22 vjet dhe do të ishte marrëzi nga ana jonë t’i riktheheshim asaj Kushtetute, pa analizuar mirë çfarë ka prodhuar ajo, amendimet e 2008-s dhe 2016-s dhe ligjet e rrjedhura prej saj (tyre), duke filluar nga ai më problematiku: Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Deri dy vjet me parë, shumica e shqiptare as që e dinte se kishim Gjykatë Kushtetuese. Ndërsa sot, mungesa e saj dhe e Gjykatës së Lartë (shto edhe rrezikun eminent të mbetjes edhe pa gjykata apeli, të cilat aktualisht kanë vetëm 40% të gjyqtarëve që u nevojiten), janë bërë shqetësim kryesor për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Përditë e më shumë bëhet e qartë se reforma në drejtësi është jo vetëm një dështim për ne si qytetarë, por edhe se është sukses për projektuesit e saj. Ata që e projektuan dhe sponsorizuan këtë reformë (Soros, Lu, Vlahutin) donin pikërisht këtë: zhdukjen e drejtësisë dhe kontrollin absolut të sistemit nga kryeministri.

Djalli fshihet në detaje, thonë dhe Ligji 84/2016 djallin e ka në një fjali të vetme, Neni 4, paragrafi 4 që thotë: Çështjet për rivlerësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm do të trajtohen me përparësi në kohë nga institucionet e rivlerësimit.

Është ky paragraf që na ka lënë sot pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Duke u dhënë “përparësi” rivlerësimit (vetting-ut) të gjyqtarëve të këtyre gjykatave, ndodhi ajo që pritej, ajo që kishin projektuar Fondacioni Soros dhe ambasadorët Vlahutin dhe Lu: ndërkohë që disa gjyqtarë rrëzoheshin nga vetting-u, mungonin kandidaturat për zëvendësimin e tyre, sepse gjyqtarët e gjykatave të mëposhtme nuk ishin kaluar ende në vetting, sepse nuk kishin “përparësi”.

Për ta kuptuar kushdo këtë skenar djallëzor, mund të marrim këtë shembull hipotetik të thjeshtë: UEFA ushtron kontrolle anti-doping, periodike dhe rastësore, për futbollistët e skuadrave kombëtare. Ata që rezultojnë pozitiv, përjashtohen dhe zëvendësohen me të tjerë. Midis zëvendësuesve mund të ketë përdorues dopingu, por ata përfshihen në skuadër, derisa një kontroll eventual t’i zbulojë si të tillë. Tani imagjinoni sikur UEFA të vendoste se lojtarët e përjashtuar për doping, nuk mund të zëvendësohen me të tjerë, që nuk e kanë kaluar testin dhe ndërkohë të kryente një test në muaj, me “përparësi” për futbollistët e skuadrave kombëtare. Ose më keq akoma, sikur këtë regjim t’ia impononte vetëm kombëtares shqiptare.

Disa futbollistë do të përjashtoheshin, por vendet e tyre do të mbeteshin bosh, sepse askush prej të rinjve nuk do ta kishte kaluar ende testin. Me gjasë, kombëtarja shqiptare do të tërhihej nga gara, për mungesë lojtarësh. Si do të ndiheshim ne, nëse presidenti i UEFA-s do t’i përgjigjej kritikave duke thënë “Më mirë djepi bosh, se sa me djallin brenda”? A nuk do të ulërinim në kor se ndaj nesh po kryhej një komplot?

​E pra ky ligj ka marrë edhe votat e LSI, përfshi atë të Presidentit aktual, Meta. Askush nuk mund të shfajësohet sot duke thënë se nuk e kishte kuptuar kështu këtë paragraf, apo se paragrafi le shteg për abuzim, por rilindja abuzoi keqas me të. Kushtetuta dhe ligjet nuk bëhen për Krishtin dhe Muhametin, por për njerëz mëkatarë, që tundohen prej pushtetit dhe parasë. Nga padija, nga dëshira për të ruajtur koalicionin qeveritar, apo nga frika e kërcënimeve të ambasadorëve të BE e SHBA, deputetët e LSI i dhanë në dorë Ramës mjetin për të shpartalluar gjykatat! Dhe për këtë, sot Presidenti na detyrohet një ndjesë publike.

​Presidenti Meta është nga ata njerëz që dinë të kërkojnë ndjesë. Në vitin 2000, si kryeministër, ai i hoqi zvarrë me polici artistët e Operas, me në krye dirigjentin Bujar Llapaj, që po bënin grevë urie, kundër projekt-ligjit “Për Teatrin” të ministrit të atëhershëm të kulturës Rama. Por në vitin 2008, kur si kryetar i LSI ai vetë hyri në grevë urie, kundër ndryshimeve kushtetuese Rama-Berisha, Meta u kërkoi ndjesë artistëve.

Koha provoi se ndjesa nuk ishte hipokrizi. Në korrik 2018 Presidenti Meta rrëzoi projekt-ligjin special “Fusha” shpk, për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe qysh atëherë është aleat strategjik i artistëve dhe qytetarëve protestues.

Prandaj më 2 mars, Presidenti Meta duhet ta filloi fjalimin e tij para popullit me kërkesën e ndjesës, për këtë votë e të tjera gabime e faje, që ai dhe LSI kanë mbi shpinë.

Patjetër, Presidenti ka edhe merita dhe ka të gjithë të drejtën të mburret me to, mbi të gjitha me grevën e urisë kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Sot shumica e shqiptarëve e ka kuptuar se shpartallimi i Kushtetutës nga 2016-a e këtej, është bërë i mundur nga sistemi zgjedhor proporcional rajonal, që ka prodhuar kryetarë partish të plotfuqishëm dhe deputetë kukulla, që nuk ekzistojnë jashtë vullnetit të kryetarëve të tyre. Presidenti ka absolutisht të drejtë kur mbron Kushtetutën e 1998-s, duke nënkuptuar prapësimin e ndryshimeve të 2008-s e 2016-s dhe në këtë kërkesë, ai, LSI dhe PDK, janë më të legjitimuar dhe më të besueshëm se cilido politikan apo parti.

Por, nga ana tjetër, shtrohet pyetja e natyrshme: a ia vlen të kthehemi pas në kohë 22 vjet? A ishte perfekte Kushtetuta e 1998-s? Natyrisht jo, përderisa u shpartallua totalisht brenda 18 vjetësh. Kushtetutat e mira janë ato që nuk shemben dot as për 100 vjet dhe mundësojnë themelimin e demokracive funksionale. E tillë është, për shembull, Zvicra, Kushtetuta e së cilës është miratuar në vitin e largët 1848. Ata që mendojnë se nuk duhet të krahasohemi me Zvicrën, sepse populli zviceran është i qytetëruar, ka kulturë demokratike të zhvilluar etj, duhet të kuptojnë se është kjo Kushtetutë që e ka bërë Zvicrën dhe zviceranët këta që janë sot dhe jo anasjelltas. Ata zviceranë që e bënë Kushtetutën nuk ishin shumë të ndryshëm nga shqiptarët e sotëm, madje sapo kishin dalë nga lufta civile.

Në vitin 1845 shtatë kantone katolike formuan një aleancë (Sonderbund) që iu kundërvu konfederatës. Konflikti u përshkallëzua deri në luftën civilen të 1847-s, që përfundoi me humbjen e Sonderbundit. Por zviceranët u treguan shumë të zgjuar për të nxjerrë mësime nga lufta civile. Në më pak se një vit nga mbarimi i luftës (26 nëntor 1847), ata hartuan dhe miratuan me referendum (12 shtator 1848) kushtetutën e re, që e rithemeloi Zvicrën si shtet federal unitar dhe demokraci funksionale, e më pas demokracia funksionale ka krijuar kushtet që Zvicra të jetë sot një nga vendet me nivelin më të lartë të mirëqenies dhe lumturisë për qytetarët e saj.

Unë uroj që Presidenti Meta të ndërmarrë nismën për një debat kombëtar për hartimin dhe miratimin me referendum popullor të një Kushtetute të re, demokratike dhe solide, sipas modelit zviceran, brenda vitit 2020. Koha është tani. Shqiptarët janë gati për ndryshimin e madh.

Shënim: Fotografia është bërë në Sheshin Skënderbej, të dielën, më 9 dhjetor 1990, pak para fillimit të protestës së orës 19.

Share: