Nga Dom Gjergji
Nuk është as viroza e parë e as e fundit në këtë planet. E ne nuk jemi as brezi i parë e as i fundit mbi këtë tokë. Por beteja jonë për jetën sot duhet të bëhet sikur të ishte e para, e fundit dhe e vetmja. Kjo sepse këtë jetë, e vetëm këtë, ne dhe tjerët, është e vetmja që kemi në dispozicion në këtë botë. E po ashtu ky është një parim që duhet të udhëheqë çdo zgjedhje tonën në të mirë të jetës, të shoqërisë e të botës ku na është dhënë të banojmë.
Njerëzimi dhe jeta na tejkalojnë si individë, por përgjegjësia e secilit prej nesh është e domosdshme që asnjë hallkë të mos thyhet a këputet nga papërgjegjësia, sepse çdonjëri nga ne është një ngjarje unike në këtë planet e vlen shumë.
Dikush thotë se jemi në luftë. Edhe luftërat i ka bërë njerëzimi e ka gjasa (Mos o Zot!) që do t’i bëjë përsëri. Në këto momente një pjesë po lufton me jetën, një pjesë me virusin, kurse për pjesën më të madhe lufta më e ashpër po zhvillohet brenda nesh. Këtë luftë, me instiktet tona egoiste kishim harruar ta bënim, sepse kishm marrë për të mirqënë që kishim vetëm të drejta e jo detyra. Tani po shohim ndryshe e shpresoj të vazhdojmë kështu.
Nxitimi që kemi për të dalë, rrezet ftuese të diellit, mungesa e rutinës së përditshme, malli për miqtë, shokët e të dashurit e zemrës po mundon shumë njerëz. E megjithatë momenti na kërkon një kufizim të lirisë, një vetëkufizim si një akt heroik, një armë lufte kundër një armiku të padukshëm e të panjohur.
Nuk mund t’ia lejojmë vetes ta shohim botën vetëm nga këndvështrimi ynë e aq më keq akoma nga pasqyra e instikteve tona. Pasqyra lejon vetëm një pamje, atë të vetes tonë, si Narcizi në pellgun e ujit. Duhet ta shohim botën nga dritarja, sepse vetëm dritarja, e jo pasqyra, na lejon të shohim të tjerët, të shohim jashtë nesh e më në fund të dimë të jetojmë me dhe për të tjerët.
Është një shikim ky jo vetëm për kohë krize, por në mënyrë të veçantë tani që rrezikojmë shumë.
T’i hapim dritaret e zemrës e të shohim jashtë. Ka edhe njerëz të tjerë, nuk jemi vetëm. Prania e tjetrit është dhuratë, por edhe përgjegjësi.
Kurajo miq! Të përdorim më shumë dritaren e më pak pasqyrën!