Ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ai i BE Luigi Soreca kanë takuar sot kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë Artur Metanin.
Në takim ambasadorët i kanë shprehur mbështetjen Metanit duke e konsideruar ILD si një institucion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.
Po ashtu Metani i vuri në dijen ambasadorët me detyrat e institucionit siç është hetimi i shkeljeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj tyre.
Kuvendi kaloi kohët e fundit ndryshimet në ligjin ”Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” që u kthye mbrapsht nga Presidenti Meta pasi e pajiste ILD me kompetenca shtesë siç ishte kërkimi dhe pezullimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve.
NJOFTIMI I ILD
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti sot në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zj. Yuri Kim dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian, z. Luigi Soreca.
Inspektori i Lartë Metani i njohu ambasadorët me detyrat dhe sfidat e institucionit të ri kushtetues, përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve.
Ambasadorja Kim dhe ambasadori Soreca shprehën mbështetjen e fortë për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një institucion i rëndësishëm në strukturën e sistemit të drejtësisë.
(BalkanWeb)