Home KRYESORE BABAIT! Nga Romeo Gegushi

BABAIT! Nga Romeo Gegushi

Babai ,dashurinë,nuk e shprehu kurrë
Nuk ishte si nëna,që puthjet s’i kursente
Megjithëse e di,poshtë nën lëkurë
Të njëjtën dashuri,ndër deje e fshehte.

Si kalë ka punuar ,s’u ankua kurrë
Ende ka në duar kallot nga lopata
Nga drapëri e kosa,edhe i sëmurë
Kallo të moçme,nga kazma e sëpata.

Gjithmonë ka qenë i punës ,fjalë-pak
Nuk ndalej asnjëherë në breshër edhe shi
Dëbora nuk e trembte,ishte luftarak
Rrufetë e gjëmimet,i mblidhte në gji.

Duart i gjëmboste kur mblidhte murriz
I fortë si një shkëmb,nuk u thye kurrë
Çfarë peshe ka mbajtur babai në kurriz
Të tillë s’e mban dot,po nuk ishe burrë!

Ka vrarë babai,dhe ujq,edhe arinj
Kur malet zaptonte me miq e me shokë
Me duar ka mbytur edhe gjarpërinj
Me gjak ka punuar,dhe mbjellë këtë tokë.

Dyzet vjet mësues,me stilograf në xhep,
Mes librash dhe kosoresh jetën e kaloi
Me fjalë të mëdha,dashurinë s’e jep,
Por kurrë,asnjë çast,ai s’ma mohoi!

~ Romeo Gegushi ~

Share: