Home KRYESORE Covid 19… Mirë shpirt? Futu në rresht tani!

Covid 19… Mirë shpirt? Futu në rresht tani!

Nga Dritan Shano

Kur merrnin djemtë ushtar, i fusnin në karantinë. Kjo periudhë kishte për qëllim që të siguronte uniformitetin e sjelljes të çdo rruli, pavarësisht nga vinte. Ishte si një thyerje, ndarje e pastër, e prerë si me thikë me të shkuarën, familjen, shoqërinë, kulturën e secilit prej rrulave. Ishte si një urdhër për të harruar çdo gjë të mëparshme, që jepej çdo mëngjes nga borizani i repartit. Besoj se kështu funksionon çdo ushtri në botë – si organizmi më totalitar që ekziston. Ndaj dhe ushtria është e ndarë nga shoqëria se mënyra e jetesës së njërës dhe tjetrës janë të ndryshme dhe kanë qëllime të ndryshme.

Nga tregimet e shokëve të mij që shkuan ushtarë mbaj mend se për t’i bërë rrulat të barabartë dhe të bindur fillohet me eliminimin e identitetit individual të secilit; të gjithë rrulat qetheshin tullë, kështuqë nuk dallonin më nga njëri tjetri as nga ngjyra, as nga gjatësia dhe as nga modeli i flokëve – koka e tyre kishte vetëm një ngjyrë, ngjyrë lëkure; po ashtu i vishnin me jeshile, dhe nuk i linin të mbanin çorape, por vetëm pece. Moszbatimi i këtyre “masave” dënohej.

Pastaj i fusnin në një regjim aktiviteti krejt të ndryshëm nga jeta e mëparshme, zgjim herët, me orar, stërvitje, mensë me orar, shoqëruar me orë politike (kur rimerrej puna e sekretarit të rinisë ose të Frontit Demokratik të Lagjes….) e gjitha kjo ndodhte brenda repartit ushtarak – oborr, mensë, kapanon. Moszbatimi i kësaj jete dënohej.

Rezultati ishte që në fund të karantinës, rrulat nuk mbanin mend më emrin e nënës e të babës, por vetëm të oficerit dhe të Nënës Parti. Rrulat identifikoheshin tashme me repartin ku bënin ushtrinë. Bindja ndaj rregullave të shkruara dhe atyre që ishin fantazi e oficerit ishte absolute, ndryshe dënoheshe. Rrulat, tashmë ishin gati të bënin çdo gjë që u kërkohej për pak më shumë ushqim, për pak liridalje, për pak më shumë gjumë, dhe sidomos për ca ditë leje për të shkuar në shtëpi. Kjo e fundit ishte maksimumi dhe shoqërohej me mirënjohjen totale ndaj oficerit që ta jepte lejen, ndjenjë e cila mund të vazhdonte edhe pasi kishe mbaruar ushtrinë.

Kështu, edhe kjo puna e 2 muajve të fundit, mbaj maska, mbaj doreza, përdor disinfektantin, mbyll biznesin, hap biznesin, dil të gjithë në një orë, pastaj merr lejen e daljes tek e-albania, të shtunë e të djelë mos dil fare, mbaj distancën, të shtunën pensionistët, pastaj gratë me fëmijë nën 10 vjeç, 15 vjet burg, ra kurba, u ngrit kurba, erdhi piku, jo akoma ….. shërben për krijimin e një identiteti të ri, të një njeriu të ri – të frikësuar, të varfëruar, të squllur mendërisht dhe fizikisht, të bindur ndaj çdo urdhëri që mund të pjellë fantazia e urdhër-dhënësit. Kjo bëhet bazuar mbi teorinë e paprovuar se kështu po të shpëtohet jeta dhe se kjo është e mira e përgjithshme.

Turmës totalitare të përbashkuar nga frika se mos humb jetën nga Covid -19, dhe nga besimi se po u fshehe poshtë krevatit kjo nuk ndodh, i shkakton bezdi dhe ka tendencën të linçojë këdo që mendon ndryshe – për shembull që: Covid -19 është një sëmundje e vërtetë, që sëmur një numër të caktuar njerëzish, nga e cila vdesin njerëz, dhe që nuk i bën asgjë shumicës absolute të njerëzve, dhe ndaj nuk ka asnjë arsye të strehohesh në shtëpi, gjë nga e cila përkeqësohet shëndeti imunitar i çdonjërit, dhe nuk ka arsye të mbyllet ekonomia, gjë nga e cila varfërohesh, dhe të përkeqësohet shëndeti – sepse të dy këto raste janë provuar e stërprovuar nga jeta e njerëzimit, ndërsa sjellja politike ndaj Covid-19 bazohet në model kompjuterik me të dhëna të diskutueshme. Dhe mbasi ta kanë mbyllur jetën dhe biznesin për dy muaj, të kanë dhënë dy aspra lëmoshe, të thonë se gjëndja e fatkeqësisë natyrore do zgjasë edhe 2 muaj të tjerë, dhe në fund të thonë që Paketa 3 për mbështetjen e biznesit që e mbyllën vetë, ku ishin punësuar njerëz që sot janë të papunë dhe pa burime të ardhurash, tashmë është e panevojshme. Mirë shpirt? Futu në rresht tani!

Share: