Home KRYESORE Edi Rama: Më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar po mund...

Edi Rama: Më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar po mund të na ndodhë sa hap e mbyll sytë…

Të dashur miq,

sot jam mërzitur pamasë nga pamjet skandalozë të tregut të Kombinatit në Tiranë! Janë të pa tolerueshme dhe përbëjnë një konfirmim shembullor të nevojës për të ecur me forcimin e masave ndëshkuese për të padëgjueshmit dhe të pabindurit, teksa po mendojmë siç ua kam thënë, të hapim pikatoren e lehtësimeve për masën e madhe që po bën rezistencën e duhur, duke sakrifikuar e mirëkuptuar plotësisht të gjitha kufizimet e rënda të lirisë që i kemi imponuar njëri tjetrit.

Duam të lehtësojmë pak lëvizjen, tanimë që kemi konsoliduar mekanizmin online për lejedaljet e vetëm një anëtari të familjes për pazarin e shtëpisë. Duam të lehtësojmë pak më shumë shërbimet bankare, tanimë që edhe si rrjedhojë e paketës mbështetëse, bankat do duhet të përballojnë një volum më të madh shërbimi. Duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private duke u dhënë mundësi të gjithë që vijnë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë një fashë orare më të zgjatur dhe të mundë të përdorin automjetin e tyre.

Duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale, jashtë qendrave tregtare, natyrisht përveç bareve, klubeve, restoranteve, palestrave e njësive ku mblidhen shumë njerëz. Por të gjitha këto kërkojnë një vetëdije të lartë për përgjegjësinë e secilit dhe njëkohësisht të të gjithëve ashtu sikundër kërkojnë dhe masa të reja ndëshkimorë për shkelësit. Ajo që ndodhi sot në tregun e Kombinatit, nuk ndodhi javën e kaluar. Pra nuk është çështja tek fasha orare, siç ankohen disa që i bien shkurt, as tek liridalja për pazar me kohë të kufizuar siç thonë disa të tjerë, por çështja është tek lirimi i vidave të zinxhirit mbrojtës, si rezultat i mendjeve të lehta të disave që kujtojnë së më e keqja kaloi apo së kërcënimi i një katastrofë me mijëra të vdekur nuk është real!

Më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar po mund të na ndodhë sa hap e mbyll sytë e mund të na marrë me vete, nëse na gënjen mëndja se ia hodhëm! Dhe për këtë mjaftojnë pak koka të shkreta njerëzish të pabindur e hileqarë, që kujtojnë se ia hedhin edhe virusit, siç ua hedhin atyre që mbajnë radhë e respektojnë rregullat. Fatmirësisht kjo nuk ndodh kudo në Tiranë, ndodh në tregun e Kombinatit e tek-tuk diku tjetër, po kjo del e tepron për t’i bërë gjëmën jo Tiranës, po gjithë Shqipërisë. Po të ishte çështje fashe orare do ndodhte kudo, po të ishte halli i njëorëshit do ndodhte me të gjithë, po të vinte nga pamundësia për të bërë me korrektesë detyrën, do ishte një fenomen e do na kishte rënë zjarri më kohë! Jo jo, kjo ndodh sepse disa nuk duan të kuptojnë!

Ku ka më keq se të mos i japësh dot lamtumirën një njeriu të dashur, po ja që në tërë botën si edhe në Shqipëri, janë ndaluar ceremonitë funerale, fetare apo laikë, sepse i bie të kthehesh nga varrezat me rrezikun e vdekjes në trup, si pjesë e një zinxhiri të infektuarish. Nuk e ndava me ju sot se do bëheshin shumë, një pamje tmerruese nga një varrim në Peshkopi, po aman o njerëz aman, po pse me gjoba e me polici do ta zgjidhim këtë punë edhe për funerale e për të shtatat dhe të dyzetat e traditës sonë! Po ja që mbase do detyrohemi të shkojmë deri këtu, se në Shkodër e infektuan njëri-tjetrin fatkeqësisht në një mort dhe pastaj e bënë zinxhir për të shtata, e lus Zotin të shërohen të tërë e të mos sjellë largqoftë, morti mort! Por kështu është kjo luftë!

Kur e vumë këtë fashë orare projeksioni ynë ishte që do të zgjatej deri të hënën e ardhshme, d.m.th. pasnesër. Por jemi të detyruar ta shtyjmë për minimumi disa ditë, sepse më parë duhet të merremi vesh mirë dhe duhet ta mësojnë të gjithë se më e keqja jo nuk ka kaluar, po nuk ka ardhur akoma! Dhe kjo s’është çështje oraresh, kjo nuk është çështje rregullash, po çështje e zemrekut të sahatit të trurit, që disave u ka mbetur po 12!
Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Fieri, mund të bëhen Vaterloja jonë, nëse nuk i shtrëngojmë fort, vidat e zinxhirit të mbrojtjes. Ja kush është plani që po përgatisim dhe do të kthehet në ligj shumë shpejt e pastaj do të hyjë në veprim i shkallëzuar sipas dinamikës së luftës. Si fillim do të zgjasim fashën orare, por paralelisht do të rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura do të shkojmë deri në heqje lirie, për ata që shkelin kohë daljen për pazar, të cilën mund ta zgjasim pak më shumë, që të mos kemi llafe me asnjë kompetent që qahet për kohën e shkurtër.

Më pas  gjithmonë me shkallë e gjithmonë sipas dinamikës, do të lejojmë përdorimin e automjeteve private me fashë të zgjatur nga të gjithë punonjësit në kompani e sipërmarrje që kanë aktivitet të lejuar ligjërisht. Por kjo do të kombinohet me rritje të ndëshkimeve, deri në heqje lirie, nëse automjeti përdorët për të transportuar persona të tjerë me sebepin e shoferit që ka një leje për punë. E më pas akoma do të autorizojmë hapjen e dyqaneve që nuk janë brenda qendrave tregtare, ku do të kërkohet me detyrim pajisja ma maska e dorëza mbrojtëse e personave që shërbejnë, si edhe do të vendosen rregulla strikte për shërbimin, shkelja e të cilave do të ndëshkohet me mbyllje, konfiskim të mallit e deri heqje lirie.

Të gjithë sipërmarrësit e këtyre aktiviteteve, lë të fillojnë të përgatiten për të qenë të gatshëm që në momentin e hapjes të mbrojnë mbrojtur personelin dhe klientët sipas rregullave që do të jenë të përcaktuara. Ka ndodhur gjithë këto javë që policia e shtetit të kapë e të ndëshkojë me gjobë e me mbyllje lokale shërbimi, ku u ofrohet kafe e raki trimave të lagjes. Janë pak raste, po për natyrën e kësaj lufte janë aq shumë, sa për të bërë hatanë, duke nxitur përhapjen e infeksionit që pastaj bëhet zinxhir pafund. Kështu që nuk mund dhe nuk do të lejojmë më që të ketë mbyllje e gjobitje por dhe konfiskim dhe deri heqje lirie për autorët e këtyre akteve kriminale në kohë luftë.

Më vjen shumë keq po na duhet të përshkallëzojmë të gjitha këto masa, që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën dërrmuese, të cilën duhet lehtësojmë sadopak, sepse është krejtësisht e vetëdijshme sepse po lufton e po reziston në mënyrë shembullore. Ne nuk mund ta humbim këtë luftë për qejfin e atyre që akoma s’po duan të marrin vesh dhe ne mund vetëm ta fitojmë e do ta fitojmë këtë luftë me se s’bën këtë luftë, ku deri tani kemi provuar botërisht së Shqipëria e vogël, me të gjitha mangësitë e veta, është në gjendje të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë, falë popullit të saj dhe qeverisë që po udhëheq luftën.

Sot kemi një numër shërimesh që na jep shumë optimizëm krahasuar dhe me shumë vende të tjera, në fund të çdo ditë rraskapitëse. Por teksa po shkojmë përditë drejt një pike kulmore të luftës që ende nuk e kemi arritur, duhet të mos e harrojmë kurrë, asnjë çast, se bilancet e luftërave bëhen në fund dhe s’ka ndeshje që fitohet pa rënë bilbili.

Kështu që deri kur të bjerë bilbili i fundit, duhet të vazhdojmë të rezistojmë në këtë mbrojtje të fortë e të mbështesim fort njëri-tjetrin, ndërsa bilbili le të vazhdojë të bjerë fort e më fort për të gjithë sabotatorët e papërgjegjshëm të kësaj luftë për jetë a vdekje dhe prej të cilës ne kemi detyrimin të dalim kryelartë përpara njëri tjetrit e përpara brezave që do të flasin për ne.

Share: