Home Gjeo-Ekonomia Koronavirus, Manastirliu: lehtësi të tjera për katantinën dhe bizneset

Koronavirus, Manastirliu: lehtësi të tjera për katantinën dhe bizneset

Duke filluar nga java e ardhshme, do të rritet me 2 orë e 30 minuta fasha orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh për të lehtësuar ekonomitë familjare. Hapje graduale duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra. Do të ketë rikthim të masave nëse vlerësohet e nevojshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve

Tiranë, 22 Prill – “Çdo biznes i hapur dhe që do të hapet në vijim do të ketë detyrim ligjor zbatimin e protokolleve për sigurinë e punonjësve dhe qytetarëve, ndryshe, do të penalizohet nga struktura e re e Task-Forcës ndërinstitucionale që po ngrihet për garantimin e zbatimit të rregullave të reja”. Duke prezantuar planin e hapjes graduale të biznesit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha se vendimmarrja për hapjen graduale do të bazohet në planin e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Bizneset kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zbatuar me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve, sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar ne nivelet e rrezikut të bizneseve. Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitorues nga Ministria e Shëndetësisë. Bizneset do të penalizohen nëse nuk do ti kenë këto dokumente bazë dhe nëse nuk zbatojnë protokollet përkatëse”, tha Manastirliu.
Komiteti Teknik i Eksperteve ka hartuar planin e lehtësimit gradual të masave, i cili bazohet në kriteret epidemiologjike, kapacitetet spitalore dhe burimet e nevojshme për kontrollin dhe monitorimin e situatës.
“Paketa e masave shoqëruese përcakton hapjen graduale, duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra. Në vendimmarjen për të kaluar nga njëra fazë e planit të hapjes tek tjetra, do të vlerësohen nëse do të ketë rënie të qëndrueshme gjatë dy javëve sa i takon 3 indikatorëve: Rastet ditore të konfirmuara me COVID19, numri i qytetarëve të shtruar në spital dhe rastet në terapinë intensive”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi zgjerimin e fashës orare për këmbësorët dhe hapjen e një seri biznesesh, duke filluar nga java tjetër.
“Nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme, do të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndriçimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve etj, për të lehtësuar ekonomitë familjare. Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi”, bëri të ditur ministrja.

Gjatë komunikimit të saj me publikun, Manastirliu tha se vlerësimi për hapjen graduale do të jetë shumë i kujdesshëm dhe do të përcaktohet nga situate e COVID19 në terren.

“Vlerësimi i çdo hapi të ndërmarrë do të analizohet çdo dy javë. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani parashikon edhe rikthim të masave të ashpra. Në rast se situata do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse nuk do të kemi nevojë për frenat e emergjencës që janë gjithmonë aty, atëherë, në fillim të muajit Maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe për ata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve”, tha Manastirliu.
Duke paraqitur situatën e deritanishme, Ministrja e Shëndetësisë tha se në vendin tonë janë evidentuar më shumë se 100 vatra dhe se virusi vijon të jetë aktiv, por shifrat e rasteve të reja dhe shtrimet në spitale mbeten të qëndrueshme.

Share: