Home Gjeo-Ekonomia Koronavirusi/ Ndryshimet thelbësore mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe

Koronavirusi/ Ndryshimet thelbësore mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe

Gjermania reagoi më shpejt ndaj koronavirusit sesa Britania, dhe shkalla e testimit, thelbësore për identifikimin dhe ngadalësimin e përhapjes, ishte shumë e ndryshme midis dy vendeve.

Të hënën, në Gjermani janë raportuar 128,000 raste të infektuara dhe 3.043 vdekje kurse Mbretëria e Bashkuar raportoi 11,329 të vdekur dhe 85.199 raste të infektuara.

Shpjegimi më efikas sipas ekspertëve mjekësorë, ishte që Gjermania reagoi me shpejtësi ndaj koronavirusit duke mbyllur vendin në 16 mars ndërsa Britania lejoi lëvizjen e njerëzve në mënyrë të çrregullt dhe futi me vonesë masat distancuese sociale.

Shkollat në Gjermani u mbyllën më 13 Mars kurse Mbretëria e Bashkuar nuk mbylli shkollat deri më 18 mars.
Kryeministri Boris Johnson në fillim ndoqi strategjinë ‘të jemi të qetë e të vazhdojmë jetën’ dhe lejoi mbajtjen hapur të restoranteve, teatrove, klubeve dhe shkollave.

Qeveria fillimisht shpresonte të mbronte qytetarët mbi 70 vjeç, ndërsa lejonte pjesën tjetër të vazhdonte aktivitetet e tyre. Por plani i “imunitetit të tufës” u braktis përfundimisht në 16 mars, pasi ekspertët mjekësorë paralajmëruan për rreziqet e tij. Johnson ende po e nxiste publikun që të përqëndrohej në larjen e duarve rregullisht dhe në izolimin e të sëmurve.

Një gabim tjetër i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë testimi. Nga mesi i marsit, Gjermania po testonte 103,000 njerëz në ditë, në 132 laboratorë në të gjithë vendin ndërsa Britania e Madhe po testonte vetëm 5,000 në ditë.

Falë gjithë testimit të hershëm Gjermania ishte në gjendje të mësonte më shumë rreth situatës nga koronavirusi, në një fazë të hershme. Kancelarja Angela Merkel, me qetësi por dhe me forcë e shtyu vendin e saj në izolim dhe njoftoi që në 3 Mars se do të ndalonte shtrëngimin e duarve si një masë paraprake.

Ndërkohë, Johnson, njoftoi me krenari atë ditë se kishte shtrënguar duart e të gjithëve, përfshirë të një pacienti me koronavirus, gjatë një vizite në një spital.

Një shembull i qasjeve të tyre personale shumë të ndryshme, është dhe fakti se muajin e kaluar, Merkel hyri në karantinë 14-ditore pasi mësoi se një mjek që i kishte dhënë një vaksinë kundër gripit, më vonë rezultoi pozitiv. Ajo u kthye në punë dy javë më vonë.

Në të kundërt, Johnson rezultoi pozitiv me koronavirus në 27 Mars, por vazhdoi të punonte. Ai u dërgua në spital në 5 Prill dhe më pas u transferua në një njësi të kujdesit intensiv, ku kaloi tre ditët e ardhshme. Ai tha të Dielën se i kishte shpëtuar vdekjes.

Kontrasti dallohet dhe tek gjuha e përdorur nga liderët e shteteve përkatëse. ‘Jo, kjo pandemi nuk është një luftë,’- tha Presidenti gjerman Frank Ëalter Steinmeier. ‘Kombet nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin. Ky është një provë e njerëzimit tonë … Le t’u tregojmë njerëzve më të mirën tonë’.

Johnson, nga ana tjetër, u shpreh: ‘Ne duhet të veprojmë si në kohë lufte dhe të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur ekonominë tonë. Po, ky armik mund të jetë vdekjeprurës, por është gjithashtu i mundshëm.’/Opinion.al

Share: