Nga Ergys Mertiri
Ekonomistët thonë se Shqipëria do të dojë 3-5 vjet të dalë plotësisht nga kjo krizë. Kjo në fakt mund të ndodhë nëse kemi një qeveri që punon si duhet. Me këtë që kemi, them se duhet të përgatitemi për ditë më të këqija.
Shenjat kanë filluar që tani. Paketa e ndihmës ekonomike e dhënë nga qeveria, ishte me e volga në Europë në raport me Prodhimin e Brendshëm. Të tjerët dhanë rreth 10 përqind të GDP-së, ndërsa qeveria jonë, as 2 përqind. Jo vetëm kaq, por po bëhet ç’mos që edhe këto para të mos iu shkojnë njerëzve. Po përdoren qindra marifete, për të ulur numrin e përfituesve, nga ndihma dhe e ashtuquajtura në mënyrë qesharake “pagë e luftës”. Nga ana tjetër, tenderët abuzivë vazhdojnë, duke vjedhur frontin.
Në fakt, edhe pa këtë krizë, kjo qeveri ka ardhur duke e përkeqësuar gjendjen ekonomike. Gjatë këtyre viteve ritmi i zhvillimit ka ardhur duke u ulur për keq e mos më keq, duke treguar rritje të frikshme (mbi normat) të borxhit publik, mbyllje masive të bizneseve të vogla, rritje të monopolizimit të ekonomisë dhe resurseve çfarë ka bërë që vendi të zaptohet nga një klikë oligarkësh që po shtrydhin gjithçka.
Gjithashtu investimet e huaja kanë qenë në nivele të papërfillshme. Asnjë kompani serioze nuk ka dëshirë të vijë në Shqipëri, ndërsa investimet buxhetore janë shpenzuar për projekte idiote fiksimesh artistike të Kryeministrit, si rilindja urbane, lyerje e mobilime zyrash apo ndonjë rrugë luksoze me çmime të dhjetëfishuara, pa asnjë lidhje me nevojat e tregut.
Të gjitha këto bëhen në një kohë kur rrogat dhe pensionet thuajse nuk janë rritur aspak, në mos janë ulur nga rritja e taksave dhe pagesave për energjinë, ujin e pijshëm, etj. I vetmi sektor që ka sjellë të ardhura ka qenë ai i drogës, që në fakt, ka shkatërruar edhe më shumë tregun, në përpjekje për të pastruar paratë në ekonomi. Imagjinoni tani një klimë si kjo, ku shumë biznese po shkojnë drejt falimentimit!
Përse shkoi atëherë Rama në ekstrem, duke mbyllur vendin me masat më represive nga të gjithë vendet?
Sepse nuk kish zgjidhje tjetër. Do t’i duhej të përballej, ose me falimentim ekonomik, ose me diskreditim të turpshëm në spitale, të cilët do të tregonin një mjerim total. Si çdo lider me mendësi totalitare, si çdo udhëheqës që bën politikë spektakli, ai nuk mund të mbante një rrugë të mesme, për të menaxhuar në mënyrë të ekuilibruar situatën. Liderë të tillë nuk mund të sillen në mënyrë normale. Atyre iu duhen gjithmonë përgjigje ekstreme, për të trullosur publikun.
Për këtë arsye, Rama iu vu punës për të prodhuar panik kolektiv, si e vetmja mënyrë për ta krijuar realitetin mediatik që kërkon të sundojë. Ai filloi të flasë me një gjuhë horrori për një luftë imagjinare dhe alarm kombëtar, me shpresën se frika do ti bëjë njerëzit të harrojnë barkun bosh. Në mendësinë e politikanëve të tillë, çdo krizë zgjidhet, jo duke menaxhuar problemet, por duke kontrolluar mediat. Ajo që nuk zgjidhet me propagandë, zgjidhet me më shumë propagandë.
Pasojat e kësaj do t’i vuajmë gjatë mesa duket, nëse nuk ka një reagim mbarëshoqëror ndaj kësaj situate. Sa do mbajë kurrizi i njerëzve? Këtë vlen ta shohim, por duhet thënë se, edhe pa këtë krizë, pesha ka qenë në limit.