Home KRYESORE Bah sa e poshtër kjo loja e kundërvënies publike të aktorëve! E...

Bah sa e poshtër kjo loja e kundërvënies publike të aktorëve! E pështirë sa më ska!

Nga Ylli Manjani

Në fakt Teatri si produkt artistik është shembur tashmë. Aktorët luajnë në media e në rrugë. Vështirë të më bindin më të shkoj ti shoh në skenë…

Partizanët kundër fashistëve të “dopo lavoros”, ose
“puna e komisarit ishte loja”, apo
“ju ballistë e gjermanë
që jeni hajdutë,
se fushën ku loznim
juve na e zutë” …

Skenare të stërkonsumuara nga Kinostudio e Shqipërisë së Re.

Nejse, respekt për liritë politike të secilit! Por çështja e Teatrit Kombëtar nuk ka qenë e as betejë as ndërmjet aktorësh e as aktoreske.

Teatri Kombëtar është në fakt betejë e publikut me shtetin e tij. Ky i fundit kishe e ka detyrë të ruajë monumentet historike. Kishte dhe ka detyrë që duke i ruajtur këto monumente ti bëjë dhe funksionale, të përdorshme për publikun dhe aktorët.

Një monument kulture me vlerë shumfish, siç thotë Akademik Aurel Plasari, duhet të RUHET NGA SHTETI dhe jo shkatërrohet prej tij.

Po kur shteti bëhet pushtet dhe ky i fundit sundon i vetëm, pa dyshim që krijohet dhe një përballje politike.

Megjithatë, ka një gjë racionale që duhet marrë në konsideratë në këtë rast. Çështja e teatrit nuk mund të jetë betejë politike ndërmjet partish. Nuk është as vijë e kuqe politike. Jam plotësisht dakort me këtë gjë.

Shëmbja eventuale e një vlere të trashëgimisë është akt barabarësh. Por nuk është e vetmja. Nuk e di a mund ti bënte fajde dialogu kësaj gjëje. Referendumi është i vetmi mjet demokratik. Nejse, temë tjetër kjo.

Partitë duhet të zihen për të ndërtuar demokracinë, ekonominë e shtetin dhe jo të ndeshen për të bërë punën e pa bërë të këtij të fundit.

Veçanërisht opozita i duhet këtij vendi, sot më shumë se kurrë, që të vihet në krye të betejës për rivendosjen e lirisë dhe demokracisë. Njerzit edhe vriten për liri e për demomraci, por jo për teatrin. Aq më pak për aktorët…

Vetëm dje, kur opozita ishte e fokusuar tek teatri, ndodhën këto ngjarje të rënda:

  • u dha një urdhër nga diktatura sanitare për të mbyllur një televizion.
  • u dhanë pamje se si 4 policë rrahën barbarisht një adoleshent në mes të Tiranës. O zot ça tmerri!!!
  • policë civilë shoqëruan disa aktivistë pse dolën në shesh pa i bërë dëm askujt. Njërin madje e kishin rrahur e gjakosur dhe e akuzojnë se ky i rrahuri na paskësh rrahur policët që e rrahën!!!!

Në asnjërin nga këto ngjarje opozita nuk ishte prezent!!! Po mbronte Teatrin… Me shumë gjasë do dalë që “puna e komisarit ishte loja”!

Kjo nuk shkon!

E para është LIRIA dhe DEMOKRACIA!

Të tjerat vijnë më pas, sado emergjente të jenë. Meqë ra fjala nuk besoj se është emergjente halli i aktorëve se skanë ku të luajnë teatër…

Nevoja e njerëzve për të lëvizur, punuar e ushqyer është jetike. Por pa liri dhe demokraci as kjo nuk garantohet.

Nëse ja lëmë lirinë në dorë sundimtarit që i shton e pakëson të infektuarit sipas qejfit në këmbim të teatrit, sa më takon nuk e dua teatrin!

Sorry, por do bëj si do bëj pa teatër. Pa liri dhe demokraci nuk vjen asgjë e mirë…

Share: