Home KRYESORE Diskutimet për reformën, çfarë propozon PD për qeverinë kujdestare

Diskutimet për reformën, çfarë propozon PD për qeverinë kujdestare

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore është mbledhur këtë të dielë në orën 19:00, në atë që është cilësuar si data e fundit e saj. Palët nuk po gjejnë ende dakordësi sa i takon çështjes së identifikimit biometrik të votuesve, depolitizimit të administratës zgjedhore si dhe ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Megjithatë në  mbledhjen e sotme, sikurse bëjnë me dije burime pranë Partisë Demokratike do të jetë në tryezën e bisedimeve edhe çështja e qeverisë kujdestare, një pikë për të cilën PD ka thënë edhe më herët se do të mbetet e pandryshueshme. Sipas të njëjtave burime: opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore. Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese. Sipas Propozimit të Partisë Demokratike:

100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

  1. Qeveria Kujdestare e Zgjedhjeve ka për detyrë:
  2. të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri të institucioneve të administratës publike në procesin zgjedhor; 
  3. të sigurojë barazinë e trajtimit midis kandidatëve dhe partive të ndryshme në lidhje me burimet administrative; 
  4. të sigurojë barazi ndërmjet të gjithë subjekteve zgjedhore, duke mbrojtur nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike.

Diskutimi i këtyre çështjeve ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve, thonë buimet.

Është ende e paqartë  përse PD ka zgjedhur momentin e fundit të bisedmeve për të parashtruar një çështje si kjo dhe nëse palët do të kenë fizikisht kohën e mjaftueshme për të konkluduar në të gjitha cështjet e mbetura pezull brenda ditës së sotme. Kujtojmë zvarritjen e tryezës dhe mungesësn e konsensusit për një kohë relativisht të gjatë dhe për çështje në parim jo kaq thelbësore./Opinion.al

Share: