Home KRYESORE Përfundon takimi mes Kim dhe Bashës: Reforma të përfundojë më 31 Maj

Përfundon takimi mes Kim dhe Bashës: Reforma të përfundojë më 31 Maj

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim dhe kreu demokrat Lulzim Basha kanë dalë përpara mediave, pas një takim që kanë patur në selinë e PD. Në fjalën e saj Kim tha se  politikanët shqiptarë duhet të përfundojnë reformën zgjedhore brenda datës 31 Maj.

“Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë. Isha shumë e kënaqur që pata mundësinë të takohesha me kryetarin e opozitës z.Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre, por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet”, tha Ambasadorja.

Basha tha se PD do të kërkojë që brenda 31 majit të kryejë reformën.

“Dua ta falënderoj ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep reformës zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioriteti absolut i Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 Majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe ia kemi vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe, natyrisht, të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që meritojnë me votën e tyre dhe, njëkohësisht, Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë”, u shpreh Basha. /Opinion.al

Share: