Home KRYESORE SHBA “vrau” marrëveshjen Rama-Meta për Drejtësinë, kthesa pas mitingut të 2 marsit,...

SHBA “vrau” marrëveshjen Rama-Meta për Drejtësinë, kthesa pas mitingut të 2 marsit, 45 ditët e dashurisë së presidentit me Rilindjen

Nga kush u nxitën deklaratat e ashpra të ambasadores amerikane Yuri Kim? Dosja.al zbardh ekskluzivisht takimet, prapaskenat e një marrëveshjeje që u vra nga amerikanët. Pse u shmang Lulzim Basha?

Nga Dosja.al

Kur ambasadorja amerikane Yuri Kim hodhi bombën për një marrëveshje kundër Reformës në Drejtësi, shumëkush mendoi që ishte një shashkë për të tërhequr vëmendjen ndaj krimit të sapokryer ndaj Teatrit Kombëtar në mes të Tiranës.

Një temë e vështirë për “Rrugën e Elbasanit”, që ende nuk ka thënë asgjë për këtë ngjarje shokuese. Ndërsa të gjithë nxituan të nxirrnin alibitë në rrjetet sociale, versionet e hedhura ishin aq të shumta dhe aq të pabesueshme, sa nuk kuptohej asgjë.

Deri kur mes alibive u duk një lidhje që shpjegon çfarë ka ndodhur në linjën “Rruga e Elbasanit- Bulevardi Dëshmorët e Kombit- Bulevardi Bajram Curri”.  Ishte pikërisht Presidenti që në alibinë e tij kishte pika të errëta, që të çonin drejt të vërtetës.

Ajo nis pas 2 marsit, kur i quajturi Manifestim, me përmasat e tij, trembi Edi Ramën. Frika e bën të ulet në gjunjë dhe të grishë, si sirenat Uliksin, këdo që mund të rrezikojë pozicionin e tij. Situata u rëndua në 6 mars, kur opinioni i Komisionit të Venecias, arriti në zyrat e Presidentit, Parlamentit dhe Kryeministrisë, pozitat e Ilir Metës u forcuan më shumë.

Juristët e Këshillit të Europës, konstatuan se Parlamenti dhe KED kishin shkelur Kushtetutën dhe ligjet që miratuan vet, ndërsa Presidenti kishte të drejtë. Dokumenti ishte një kërcënim për Reformën në Drejtësi, kërkonin ndryshime ligjore dhe akte nënligjore që favorizonin pozicionin e Metës dhe fajësonin Ardian Dvoranin.

Sapo doli një përmbledhje e opinionit, nga maxhoranca dhe nga misionet diplomatike u kërkua të mos publikohej i plotë. Pa asnjë argument, ata kërkuan diskrecion nga Presidenti, i cili, akoma, pas 80 ditësh, nuk e ka publikuar raportin.

Publikimi i raportit, mbi të gjitha, prishte një negociatë që sapo kishte nisur, për gjetjen e gjuhës së përbashkët. Misionet presidenciale të ministrave, ranë në sy veçanërisht gjatë kohës së karantinës, kur në bulevard lëviznin vetëm ata, në këmbë. Rama po tentonte të zbuste Metën, t’i ofronte një marrëveshje për të disatën herë, por nuk po gjente hapësirë.

Të hënën në Opinion, presidenti zbuloi takimin me ambasadoren amerikane në Presidencë.

Diplomatja i kërkoi një propozim për të zgjidhur krizën Kushtetuese, mesa duket edhe në rolin e ndërmjetëses ose të garantueses. Në 8 prill Ilir Meta nisi me postë elektronike dhe fizike atë që e quajti “Platformë për Integrimin”.

Me 14 pika, 10 nga të cilat lidheshin me rolin e presidentit në Reformën në Drejtësi, njëra lidhej me të drejtën e Presidentit për emërimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një me Reformën Zgjedhore, një për ligjin antishpifje dhe vetëm 1 drejtperdrejt me negociatat me BE. Problemi ishte se ajo u nis vetëm në 2 adresa, Ambasadë Amerikane dhe Kryeministri. Opozita nuk e ka marrë akoma zyrtarisht Platformën.

Dosja.al mësoi se Presidenti sapo kishte filluar një negociatë për marrëveshje me Ramën, pas inkurajimit që ambasadorja amerikane i bëri për gjetjen e një zgjidhjeje. Në entuziazmin e marrëveshjes, i harroi çfarë kishin ndodhur, uli tonet dhe filloi dashurinë e harruar me Edi Ramën. Në kushtet e karantinës, dilte rallë, por me përpikmëri për të vizituar Qendrën e karantinimit, spitalet, punët e mira të Qeverisë. Më shpesh në rrjetet sociale, me të njëjtën përpikmëri, bënte share statuset e Ministres së Shëndetësisë.

Kulmi arriti kur në murin e Facebook të Ilir Metës, u shfaq Gent Cakaj, ministri i komanduar, që nuk e la të bëhej ministër.

Dashuria i kishte shpërthyer të gjitha barrikadat e ngritura gjatë luftës më shumë se 2-vjeçare, era e marrëveshjes po përhapej gjithandej. Kur firmosi ndryshimet në Kodin Penal, ata që e mbështetën në 2 mars, e quajtën si aktin kulmor të tradhëtisë, ndërsa Edi Rama vazhdonte t’u shpjegonte shqiptarëve, se, ndryshe nga kryetari i opozitës, Presidenti po sillet siç i takon.

Diversioni ishte krejt normal, si rrogoz i marrëveshjes që po ecte, por nuk po soste gjëkundi. Një arsye ishte që nuk po soste; ambasada amerikane. Yuri Kim, pasi ishte njohur me përmbajtjen e Platformës, ishte kundër saj. Rama u informua, por i interesonte të vazhdonte të shtirej sikur po e bënte, ndërsa Meta organizonte mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me pjesëmarrjen e kryetarit të opozitës, për të shtruar rrugën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ku fitonte ai vetë dhe Rama.

Ai merrte kompetencat dhe garancitë e Reformës në Drejtësi, Rama një president aleat dhe legjitimim të gjithçkaje ka bërë nga 2017. Nuk mundi të ndodhte, jo vetëm se Basha qëndroi jashtë lojës (ose nuk dinte gjë, ose nuk i interesonte).

Ishte Yuri Kim që po shqetësohej sa më shumë shtohej dashuria. Ndërsa Rama po tërhiqej me takt, rikthimi i çështjes së teatrit Kombëtar dhe provokimet e Veliajt ndaj Metës, prishën paqen dhe më vonë armatosën palët përsëri.

Shpresa për marrëveshje ishte akoma, megjithëse çështja e Teatrit i nxehu gjakrat. Ajo që i dha fund ishte Yuri Kim, e cila, pasi nuk mori garanci as nga Rama, u detyrua të dilte publikisht.

Kjo pasi takoi 2 herë Ramën dhe dështoi të takonte Metën, i cili kur kuptoi që ambasada e bllokoi, thirri opozitën dhe refuzoi diplomaten. Ndërsa Meta, me 45 ditë vonesë, po i tregonte opozitës përmbajtjen e Platformën, Yuri Kim, e zhgënjyer, vendosi të denoncojë marrëveshjen, si e vetmja mënyrë për ta prishur.

Meta e publikoi platformën disa ditë më vonë. Deri atëherë as Monika Kryemadhi nuk ishte në dijeni të përmbajtjes, ndërsa Kryetari i PD-së tha se nuk i ka ardhur kurrë.

Kështu tha edhe Rama, por Meta iu përgjigj menjëherë me një status në Facebook. “Që Platforma për Integrimin Europian (Non Paper) i është paraqitur Ambasadores së SHBA që më 8 prill 2020 është FAKT. Që Rama GËNJEN nuk është më lajm as për të huajt.”

Marrëveshja u prish përfundimisht, Meta doli në Opinion për ta konfirmuar këtë, me tone më të ashpra se më parë. Nuk u kthye aty ku e kishte lënë ne 2 mars, por aty ku e kishte lënë në nëntor. Publikoi një mesazh të 12 nëntorit 2019, ashpërsoi gjuhën me ambasadorët, por nuk la as Bashën jashtë. E akuzoi që nuk u regjistrua në zgjedhjet e dekretuara të 13 tetorit, duke shkaktuar thyerjen. Fajësoi indirekt Bashën që nuk po i kërkon shpërndarjen e Parlamentit. Në fakt, nuk ishin thjesht akuza, nuk ishin thjesht pakënaqësi, ishin justifikime për kursin pandemik që zgjodhi për tu gënjyer edhe një herë nga Edi Rama./Dosja.al

Share: