Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera 15 vjeçarja e përdhunuar nga roja dhe shoqëria! Burg?! Pak, shumë pak…!

15 vjeçarja e përdhunuar nga roja dhe shoqëria! Burg?! Pak, shumë pak…!

Dosja.al 1 Qershor,

Ishte 12 vjeçe. Çdo mëngjes, ndërsa merrte cantën dhe nisej për në shkollë, mijëra ëndrra i vinin ndërmend, derisa sa hynte në derën e shkollës. Ajo rrugë do ta çonte në një vend më të mirë, nëse aty, te dera e shkollës, nuk do ta priste një përbindësh.

Aty, një ditë, melodia e përditshme e ëndrrave, iu ndërpre brutalisht, shpirti iu vra, trupi iu sakatua, jeta iu mbulua me tisin e errët të dhunës. Aty, në shkollë, në vendin që e nxiste të ëndërronte se një ditë do të ishte shumë më e bukur jeta. Aty ku prindërit e shihnin të lehtësuar të hynte, me shpresën se do të dalë më e mirë, më e ditur, më e lumtur.

Kjo është historia e një krimi të ndodhur brenda institucionit më të shenjtë që mund të ketë një vend. Një kriminel-maniak 65- vjecar, prej 3 vjetësh, shkatërronte jetën e një të miture, e kërcënonte, e xhironte, e ndante me të tjerë të mitur.

Fare pranë duhet të ishte polici, që na u premtua se do të ruante shkollën, akoma më pranë duhet të ishin mësuesit, që kanë përgjegjësinë e atyre orëve të ditës, kur prindërit besojnë se fëmijët janë më mirë se në shtëpi.

Me frikën nga provimet, me emocionet e ngritjes në mësim, me shakatë me shokët dhe shoqet e klasës, më gëzimin e pushimit të madh, me ngacmimet e vogla dhe planet për pasdite. Kështu e imagjinon një prind jetën e fëmijës në shkollë. Ashtu si ka qenë për të, ashtu si duhet të jetë për fëmijën e tij, ashtu si duhet të jetë shkolla…

Një ditë kupton se 3 vitet e fundit, shkolla ka qenë ferri i vajzës së tij. Se ajo nuk fitoi aty besimin dhe shpresat që i bëjnë të lumtur fëmijët, por zhgënjimin, përdhunimin, torturën, frikën.

Humbi shumë më tepër se mundësinë për të marrë puthjen e parë, për të patur dashurinë e parë. Humbi jo vetëm besimin tek shkolla, tek premtimi i prindërve se nuk do lejojnë t’i ndodhë asgjë e keqe, tek përrallat e fëmijërisë se bota është e bukur dhe të këqijat largohen nga një fund i lumtur. Ka humbur besimin tek çdo njeri që takon, respektin për të tjerët dhe për veten, lirinë e të dalit në rrugë, shijen e jetës.

Të ikë nga lagja, nga qyteti, mundësisht nga shteti. Babai i vajzës, që nuk ka mundur të mbajë premtimin, pasi ia morën tinëzisht kriminelët që paguhen më lekët e tij, për t’i mbrojtur vajzën, kërkon të ikë. Në mënyrën më të pamendueshme, i ati prej 6 muajsh dinte gjithçka por nuk mbrojti të bijën, mbrojti emrin e familjes.

I vëllai po ashtu. Me siguri që vajza e vogël, mes lotëve, kur nuk ka mundur ta mbajë më sekretin e tmerrshëm, me të cilin kujtonte se po ruante familjen nga eleminimi, ia ka kërkuar me përgjërim.

Ata janë tani të kapur në muret e ferrit. Duhet të ketë drejtësi, por nuk mund ta besojnë, kur drejtuesit e shkollës, pasi e morën vesh ngjarjen, 1 vit më parë, vetëm sa e pushuan nga puna kriminelin që vazhdonte krimin me më shumë ligësi dhe hakmarrje. Duhet të ketë drejtësi, por ka parë se çfarë u ka ndodhur atyre që e kanë bërë më parë të njëjtën gjë, në Kavajë. Drejtësi nuk do të ketë, por paqe për familjen e shokuar, ia kemi borxh të gjithë.

Është faji i shoqërisë që bashkëjeton pa të keq me monstrat, me baballarët që përdhunojnë vajzat, me mësuesit që përdhunojnë fëmijë dhe ia hedhin me ca muaj burg, me drejtuesit e shkollave që mbyllin gojën para krimit mbi fëmijët, por i përdorin rojet e shkollave si sekserë për të mbyllur punët e tyre, me policët që nuk janë kur ata kanë nevojë dhe me shefat e tyre, ushtarakë dhe politikë, që i emërojnë me lista partish.

Ia kemi borxh një vend normal 15- vjeçares, por nuk mjafton. Asaj dhe shoqeve të saj, që kërcënohen cdo ditë nga përdhunimet, u kemi borxh drejtësinë.

Burg?! Pak, shumë pak…/Dosja.al

Share: