Home KRYESORE Arrihet marrëveshja për administratën zgjedhore

Arrihet marrëveshja për administratën zgjedhore

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore në Pallatin e Kongreseve ku morën pjesë edhe ambasadorët e SHBA, BE, Britanisë dhe OSBE.

Në përfundim të saj palët deklaruan se është arritur konsensusi për Reformën Zgjedhore.

U arrit dakordësi për administrimin zgjedhor që përfshin identifikim biometrik 100% dhe riformatim të KQZ. Opozita propozoi zgjidhje për depolitizim por u refuzua nga pala tjetër, administrata do të mbetet sic është por formula do të aplikohet në zgjedhjet e tjera. U përpoq të kapte komisionet zgjedhore, nuk ja doli dhe u tërhoq”, tha Oerd Bylykbashi.

Pika e fundit ku palët ende nuk kishin gjetur konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ishte ajo e administrimit zgjedhor.

Në zgjedhjet e ardhshme, komisionet do të mbeten siç janë aktualisht. Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita.

Më parë ishte rënë dakord për aplikimin e identifikimit biometrik në të gjithë qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Financimi i aplikimit të sistemit të identifikimit biometrik do të merret përsipër nga Bashkimi Europian.

Opozita ka hequr dorë nga kërkesa e saj për qeveri tranzitore 100 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Konsensus është gjetur edhe në lidhje me 5 pika që lidhen me financimin e partive duke rritur financimin nga ana e shtetit dhe ulur ndjeshëm financimin nga privati, kuotën gjinore në zgjedhje ku 1 në 3 emra në lista do të jetë një grua, ndryshimi i periudhës zgjedhore, sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi. /Opinion.al

Share: