Nga Bashkim Muça
Qysh prej vitit 1991, Shqipëria i ka provuar të tre modelet kryesore të sistemeve elektorale: sistemin maxhoritar, sistemin proporcional dhe sistemin mix. Sot ajo e ka mundësinë të përzgjedhë, të adoptojë dhe të vijojë me sistemin më të përshtatshëm të mundshëm.
Cili është sistemi më i përshtatshëm në kushtet e sotme të Shqipërisë? Le ti marrim me radhë.
I.
Sistemi maxhoritar
Sistemi maxhoritar është sistemi i konkurrimit të drejtpërdrejtë ndërmjet kandidatëve të partive politike (apo të kandidatëve të pavarur). Ky sistem prodhon një parlament të qëndrueshëm, me lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet zgjedhësve dhe deputetëve. Por, ky sistem mund të prodhojë një parlament disproporcional, jo përfaqësues, ku një parti politike mund të krijojë diferencë të madhe vendesh në parlament me partinë e dytë edhe në rastin e një diference të vogël votash në proporcional, ndërsa partitë e vogla nuk kanë asnjë shans për tu përfaqësuar në parlament. Teorikisht, nëse do aplikohej sistemi maxhoritar në Shqipëri, mund të ndodhë që një parti politike me 50% +140 vota në proporcional, të fitojë 140 vende në parlament, pra të gjitha vendet, ndërsa subjektet e tjera me 50% -140 vota të mos marrë asnjë deputet! (Pra me vetëm 280 vota diferencë teorikisht mund ti fitosh të gjithë deputetët).
Sistemi maxhoritar konsiderohet sistemi më i mirë, por jo me i drejti. Ai është i përshtatshëm për vende me traditë të madhe demokratike, si psh. Britania e Madhe.
Rasti i vetëm që Shqipëria ka aplikuar sistemin maxhoritar janë zgjedhjet e 31 marsit 1991 ku, në një parlament me 250 deputetë, Partia Demokratike në opozitë mori 75 deputetë ndonëse kandidatët e saj fituan rreth 42 % të votave në proporcional (llogaritur në proporcional di të fitonte 105 deputetë, pra 30 më shumë).
II.
Sistemi proporcional
Sistemi proporcional përdoret gjerësisht në vende me demokraci të ndryshme. Ky sistem krijon hapësira për përfaqësim sa më të drejtë në parlament, duke u dhënë shans të gjithë faktorëve politikë të kapërcejnë një prag të pranueshëm elektoral, që shërben si cut off për tu përfaqësuar në parlament. Sistemi proporcional mund të aplikohet nëpërmjet votimit në një zonë unike, ose në disa zona/rajone. Gjithashtu sistemi proporcional mund të aplikohet me lista të hapura, ku zgjedhësi përvec partisë, voton drejtpërdrejt edhe për një numër kandidatësh të listës, duke bërë rreshtimin e fituesve të saj.
Sistemi proporcional me një zonë unike teorikisht konsiderohet më përfaqësuesi, por, sido që të jetë, i mbyllur apo i hapur, ai prodhon një parlament lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet deputetëve e zgjedhësve zonalë dhe do të prodhonte qeveri të pa qëndrueshme, nëse do të aplikohej me prag të ulët.
Sistemi proporcional rajonal, afron lidhjen ndërmjet zgjedhësve dhe deputetëve dhe i aplikuar me lista të hapura, krijon thuajse lidhje të drejtpërdrejtë zgjedhës-deputet. Në varësi të numrit të rajoneve, sistemi proporcional rajonal prodhon qeverisje progresivisht të qëndrueshme.
Prej vitit 2009, Shqipëria aplikon sistemin spanjoll, proporcional rajonal të mbyllur, ndarë në 12 zona me numër disproporcinal deputetësh, ku zgjedhësi voton vetëm për partinë ndërsa fituesit shpallen sipas prioritetit të rreshtimit në listën e përcaktuar nga kryetarët e partive. Ky sistem ka krijuar qeverisje të qëndrueshme por nuk siguron lidhje të drejtpërdrejtë të elektoratit me deputetët, të cilët duke dalë me prioritet nga listat e mbyllura shumë emërore, në thelb janë produkt i preferencave të kryetarëve të partive kryesore politike.
III.
Sistemi mix
Sistemi mix, i përdorshëm shumë në botën demokratike, është kombinim i sistemit maxhoritar me sistemin proporcional. Ky kombinim, nga njëra anë ruan avantazhet e dy sistemeve dhe, nga ana tjetër, amortizon defektet reciproke. Praktikisht, sistemi mix, në shumicë krijon lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet zgjedhësve e deputetëve, krijon mundësi për përfaqësim të drejtë proporcional dhe prodhon qeverisje të qëndrueshme. Por ky sistem krijon një disproporcion peshe ndërmjet deputetëve të zgjedhur drejtpërdrejt dhe atyre që futen me lista shumë emërore, pa lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhësit, si dhe i aplikuar me dy vota krijon mundësi për spekulime.
Sistemi mix është aplikuar disa herë në Shqipëri, duke filluar nga viti 1992, me ndarjen 100+40, ku 100 deputetë zgjidheshin drejtpërdrejt sipas sistemit maxhoritar ndërsa 40 të tjerë plotësoheshin me proporciomal. Politika shqiptare spekulloi me sistemin mix duke prodhuar në vitin 2001 “Dushkun” dhe në vitin 2005 “Megadushkun”, korrupsionin më të madh elektoral. Nëpërmjet sistemit dy votash, një votë për kandidatin dhe një votë për partinë, i aplikuar në mënyrë të deformuar, u krijua mundësia për transferimin e votës proporcionale për partitë e vogla aleate. Në vend që të korrektonte sistemin, politika shqiptare e braktisi atë. Sistemi mix, i aplikuar me një votë, vetëm për kandidatin, e cila do të shërbente edhe për llogaritjen e proporcionalit, do të ishte një prej modeleve të përshtatshme për Shqipërinë.
IV.
Sistemi më i përshtatshëm sot për Shqipërinë
Diskutimi sot për sistemin elektoral po bëhet në dy plane: së pari në kalimin në sistem në një zonë unike dhe së dyti, në sistemin me lista të hapura. Duke përjashtuar kalimin në sistem proporcional kombëtar me një zonë unike, le të shpjegojmë mundësitë më të mira të aplikimit të sistemit proporcional rajonal në Shqipëri.
Së pari, biem dakord për sistemin proporcional rajonal me lista të hapura.
Së dyti, duhet diskutuar lidhur me numrin e zonave/rajoneve të cilat aktualisht janë përcaktuar sipas 12 qarqeve me një disproporcion të thellë në numrin e deputetëve, duke filluar nga Qarku i Kukësit me vetëm 3 deputetë, e që një subjekt të përfaqësohet me deputet në këtë zonë/rajon duhet të marrë të paktën 25 % të votave, deri në Qarkun e Tiranës me 34 deputetë, e që për tu përfaqësuar në parlament duhen vetëm 2.85 % të votave, e për arsye të pragut elektoral, vetëm 3 % të votave.
Në këto rrethana, mundësitë e adoptimit të sistemit proporcional me lista të hapura janë si më poshtë:
Sistemi aktual që kemi, me 12 zona elektorale me lista të hapura.
Disproporcionet mund të shmangen nëpërmjet korrektimit të këtij sistemi me një listë kombëtare, ose lista të ndara në 3 rajone të mëdha (ngjashëm me sistemin danez).
Sistemi proporcional rajonal i hapur me 3 zona (pragu rreth 2 %), me 4 zona (pragu rreth 2.8 %), ose me 5 zona (rreth 3.5 %,) me numër të balancuar deputetësh duke ruajtur/bashkuar deri diku ndarjet demografike tradicionale.
Sistemi proporcional mund të aplikohet edhe me 6 apo 7 zona elektorale, me prag mbi 4%.
Përfundimi:
Tani le ti japim përgjigjen pyetjes se cili është sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë?
Për momentin, sistemi proporcional rajonal, me lista të hapura, me ndarje në 3, 4 ose 5 zona/rajone, do të ishte sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë.
Nga Bashkim Muca