Pas shtimit të rasteve të reja me COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të shtyjë hapjen e transportit publik, pasi konsiderohet si aktivitet me rrezikshmëri të lartë.
Sipas Komiteti Teknik i Ekspertëve, rritja e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
“Kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.”
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka theksuar përsëri këshillat që duhet të zbatojnë qytetarët.
“Të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.”/ Opinion.al