Home KRYESORE Si u lirua nga burgu Hekuran Billa, e njëjta dorë që liroi...

Si u lirua nga burgu Hekuran Billa, e njëjta dorë që liroi Endrit Doklen

Atenatet e tipit mafioz u rikthyen mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Hekuran Billa u ekzekutua brenda makinës së tij. Rezulton se ai nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë, madje kishte qenë i dënuar për vrasje në Angli. Më 14 tetor 2006 ai kishte vrarë 22 vjeçarin Prel Marku në Angli dhe kishte plagosur dy persona të tjerë. Për këtë u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë nga gjykata angleze. Në rrethana të paqarta ai shfaqet në Shqipëri ku arrestohet në vitin 2007.

Në vitin 2014 atij iu njoh dënimi me burgim të përjetshëm por në vitin 2016 gjykata e Apelit do të niste “operacionin” për lirimin e tij. Gjyqtari Lefter Jahaj, ka vendosur të ndryshojë vendimin e gjykatës së Tiranës për njohjen e burgut përjetshëm dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vite burgim. Në vendim thuhet se Hekuran Billa duhet të vuajë dënimin nga dita e arrestimit në Shqipëri 15 nëntor 2007.

Pra Hekuran Billa duhet të ishte ende në burg pasi do të kishte kryer vetëm 13 vite burg. Mirë po ai kishte dalë nga qelia që në shkurt të vitit 2019. Këtë e kishte bërë të mundur gjyqtarja Enkleda Hoxha. Teksa kishte dhe rreth 10 vite dënim për të kryer, gjyqtarja Hoxha i ka njohur Hekuran Billës disa amnisti dhe i ka falur 5 vitet e fundit të dënimit duke e nxjerrë nga burgu në shërbim prove.

Për Enkeleda Hoxhën ky nuk është vrasësi i parë që ajo liron nga burgu para përfundimit të dënimit.

Ajo u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Ndaj kësaj gjyqtareje është kërkuar hetim administrativ nga ILD-ja por ajo vijon të mbetet në detyrë. /Opinion.al

Share: