Home KRYESORE Lufta kundër kanabisit/ Paralajmërimi i fortë i Lleshajt: S’do merremi vetëm me...

Lufta kundër kanabisit/ Paralajmërimi i fortë i Lleshajt: S’do merremi vetëm me bimët dhe kultivuesit, por edhe me zyrtarët përgjegjës të territorit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi sot një takim me drejtuesit qendrorë e vendorë të policisë për luftën antikanabis, masat kundër migracionit të paligjshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe operacionin OFL.

Në fjalën e tij, ndërsa u ndal tek lufta kundër kanabisit, Lleshaj u shpreh se deri në qershor do mbyllet lufta me këtë fenomen, duke theksuar se më pas “do të merremi me përgjegjësit”.

Sipas ministrit, lufta kundër kanabisit nuk është detyrë vetëm e Policisë së Shtetit, ndërsa ka paralajmëruar se veç  kultivuesve apo trafikantëve, do të procedohen edhe zyrtarët që kanë përgjegjësi për atë territori ku ndodh kjo veprimtari e paligjshme.

Për këtë arsye duhet të jetë e qartë për secilin prej jush që çdo rast i konstatimit të sipërfaqeve sado të vogla, sigurisht janë sipërfaqe të vogla janë sipërfaqe në vende të larta, por çdo sipërfaqe, kudo që identifikohet si një skenë e një vepre penale, duhet që referimi për këtë vepër penale të shkojë jo vetëm për autorët e kapur në krim, por bashkëlidhur të referohen dhe personat që kanë përgjegjësi për atë territor, në kuptimin e administrimit dhe kontrollit të këtij territori, të gjithë”, u shpreh mes të tjerash Lleshaj.

Fjala e plotë:

Siç jeni në dijeni ky takim është organizuar për të trajtuar disa probleme të rëndësishme që preokupojnë Ministrinë e Brendshme në tërësi, kryesisht çështje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Do të kemi një pjesë publike të shkurtër, për të vazhduar pastaj me diskutime më të detajuara rreth çështjeve që kemi në axhendë.

Dua ta fillojë së pari me një çështje, e cila ka filluar të marrë vëmendje të shtuar kohët e fundit, e cila lidhet me migracionin e paligjshëm dhe trafikimin.

Jeni në dijeni edhe ju, por edhe publiku që ditët e fundit është goditur një rrjet trafikimi emigrantësh të paligjshëm, rrjet i cili përfshinte në vetvete për fat të keq edhe punonjës të Policisë së Shtetit, madje drejtues të lartë të saj.

Dua të theksoj që në krye të herës që lufta e Policisë së Shtetit për të goditur rastet e inkriminimit të radhëve të saj, dhe për forcimin e integritetit të gjithë punonjësve, mbetet prioritet i dorës së parë. Integriteti është formula e vetme që do të na çojë te suksesi dhe plotësimi i misionit të Policisë së Shtetit.

Dua të them që emigracioni kohët e fundit ka njohur rritje ashtu si në gjithë Europën. Po bëhen vite që ka tendenca migratore, dhe fatkeqësisht të gjithë flukset migratore dalëngadalë përfundojnë dhe shndërrohen në viktima trafikimi për arsye se rrjetet kriminale, të cilët përgjojnë flukset e trafikut, i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t’i kthyer emigrantët në një pré për veprimtaritë kriminale.

Ne po shohim që kjo veprimtari ka një përmasë, e cila meriton vëmendje të madhe nga të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë ata të kufirit, emigracionit, shtetësisë, qendrës së azilkërkimit dhe strukturave të tjera, që kanë përgjegjësi për ta kontrolluar, për ta menaxhuar, për ta frenuar këtë migracion të paligjshëm, por përpara së gjithash kanë përgjegjësi për të goditur veprimtaritë kriminale që lidhen me të dhe kryesisht trafikun.

Këtu mbetet detyrë e madhe që të gjitha strukturat, por veçanërisht ato të kufirit dhe migracionit, si edhe Policia Kriminale, Policia e Rendit dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme, të rrisin bashkëpunimin me njëri tjetrin, të forcojnë kontrollet dhe të forcojnë punën operative për të goditur atje ku është e nevojshme për të goditur, duke filluar në radhë të parë çdo tendencë inkriminimi brenda strukturave dhe pastaj për të goditur në terren të gjitha rrjetet, të cilat janë aktive në këtë fushë.

Rasti i goditjes para disa ditëve nga Prokuroria dhe SHÇBA brenda strukturës së Migracionit dhe Kufirit të Policisë së Tiranës, është një sinjal, i cili duhet vlerësuar nga të gjithë, për të parë me shumë kujdes nivelin e angazhimit, integritetin dhe përgjegjësinë për ushtrimin e detyrës nga të gjithë ata që kanë përgjegjësi të kësaj natyre.

Ne nuk mund të lejojmë që në radhët e Policisë të vegjetojnë punonjës, të çfarëdo niveli hierarkik, të cilët nuk i bëjnë nder uniformës që mbajnë.

Po ashtu duhet në mënyrë të fortë të merren masa për kontrollin e të gjithë territorit nga veprimtari që lidhen me migracionin e paligjshëm dhe veprimtaritë kriminale që lidhen me këtë migracion, për arsye se jeni dëshmitarë të shtimit të numrit të qytetarëve të huaj, emigrantëve, të cilët i sheh jo rrallë dhe lirshëm në rrugët e vendit, të pakontrolluar, të paadresuar.

Ky kontingjent personash, nganjëherë në nevojë e nganjëherë jo në nevojë, duhet të adresohet dhe të merren masat përkatëse ligjore që në vijën e parë të kufirit në mënyrë që ky fluks i paligjshëm mos të depërtojë në vendin tonë.

Ata duhet të mbeten atje ku janë dhe vetëm zbatimi rigoroz i kritereve ligjore për trajtimin e atyre, që vërtet kanë nevojë, duhet të gjejë hapësirë këtu dhe përndryshe asnjë mundësi tjetër lëvizjeje, qarkullimi, depërtimi në territor të personave që nuk kanë tagër ligjor, persona që vijnë nga vende pas asnjë lloj konflikti, persona që vijnë nga vende të sigurta, të konsideruara të tilla nga Qeveria Shqiptare, nuk mund të shndërrohen në karburant për të mbajtur gjallë një instrument trafikimi, i cili sjell pasoja të tjera të mëdha në drejtim të sigurisë se vendit dhe shumë aspekte të tjera.

Çështje tjetër e dytë, e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me kanabisin. Tentativa për ta mbajtur gjallë këtë fenomen, nuk ka vdekur. Fenomeni është goditur rëndë. Gjatë viteve të fundit ka marrë goditje të parikuperueshme, por tentativat, shpresat e ndokujt për të gjetur hapësirë në këtë fushë, për të ushtruar veprimtarinë kriminale nuk kanë vdekur.

Informacionet e ndryshme që marrim edhe për këtë vit tregojnë që ka tentativa të shkëputura, por që ende persistojnë në zona të ndryshme të vendit, të cilat tregojnë që nevoja për një agresivitet të shtuar, në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e lartë dhe kërkohet nga secili prej jush, të marrë masat e nevojshme, për të azhornuar planet, që tashmë ekzistojnë dhe për t’i zbatuar ato me efektivitet të lartë.

Shtimi i kapaciteteve, qofshin të monitorimit përmes droneve dhe kapaciteteve të monitorimit ajror, në bashkëpunim dhe me Forcat e Armatosura, shtimi i kapaciteteve logjistike, kryesisht në fushën e transportit, duhet të shërbejnë si motivim shtesë për ta rritur me tej intensitetin e luftës në këtë sektor, luftë e cila duhet të përfundojë shumë shpejt.

Ne synojmë që brenda muajit Qershor, përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin të mbyllet. Duhet të keni të qartë që afati juaj për ta mbyllur këtë përpjekje është qershori.

Pas kësaj nuk do të merremi më me bimët, por do të merremi me personat që kanë përgjegjësi për këtë çështje.

Kush janë personat që kanë përgjegjësi? Kam theksuar dhe vazhdoj ta përsëris që përgjegjësia për luftën kundër kanabisit nuk është ekskluzivitet i Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues, nuk është organ as i administratës së pyjeve, as i mjedisit, as bujqësisë dhe as i pushtetit vendor.

Do të thotë që Policia duhet të kujdeset për të goditur veprimtarinë kriminale, e cila ngërthen në vetvete shumë aktorë, përveç atyre që kultivojnë, atyre që trafikojnë, atyre që furnizojnë, kemi dhe një kategori tjetër personash me përgjegjësi ligjore në këtë fushë, që janë zyrtarët e ngarkuar me administrimin e territorit.

Kërkohet që për çdo rast kultivimi të kanabisit në çdo cep të territorit, të nisin procedime penale të kombinuara jo vetëm për kultivuesit apo trafikuesit, por dhe për personat, për zyrtarët, që kanë përgjegjësi për atë cep të territorit ku ka ndodhur kjo veprimtari e paligjshme.

Për arsye se, ligji u njeh përgjegjësi të drejtpërdrejtë zyrtarëve të ndryshëm, qoftë vendorë, qoftë të degëve territoriale, të inspektorateve dhe drejtorive të tjera të administratës shtetërore, u njeh përgjegjësi të drejtpërdrejta në kontrollin e territorit dhe u njeh detyrimin që jo vetëm të kontrollojnë, por që të njoftojnë Policinë në mënyrë periodike për çdo rast që konstatohet.

Kemi parë gjatë kësaj periudhe që ka pasur rezonanca të ndryshme nga autoritete vendore, ka patur pra përgjigje të ndryshme nga autoritetet vendore, shpesh herë kanë qenë mjaft bashkëpunuese, pozitive, proaktive, pra ku policia është mbështetur me informacion, me kërkesa me ndihmë në terren e të tjera.

Ndërkohë që ka patur dhe raste të tjera kur autoritetet vendore e konsiderojnë këtë si punën e Policisë, gjë që nuk mund të pranohet.

Për këtë arsye duhet të jetë e qartë për secilin prej jush që çdo rast i konstatimit të sipërfaqeve sado të vogla, sigurisht janë sipërfaqe të vogla janë sipërfaqe në vende të larta, por çdo sipërfaqe, kudo që identifikohet si një skenë e një vepre penale, duhet që referimi për këtë vepër penale të shkojë jo vetëm për autorët e kapur në krim, por bashkëlidhur të referohen dhe personat që kanë përgjegjësi për atë territor, në kuptimin e administrimit dhe kontrollit të këtij territori, të gjithë.

Unë u jam drejtuar me një shkresë zyrtare të gjithë kryetarëve të bashkive. Di që edhe ju keni komunikimin tuaj me kryetarët e bashkive.

Shpresoj që deri në datën 15, të mbyllni dhe kontaktet që janë urdhëruar, kontaktet personale të çdo drejtori të Policisë së Shtetit me kryetarët e bashkive  përkatëse, për të koordinuar dhe për të bërë të qartë këtë dhe për të përcjellë këtë mesazh.

Kjo është një detyrë e përbashkët. Lufta kundër kanabisit bëhet jo në kuadër të një plani të Policisë, jo në kuadër të një plani të Ministrisë së Brendshme, po në kuadër të një plani kombëtar kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Pra kemi një Plan Kombëtar dhe për këtë arsye kërkohet që edhe angazhimi të jetë kombëtar, të marrin pjesë të gjithë.

Detyra juaj është të identifikoni ata që nuk marrin pjesë në këtë detyrim ligjor dhe t’i vini përpara përgjegjësisë ligjore ata që hezitojnë për shkak të paaftësisë, pakujdesisë, papërgjegjshmërisë apo ndonjë rast edhe për shkak të bashkëpunimit të papërshtatshëm ose kriminal me rrjete të caktuara.

Të gjitha këto elementë duhet të jenë pjesë e veprimtarisë dhe e vëmendjes suaj të madhe.

Pika e tretë, që dua të diskutoj shkurtimisht, është lufta kundër krimit mjedisor. Konstatojmë për fat të keq që lufta kundër krimit mjedisor nuk ka gjetur vëmendjen e duhur.

Megjithëse edhe vonë në Shqipëri është penalizuar realisht në Kodin Penal krimi mjedisor, por tashmë jemi në situatën që krimi mjedisor është një vepër penale, e cila parashikohet qartësisht nga një numër i madh nenesh të Kodin Penal.

Dua të theksoj që në pikëpamje të politikës penale ose prioriteteve të angazhimit në luftën kundër krimit, duhet të kemi të qartë që dëmi publik, që vjen nga krimi mjedisor, në shumë raste, e tejkalon ndjeshëm dëmin që vjen nga krime të caktuara, apo figura të caktuara të  krimit. Dëmi që vjen nga krimi mjedisor sjell pasoja ekstreme, të jashtëzakonshme për jetën, për shëndetin, për të ardhmen, e qytetarëve dhe të ardhmen tonë. Ndaj dhe goditja ndaj tij duhet  të jetë shumë pa kompromis, e qartë, e drejtë dhe e  pandërprerë.

Ndotja e lumenjve përfaqëson një ndër fenomenet më të rënda në Shqipëri, një fenomen të rëndë, të dëmshëm pasojat e të cilit janë afatgjata dhe shumë të ndjeshme.

Duhet të dimë që çfarëdo që hedhim në lumë, dhe përgjithësisht këtu hidhet shumëçka në lumë, për të mos thënë gjithçka në lumë, përfundon në det. Pra e presim, e gjejmë ose kur shkojmë për të bërë plazh në det, ose na kthehet në tryezë, na kthehet në tryezë në trajtën e perimeve, në trajtën e ujit, në trajtën e ushqimit e të tjera me radhë.

Ky është cikli natyror i qarkullimit të këtij mëkati të madh ndaj natyrës. Ose në det e gjejmë kur shkojmë për të bërë plazh ose na vjen pa u lodhur fare, në tryezë përmes qumështit, përmes perimeve, përmes  frutave, përmes mishit, përmes ujit e të tjera me radhë. Ndaj angazhimi në këtë fushë duhet të jetë jashtëzakonisht prioritar. Nuk mund të pranohet kurrsesi, për asnjë lloj arsye derdhja, shkarkimi i mbeturinave urbane që ndodh jo rrallë, nga kompani që paguhen nga taksapaguesit për pastrimin e qyteteve, për t’i shkarkuar mbetjet në lumë. Nuk mund të pranohet që biznese të caktuara të shkarkojnë në lumë mbeturinat e procesit të tyre teknologjik. Kompani të ndryshme ka mjaft të dhëna që i shkarkojnë ose në mënyrë ilegale, ose edhe të hapur. Ka prej atyre që thjesht kanë çuar tubin e shkarkimit dhe e kanë zgjatur deri në lumë, ose ka të tjerë që me kamionë çojnë mbeturinat dhe i shkarkojnë në lumë. Duke sjellë ato pasoja, që të gjithë mund t’i imagjinojmë.

Kjo punë duhet të marrë fund, dhe këtu nuk ka asnjë lloj mundësie t’u japim shpjegim aktorëve të caktuar se çdo të bëjnë me mbeturinat. Le të gjejnë zgjidhjen më të përshtatshme, por hedhja në lumë është zgjidhja më e keqe nga të gjitha të mundshmet. Në qoftë se jemi përballë zgjidhjes a t’i lëmë në mes të qytetit, a t’i hedhim në lumë, më mirë t’i lëmë në mes të qytetit. Në qoftë se kemi arritur në këtë pikë kaq ekstreme.

Sigurisht që nuk jemi në atë situatë, sepse në vend janë tashmë një numër i madh landfillesh, janë inceneratorë, janë krijuar mundësi të shumta në fakt që kjo çështje të gjejë zgjidhje, por kjo kërkon impenjimin e secilit. Detyra jonë është të krijojmë presionin e nevojshëm pozitiv, ligjor që ky krim mjedisor të mos ndodhë.

Për këtë IKMT-ja është e urdhëruar bashkë me ju që çdo javë duhet të sillni raporte me shkrim në Ministrinë e Brendshme për aksionet e kryera, për operacionet e kryera, të cilat duhet të ndodhin në të gjithë vendin në mënyrë simultane.

Në çdo drejtori vendore, në çdo komisariat duhet të ndodhin për ditë ndërhyrje të tilla kundër krimit mjedisor. Për më tepër që po hyjmë në sezonin turistik sezon, i cili merr një rëndësi shumë të madhe, për faktin që është sezon që pason një periudhë izolimi dhe shtrëngesash të mëdha ekonomike prej pandemisë, dhe prej të cilit synohet të kompensohet sado pak apo shumë, të kompensohet dëmi që ka pësuar ekonomia, bizneset, qytetarët nga izolimi i pashmangshëm. Çdo kontribut në funksion të mbrojtjes së mjedisit është një kontribut në funksion të inkurajimit të turizmit.

Për turizmin po ashtu do të mbetet detyrë e rëndësishme që të gjitha drejtoritë, të gjitha strukturat e policisë si përherë të luajnë edhe tani rolin e tyre në mbështetje të autoriteteve të ndryshme që janë të përfshira në këtë sezon, i cili sapo shpresojmë të aktivizohet.

Çështje tjetër është ajo që ka të bëjë me ”Operacionin Forca e Ligjit”. “Operacioni Forca e Ligjit”, është maja e shigjetës po themi që ne kemi në dorë kundër krimit të organizuar, tani përfaqëson atë majën e asaj shigjete, që duhet të godasë krimin organizuar atje ku atij i dhemb më fort, që janë financat dhe pasuritë e tij.

Ka patur një periudhë të ndryshimit të ritmit të operacionit për shkak të pandemisë, e cila tashmë ka përfunduar. Kërkohet që të gjithë strukturat të vazhdojnë me ritëm të shtuar përpjekjen për të vijuar misionin e përcaktuar nga ligji, për goditjen e krimit të organizuar në pjesën e financave dhe pjesën e pasurive të tij.

Këtu kërkohet që e gjithë puna të vendoset mbi prioritete të qarta, dhe prioritet janë që të parëve u vjen radha atyre që kanë llogari më të mëdha për të shlyer me ligjin dhe me qytetarët shqiptarë, për të vazhduar pastaj me pjesën tjetër. Dhe besoj që kombinimi i përpjekjeve përmes OFL-së dhe i të gjithë planeve të tjera operacionale për kontrollin e territorit, për kontrollet për armë, për goditjen e grupeve të krimit të organizuar, së bashku, në kuadër të një aksioni të koncentruar, do të bëjnë që treguesit të vijojnë të përmirësohen.

Ky vit sigurisht ka treguesit më të mirë deri tani, sa u përket treguesve objektivë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, por mos të harrojmë që hapja, shtimi i intensitetit të lëvizjes, do të shtojë edhe mundësitë, ose hapësirat e grupeve kriminale për të goditur, për të bërë atë punë për të cilën ato ekzistojnë, për të bërë krim.

Edhe disa raste të ditëve të fundit tregojnë që krimi tenton të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për të goditur dhe këtu kërkohet po i njëjti intensitet angazhimi i të gjithë strukturave të policisë për të vijuar goditjet ndaj krimit të organizuar dhe sidomos ndaj grupeve dhe individëve që janë për fat të mirë apo të keq, të njohur gjerësisht, jo vetëm prej jush por edhe publikisht të njohur. Dhe kërkesa është që të shtohen përpjekjet për të parandaluar e ngushtuar hapësirat e veprimit të lirë të krimit.

Prandaj në kuadër të OFL është e rëndësishme që të përdoren të gjithë instrumentet që ligji i ka vënë në dorë policisë në kuadër të OFL. Jo vetëm instrumentin e goditjes së aseteve kriminale, por sidomos instrumentet që kanë të bëjnë me masat e kufizimit personal.

Këta persona të cilët i kanë ende llogaritë e pambyllura me ligjin në Shqipëri, duhet ta ndiejnë presionin e ligjit përmes kufizimeve që ligji ka parashikuar ndaj tyre. Kufizimet për lëvizjen jashtë, kufizimet për lëvizjen brenda vendit. Të dy këto instrumentë që i janë dhënë policisë nga ligjvënësi duhet të përdoren me efikasitet në mënyrë që hapësira e veprimtarisë së krimit, të reduktohet ndjeshëm.

Së fundi, do të thosha që puna për forcimin e masave për kontrollin e integritetit të punonjësve të policisë duhet të njohë një ritëm të ri. Sigurisht që tashmë për fat të mirë kemi një instrument të “Vettingut”, i cili do ta bëjë punën e tij, por deri sa të marrim rezultatin e plotë prej procesit të vetingut, do të duhet koha e nevojshme për arsye se ai proces ka një ritëm të caktuar, ka një procedurë rigorozisht të përcaktuar nga ligji, e cila merr kohë. Ndërkohë që gjithë instrumentet e brendshëm, që janë në funksion të ruajtjes së integritetit të policisë duhet të aktivizohen në maksimumin e tyre. Drejtoria e Standardeve Profesionale, SHÇBA, si dy trupat kryesore të specializuara për integritetin duhet të vihen në lëvizje të plotë me të gjitha ingranazhet e tyre në mënyrë që kushdo të kuptojë qartë që vend, hapësirë për punonjës që nuk meritojnë dinjitetin e uniformës, nuk ka.

Por nuk e kam shpresën vetëm te institucionet e specializuara, pra te DSP apo SHÇBA, por në radhë të parë, puna dhe përgjegjësia për forciumin e integritetit të strukturave është e çdo drejtuesit në Policinë e Shtetit.

Çdo drejtues, nga më i thjeshti, nga shefi i sektorit, nga drejtuesi i një poste, i një komisariati apo më lart, drejtoritë, e deri kur vijnë në qendër, janë përgjegjës për të garantuar që struktura që kanë në varësi, struktura që kanë në drejtim, strukturat për të cilat mbajnë përgjegjësi ligjore, duhet të jenë të pastra nga korrupsioni, inkriminimi, mefshtësia, letargjia. Kjo është detyrë e rëndësishme e secilit prej jush.

Kam thënë publikisht që unë identifikohem me çdo punonjës të policisë së shtetit shqiptar, si ministër i Brendshëm.

Dhe ndihem përgjegjës për çdo cedim, mossukses, dështim të punonjësve të Policisë së Shtetit, për sa kohë që jam në këtë pozicion. Por unë kërkoj nga ju që të kuptoni fort mirë, tani, në qoftë se unë ndihem përgjegjës, ju aq më tepër jeni përgjegjës personalisht, të gjithë, për gjithçka ndodh në strukturat tuaja dhe CV-ja juaj profesionale shkruhet nga shumatorja e aktivitetit të njerëzve për të cilët ju qëndroni, të cilët ju drejtoni. Ndaj në këtë kuptim kërkoj angazhim maksimal me njerëzit për t’i udhëhequr, për t’i motivuar, për t’i vlerësuar, për t’i shpërblyer, për t’i mbështetur, por edhe për t’i ndëshkuar ato raste që janë gjithsesi të vogla dhe ku ndëshkimi është i nevojshëm, i dobishëm.

Sigurisht që puna e Policisë së Shtetit është një punë e jashtëzakonshme, e vlerësuar nga publiku shqiptar me nota të larta, e vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë me nota të larta, por kjo nuk është asnjë lloj mburoje dhe askush nuk mund të qendrojë, nuk mund të fshihet, nuk mund të spekulojë, nuk mund të luajë me sakrificën, angazhimin, përkushtimin e madh profesional dhe patriotik të mijëra e mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit, që qendrojnë në roje të qetësisë, sigurisë së qytetarëve, nonstop, ditën, natën, në dimër e në verë, në kufi e në qytet, në kryqëzim e në mal, pa asnjë hezitim, pa asnjë ankesë dhe pa asnjë kërkesë, por duke shërbyer me motivacion të lartë.

Por, e thashë edhe njëherë, kjo nuk mund të jetë streha e kurrkujt, asnjë individ nuk mund ta shpërdorë këtë sakrificë të jashtëzakonshme dhe këtë shërbim të jashtëzakonshëm që Policia e Shtetit bën për qytetarët shqiptarë

Dhe këtu ne na kërkohet që të distancohemi fort ndaj tyre, t’i izolojmë dhe t’i nxjerrim jashtë sado të na kushtojë kjo punë dhe kushdoqoftë dhe sidoqoftë. Unë e kam të plotë këtë besim dhe kërkoj që këtë punë ta vazhdoni me intensitet të madh, për arsye se kemi përpara angazhime shumë të rëndësishme.

Kemi përpara angazhimin e madh dhe të përditshëm që është garantimi i sigurisë publike dhe rendit, si parakusht i zhvillimit të vendit në të gjitha aspektet, por kemi edhe një objektiv madhor kombëtar që është integrimi europian i vendit, integrim i cili është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me sukseset e Policisë së Shtetit.

Në mënyrë të pazgjidhshme kapitulli 24, i cili është kapitulli që hap dhe mbyll negociatat, i pari që hapet dhe i fundit që mbyllet, është kapitulli liria, siguria, drejtësia, ku Ministria e Brendshme ka rolin lider dhe në kuadër të Ministrisë së Brendshme, Policia e Shtetit ka rolin kryesor, është kolona kryesore mbajtëse e kësaj. Dhe nëqoftëse ne do të arrijmë që t’i plotësojmë objektivat në këtë kuadër, me cilësinë e duhur, neve do të kontribuojmë shumë që procesi i negociatave, të ecë me shpejtësinë e duhur në drejtimin e duhur. Në këtë mënyrë ne kontribuojmë shumë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Në këtë frymë duhet ta konsiderojmë të gjithë angazhimin në mënyrë që t’i plotësojmë me nder ato objektiva të cilat na mbajnë ne bashkë të gjithëve në këtë drejtim që kemi.

360grade.al

Share: