Home Approccio Italo Albanese “Rrugë e gjatë për në shtëpi”, fluturimi drejt Rinasit ku u shkelën...

“Rrugë e gjatë për në shtëpi”, fluturimi drejt Rinasit ku u shkelën të drejtat e pasagjerëve

Nga Erisa Kryeziu – Citizens Channel

Mbrëmjen e së hënës rreth 150 shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës u detyruan të qëndronin në aeroportin e Zyrihut, pas anulimit të fluturimit për në tokën shqiptare.

Zvicra ishte vendi tranzit i kalimit të udhëtarëve që erdhën nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të Bashkimit Evropian.

Ata ishin të paqartë se përse u anulua fluturimi, ndërsa denoncuan mungesën e transparencës nga të dyja palët si kompania e fluturimit ashtu edhe nga ambasada shqiptare.

Alba Brojka

“Nuk është e qartë arsyeja përse është anuluar fluturimi dje, edhe nuk ka pasur transparencë nga asnjëra palë në mënyrën se si është arritur zgjidhja, sepse qoftë kompania, qoftë ambasada që është kontaktuar në mëngjes, është thënë që janë në negociata dhe në bisedime, por nuk ka pasur transparencë se ku ka çaluar puna dhe pse është dashur që qytetarët ta kalojnë natën në aeroport”, – u shpreh të martën për Citizens Channel Alba Brojka, qytetare shqiptare që po udhëtonte nga Brukseli.

Ajo rrëfen se koha e pritjes ka qenë e ndryshme për pasagjerë të ndryshëm për shkak të vendeve nga vinin.

“Persona të ndryshëm kanë qenë në pritje për kohë të ndryshme. Unë psh. që mbërrita nga Brukseli, kam pritur gati një ditë, më shumë se një ditë, duke llogaritur kohën e nisjes së avionit sot, por ka patur pasagjerë të tjerë që kanë mbërritur nga destinacione të ndryshme, nga Kanadaja, nga Amerika apo edhe nga vende të tjera të Evropës, që kanë pritur mbi 20 ose 30 orë, kështu që ka qenë mjaft i lodhshëm si udhëtim”,-shton më tej Alba.

Ndër problematiakt kryesore të hasura nga qëndrimi për 24 orë në aeroportin e Zyrihut ishte edhe prania e personave të moshuar me probleme shëndetësore si edhe prindërve me fëmijë të vegjël. Qëndrimi në ambjentet e aeroportin nuk ka qenë i lehtë, pasi nuk ju është ofruar akomodim i posacëm.

“U detyruan që të qëndronin në aeroport dhe të prisnin natën në ato kushte aspak të mira. Ishin katër familje me fëmijë, ndërkohë që dy kishin fëmijë gati dy vjec. Ndërsa persona të moshuar mund t’ju them fare mirë që ka pasur mbi dhjetë edhe tre kanë qenë në karrige me rrota”,-përfundon Alba Brojka. 

Megjithë nevojat e ndryshme për ndihmë mjekësore apo përkujdesje, pasagjerëve nuk ju është ofruar akomodim sipas rregullave që përcakton rregullorja e BE për të drejtave të pasagjerëve.

E vetmja infrastrukturë akomoduese ishte shpërndarja e disa batanijeve për të fjetur në aeroport.

Foto: Alba Brojka/ pasagjere 
Foto: Alba Brojka/pasagjere 

Cfarë përcaktojnë të drejtat e pasagjerëve ajrorë?

Për të rregulluar transportin ajror dhe të drejtat dhe detyrat e pasagjerëve ajrorë evropianë, ekziston një rregullore e Parlamentit dhe Këshillit Evropian.

Kjo rregullore synon të mbrojë pasagjerët duke vendosur rregulla për kompensimin dhe ndihmën e pasagjerëve në rast të vonesës apo anulimit të fluturimeve.

Sipas rregullores në rast anulimi të fluturimeve, pasagjerët kanë të drejtën e përkujdesjes nga kompanitë ajrore.

Sipas nenit 9, ku përcaktohet e drejta për përkujdesje, akomodimi në hotel është i detyrueshëm në rastet kur qëndrimi prej një ose disa netësh bëhet i domosdoshëm. Në këtë rast mundësohet transporti midis aeroportit dhe vendit të akomodimit. Për më tepër udhëtarëve u ofrohet falas mundësia e dy telefonatave, mesazheve apo përdorimi i faksit ose postës elektronike.

Një përkujdesje e caktuar u kushtohet edhe personave me vështirësi në lëvizje apo nevoja të veçanta. Në nenin 11 përcaktohet qartë se transportuesit ajrorë në rast të anulimit, vonesave apo zgjatjes së udhëtimit duhet të përkujdesen në mënyrë të veçantë për personat me vështirësi në lëvizje, apo për çdo person që i shoqëron ata, duke u mundësuar akomodim dhe asistencë mjekësore.

Në këtë rast, sipas intervistave të kryera mes pasagjerëve ka pasur familje me fëmijë të vegjël, në moshën dy-vjeçare si dhe të moshuar në karrige me rrota. E megjithë nevojës për përkujdesje të veçantë ata janë detyruar të qëndrojnë në aeroport pa asnjë përkujdesje shëndetësore dhe akomodimi.

Share: