Home KRYESORE Zgjedhorja/ Bylykbashi: Mazhoranca refuzon çdo lloj propozimi për…

Zgjedhorja/ Bylykbashi: Mazhoranca refuzon çdo lloj propozimi për…

Formula për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vijon të mbajë të bllokuar Reformën Zgjedhore.

Pas mbledhjes së Këshillit Politik të sotëm, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se është diskutuar për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe se opozita ka propozuar për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ të njëjtën formulë të përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Megjithatë sipas Bylykbashit mazhoranca nuk e pranoi këtë propozim pasi sipas tij ajo kërkon të emërojë vetë të gjithë anëtarët e KQZ duke u përpjekur kështu që të kapë të gjitha institucionet.

“Dua të konfirmoj në emër të opozitës, i qëndrojmë pikë për pikë të dokumentit të datës 5 qershor, në lidhje me identifikimit biometrik dhe respektojmë edhe dakordësinë për KQZ-në, për një formulë të re. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të përzgjedhjes dhe emërimit të tre trupave të KQZ-së, npërmjet një formule siç është ajo e sistemit të drejtësisë.

Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur të figurave me standarde të integritetit më të lartë profesional. Kjo formulë u kundërshtua nga mazhoranca pa asnjë arsyetim, sepse i intereson kapja e plotë e KQZ-së në të tria organet. PS do të jetë në mazhorancë në këto organe. Sot mazhoranca e bëri të qartë që refuzon çdo lloj propozimi. I dhamë kohë mazhorancës ta studiojë propozimin tonë, një propozim që garanton një proces neutral por i heq mundësinë mazhorancës që të përfitojë nga ky proces. Jemi në pritje të përgjigje të mazhorancës”. – tha Bylykbashi.

Formula e opozitës për KQZ parashikon tre faza:

a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit.

b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita.

c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.

Sipas opozitës, PD ka pranuar formulën e re të kompozimit të KQZ, por duke ruajtur garancitë aktuale mbi balancimin e KQZ, kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve dhe mbi shumicën e konsensuale për vendimmarrjet e rëndësishme. Aktualisht ligji parashikon që për disa çështje me rëndësi për zgjedhjet vendimmarrja është me shumicë të cilësuar, pra me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. PS po tenton të heqë nga ligji, garancitë që ekzistojnë prej 17 vitesh për çdo opozitë në menaxhimin e zgjedhjeve. /Opinion.al

Share: