Home KRYESORE Zgjedhorja/ Përfundon takimi i Bashës me ambasadorët

Zgjedhorja/ Përfundon takimi i Bashës me ambasadorët

Ka përfunduar takimi mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ambasadorin e BE, Luigi Soreca dhe atë britanik, Duncan Norman.

Takimi ka zgjatur rreth 70 minuta dhe është fokusuar në çështjet problematike të cilat kanë penguar arritjen e konsensusit mes palëve politike.

Ambasadorët nuk kanë preferuar të komentojnë për mediat se çfarë diskutuan me kreun e opozitës dhe çfarë kanë rënë dakord.

Ky takim vjen pasi afati i palëve politike për të përfunduar Reformën Zgjedhore brenda 31 majit dështoi.

Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha është vënë në lëvizje duke thirrur sot në mbledhje ekspertët demokratë për reformën zgjedhore.

Identifikimi biometrik, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor ishin tri pikat e nxehta, ku palët nuk arrinin që të gjenin një formulë të mirëpranuar nga të gjithë.

Partia Socialiste kërkon depolitizim të plotë të admininstratës zgjedhore por opozita nuk ka besim tek procesi dhe shpreh sheqetësimin e saj se kryeministri Rama do ta përdorë këtë si justifikim për  të vendosur militantë për të kontrolluar procesin.

Sa i përket Kolegjit Zgjedhor, opozita kërkon që rolin e tij si organ shqyrtues i ankimimit të palëve ta marrë Gjykata Kushtetuese. Në njëfarë mënyrë opozita po kërkon kështu edhe vënien në funksion sa më shpejtë të kësaj Gjykate pas 2 vitesh tashmë jashtë funksionit. PS nuk është shprehur konkretisht për këtë pikë por ka theksuar se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të kenë kaluar të gjithë vetigun. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka një sërë çështjesh me interes për të shqyrtuar pasi të vihet në funskion, ndër to edhe ligjshmëria e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Opozita e bashkuar ka deklaruar se qeveria tranzitore është kusht i padiskutueshëm dhe këmbëngul gjithashtu që identifikimin biometrik në zgjedhje të jetën në të gjithë vendin si e vetmja garanci, që sipas saj do të pengojë mbushjen e kutive të votimit. Por shumica socialiste thotë për këtë nuk ka kohë dhe garanci nga teknologjia dhe pranon kushtin të pjesshëm, pra që identifikimi biometrik të jetë vetëm në zona të caktuara.

Deri tani palët kanë arritur të gjejnë konsensus për 5 pika që lidhen me financimin e partive duke rritur financimin nga ana e shtetit dhe ulur ndjeshëm financimin nga privati, kuotën gjinore në zgjedhje ku 1 në 3 emra në lista do të jetë një grua, ndryshimi i periudhës zgjedhore, sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi. /Opinion.al

Share: