Home KRYESORE ZHAN MATIE! Nga Muçi Xhepa

ZHAN MATIE! Nga Muçi Xhepa

Skoda la pas urën e Rrogozhinës. Mëngjes. Shi balte zu të bjerë. Një pjesë e rrugës ishte e bllokuar. Qerrexhiu shponte me hosten buajt që shtyheshin me njëri-tjetrin. I largoheshin të trembur anës së xhadesë, pa anë.

  • Edhe shiu është ndryshe, – thoshte Çet Shyti në Uashington. – Atje bie shi dhe makina të bëhet zgjyrë me baltë; bie shi në Uashington, ti fiton një “free car wash – larje falas të automobilit”.
    Baltë në xhamin e përparmë. Rruga filloi të deformohej nga rrëketë mbi xham. Kleanthi, trupshkurtër, muskuloz, u zgjat jashtë dritares së shoferit. Me njërën dorë përpiqej të pastronte xhamin me leckë, me tjetrën mbahej dhe drejtonte timonin.
  • Ndale baba, zbres unë ta fshij, – tha Spiro ulur në sediljen e parë të pasagjerit.
    Kleanthi shau me zë të lartë. Një natë më parë Spiro Duni më kishte propozuar të shkonim te një miku ynë i përbashkët. Në fakt unë isha njohur prej Spiros me të.
  • Babai ka një rrugë për Berat nesër, prandaj i kërkova të na marrë me vete.
    Kishim kohë pa u takuar me mikun tonë Zhan Matie. Fundi i viteve shtatëdhjetë kishte qenë i rëndë për të gjithë ne. Unë punoja në ndërtim; hapnim me lopatë themelet e një ndërtese tek uzina e kobaltit, si në kohën e Keopsit. Dheu hidhej në tre kate deri sa dilte në sipërfaqe. Unë isha në katin e parë, pra në themel. Spiro punonte në katangë, atje ku piqej guri në fabrikën e çimentos. Bash “doktori”, shok pune i Spiros, që ne e thërrisnim doktor, sepse fare i ri mbante syze me xhama të trashë, thoshte se po i humbiste sytë prej tymit të çimentos. Ndërsa Zhanin e kishin degdisur në Berat.
    Babai i Zhanit, drejtues i lartë i një partie komuniste në Afrikë, e kishte sjellë të birin të edukohej në vendin shembull të komunizmit në botë. Zhanit nuk iu desh shumë kohë të kuptonte se ishte zënë rob në vendin më makabër të bllokut lindjes dhe duke qeshur shpesh ngatërronte fjalët.
  • Jemi “fener”, jo fanar, “fener” ne epokën e llambës elektrike.
    Zhan Matie kishte trup të gjatë, të rregullt, atlet i lindur. Filloi të luajë volejboll dhe të shquhej për cilësi të larta. Në qytet ishte i njohur nga pjesa më e madhe e të rinjve. Karakter interesant, njeriu i parë me ngjyrë në qytetin tonë. Por, si për çdo të huaj, një sy i fshehtë filloi ta ndjekë mikun e partisë në çdo hap. Nuk kaloi shumë dhe fati e ndoqi si të gjithë të huajt e tjerë. Afrikani inteligjent ra në kurthin e “hienave”. Filluan ta thërrasin në hetuesi. E akuzonin për veprime që nuk i kishte bërë.
  • Zezak, – e kërcënonte hetuesi, – ku i more bataniet?
    -Unë kam emër, – përgjigjej Zhani i lidhur dhe përpiqej të shkulte nga vendi karrigen e betonuar në dyshemenë e birucës nën dhe.
  • Shiko, po na bën dhe të zgjuarin! Pse çfarë je ti, i bardhë?
  • Unë jam Zhan Matie.
  • Zezak, këtë mësove këtu, vesin më të poshtër, vjedhjen?!
  • Ti po, jo unë!
    Hetuesi iu afrua ta godasë. Zhanit i dolën sytë nga vendi prej inatit.
  • Provo të më prekësh, do të…, – Zhani e shau.
    Hetuesi thirri policin.
  • Merre qelbësirën, fute brenda te vendi dhe jepi një mësim të mirë!
    Ato ditë diçka kishte ndodhur në konvikt. Personi që ishte përzier me aferën e batanieve ishte i lidhur me pushtetin. Zhani nuk tregonte gjë, sepse s’dinte gjë, por hetuesi vazhdonte lojën e kurdisur. Zhani duhej diskredituar se i ishin hapur sytë. Duke i bërë presion me burg, mendonin se do ta thyenin dhe do ta kthenin në bashkëpunëtor të tyre. Kur ngjaria u bë e njohur në qytet, “hienat” e morën viktimën e pafajshme dhe e dërguan në Berat. Atje Zhani zuri punë te konservimi, reparti i reçelit. Banonte në njërën nga dhomat e katit të dytë te stadiumi.
    Në Berat shiu kishte pushuar, u ndamë me Kleanthin që vazhdonte të shante Skodën pa fshirse xhamash dhe morëm rrugën drejt turizmit ri. Pranë muzeut, shtëpia dykatëshe e Kongolëve, ishte hapur një kafene e re, nga ato për drejtorë, por që frekuentoheshin edhe nga kostumgrinjtë. Vetëm disa metra ishim larguar prej derës saj, kur dëgjuam zërin me theks frëng të Zhan Maties.
  • Vëllezër ktheuni!
    U përqafuam me mall. Zhani na ftoi të hamë diçka për mëngjes. Zumë vend te tryeza pranë dritares. Lokali ishte pothuajse bosh. Karshi dy kostumgrinj na shikonin me vëmendje. Zhani i përshëndeti.
  • I shëndoshi është shefi im. Më duhen para, jam bërë “njëmijëedyqindësh”.
    Qeshte duke fërkuar mustaqet që i kishte lënë t’i vareshin anës buzëve. Spiro më ngacmoi me këmbë poshtë tryezës, ç’ka do të thoshte se duhej të iknim menjëherë. Unë u preva në fytyrë. Zhani nuk kaloi pa e vënë re. Kamarieria solli porosinë, konjak për Zhanin dhe mua, fërnet për Spiron. Pa i mbaruar gotat mirë shefi dhe ai që e shoqëronte u ngritën, u përshëndetën me Zhanin dhe u larguan. Zhani në çast porositi tre dopio. Unë kundërshtova.
  • Do të ikim, – i thashë, – babai i Spiros na pret në dalje të Beratit.
    Zhan Matie filloi të përdorë tavolinën si tambur. Lëvizjet e zhdërvjellta të duarve i shoqëronte me lëkundje të kokës. Veshi i tij absolut dhe zëri i veçantë imitonin si askush, “The Platters”, me këngën “Only You”. Vargun “… you are my destiny – ti je fati im …” e këndonte me sy të mbyllur. Anës i rridhnin lot.
  • Vëllezër, mos mendoni kurrë se Zhan Matie është bërë spiun!
    Natën vonë te dhoma e tij e mobiluar keq; dy krevatë dykatësh, një tavolinë dërrase e lyer me ngjyrë jeshile të errët, katër karrige që nuk dallohej se cila bojë kishte qenë e fundit dhe një dollap me kanate të mëdhenj, mbështetur në mur pranë derës, i riu nga Afrika, miku ynë i mirë, por armiku i partisë që e kishte marrë për ta edukuar, na foli gjatë dhe hapur për zhgënjimin që kishte pësuar në vendin “fener” të socializmit në botë.
  • Kam frikë se do të mbetem i burgosur për jetë këtu, – thoshte i pikëlluar dhe shante në frëngjisht babanë që e kishte sjellë.

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

Share: