Home KRYESORE Zyrtarë të implikuar me kultivimin e kanabisit, Lleshaj bën paralajmërimin

Zyrtarë të implikuar me kultivimin e kanabisit, Lleshaj bën paralajmërimin

Nga Dibra ku ndodhej në një takim me përfaqësues të Policisë së Shetit dhe IKMT, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është ndalur në procesin e ndërtimeve pa leje, duke deklaruar se ndaj çdo individi që kryen ndërhyrje pa leje në territor, fillon menjëherë një proces i ndjekjes penale.

“Janë bërë kompromise të mëdha në këtë vend, janë bërë ndërtime pa leje, etj., por hapësira për tolerancë tashmë është bërë zero. Nuk mund të vijohet më me asnjë cm2 hezitim apo lëshim në territor, sepse territori nuk është i yni. Ne jemi veç përdorues të përkohshëm të tij. Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda”, tha Lleshaj.

Duke folur për çështjen e kultivimit të kanabisit Lleshaj ka paralajmëruar administratorët lokalë.

“Vitin e kaluar ka pasur një numër jo të vogël zyrtarësh, që e kanë paguar shtrenjtë mungesën e përgjegjësisë, nganjëherë edhe bashkëpunimin me elementë kriminalë.

Gjej rastin t’u bëj thirrje publike gjithë administratorëve, kryepleqve, kryetarëve të njësive administrative, punonjësve të policisë dhe drejtuesve të saj që të angazhohen shumë në këto pak ditë që kanë mbetur deri në fund të këtij muaji, pasi përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që kanë kultivuar, por edhe atyre që i kanë lejuar, me dashje apo pa dashje“, tha Lleshaj./Opinion.al

Share: