Home Gjeo-Ekonomia Basha thirrje qeverisë: Plazhi është bosh. Lërini llafet dhe budallallëqet që këpusni...

Basha thirrje qeverisë: Plazhi është bosh. Lërini llafet dhe budallallëqet që këpusni nga mëngjesi deri në…

Nga Divjaka, ku ishte për të takuar e biseduar me bizneset dhe operatorët turistikë që po përjetojnë një situatë të vështirë këtë sezon, për shkak të shpërthimit të pandemisë së COVID-19, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë që të lërë propagandën, por të kthejë vëmendjen nga turizmi.

Administratori i një hoteli i shprehu Bashës shqetësimin se në biznesin e tij janë duke punuar me 50% të stafit.

“Në kohë normale janë rreth 70 të punësuar, por ndryshe nga vitet e tjera stafi këtë vit është i reduktuar thuajse me 50%, por është e pamundur që me shërbimet që ofron ky resort ta mbajmë me një staf të tillë. Problematikat e këtij viti janë shumë të mëdha, quhet një vit i zi dhe shpresojmë që ta kalojmë sa më lehtë”, u shpreh administratori i një hoteli.

Në vijim të bisedës me administratorin Basha tha se i kishte bërë përshtypje fakti se nuk kishte parë asnjë klient në lokal. Kreu i demokratëve premtoi se me ardhjen e tij në qeveri efekti që turizmi do të japë do të jetë i shumëfishtë edhe ne degë të tjera të ekonomisë

“Efekti që turizmi do të japë nesër me qeverisjen tonë është i shumëfishtë edhe ne degë të tjera të ekonomisë. Ajo që do të arrijmë është me numrin e turistëve në rritje do të rrisim degë të tjera të ekonomisë si bujqësia, përpunimi i prodhimit bujqësor e blegtoral, që do të dedikohet për një konsum shumëfish më të lartë se konsumi normal i banorëve të vendit.

Për këtë kërkohen politika reale, mbështetëse dhe jo tortura dhe kalvari i përditshëm i inspektorëve të ngjalave, të disa llojeve, që janë shtuar si kërpudhat pas shiut, të cilët me vitin e parë të qeverisjes sonë do të jenë në karantinë. Moratorium për një vit, derisa Shqipëria të ketë një kuadër normal të inspektorateve. Duke filluar nga ai tatimor, që as biznesi i vogël dhe as fermeri, as sipërmarrjet e mëdha të mos zgjohen e të ngrysen me inspektorë të dera dhe të harxhojnë gjysmën e kohës sa për burokracira e ryshfete.

Do ti japim fund konkurrencës së padrejtë. Lejeve dhe licencave që jepen kuturu, që siç paralajmërova, po vazhdojnë te jepen edhe në ditët e fundit të kësaj qeverie.

Plazhi i Divjakës është bosh, Plazhet tona nuk duhet të jenë bosh. Ne do të bëjmë gjithçka të stabilizojmë gjendjen sot. Nuk kam ndonjë shpresë të madhe në korrigjimin e kësaj qeverie në ikje, por do bëj gjithçka që kam në pushtetin tim për sensibilizim. Ti lënë llafet, shfaqet propagandën, budallallëqet që këpusin nga mëngjesi deri në darkë dhe të ndalin dorën me dhënien e tenderave dhe licencave korruptive dhe të kthejnë vëmendjen në këtë plazh bosh, që është një bukuri që vret”, deklaroi Basha.

Share: