Home KRYESORE Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk kalon vetting-un

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk kalon vetting-un

Shpresa Beçaj ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, nuk ka arritur të kalojë në raundin e parë të vettingut në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit.

Përballja e gjyqtares së Apelit, Shpresa Beçaj, me komisionerët e vetingut nuk i ngjau asnjë përballjeje tjetër që nga nisja e procesit të pastrimit të drejtësisë më shumë se dy vite më parë.

Komisionerët e vetingut nuk relatuan asnjë të dhënë për pasurinë, figurën apo profesionalizmin e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë. Sipas gjyqtarëve të KPK, Shpresa Beçaj nuk kishte dorëzuar asnjë nga tre formularët e vetëdeklarimit për llogari të vetingut që çdo gjyqtar apo prokuror ka dorëzuar, as në afatin e parashikuar dhe as më pas.

Ajo nuk i kishte dorëzuar tre formularët, pasi gjatë afatit kohor të parashikuar ajo nuk ushtronte detyrën e gjyqtares.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës.

Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Me përfundimin e mandatit në vitin 2013, Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësi për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Gjykatën e Apelit u shty deri në vitin 2018./ Opinion.al

Share: