Home KRYESORE Ngjarja në Kombinat/Reagojnë Ungjillorët: Bibla e dënon vetëvrasjen

Ngjarja në Kombinat/Reagojnë Ungjillorët: Bibla e dënon vetëvrasjen

Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Ylli Doçi deklaroi se Bibla e dënon vetëvrasjen.

Në një deklaratë për mediat, ai foli për ngjarjen e rëndë në Kombinat ku u gjetën të vetëflijuara në banesë Zhaneta dhe Anisa Josifi, nënë e bijë.

Doçi u shpreh se nëse ato kanë qenë ungjillore atëherë ka dështuar besimi pasi siç tha ai, “fitorja e besimit ungjillor është që përballë cdo vështirësie ti qëndron me shpresë”.

Perëndia na do aq shumë sa dërgoi birin e tij Jezusin që të vdesë në kryq për ne, për mëkatin tonë. Që ata që besojnë tek ai të kenë faljen e mëkateve të tyre dhe shpëtimin kur të vijë vdekja për të gjithë njerëzit. Ky është besim për jetën jo për vdekjen. Pra vdekja e jezusit, ai është flijimi, është kurbani për njerëzit, që ne të jetojmë me jetën e re që ai na jep. Nëse ato vajza kanë qenë ungjillore, se mund të vish në takimet e kishës por nuk do të thotë që je besimtar. Por nëse  ato kanë qenë ungjillore atëherë unë do të arrija në këtë konkluzion: Kjo që ato kanë bërë do të ishte dështim i besimit tonë, nëse një ungjillor arrin të shkojë kundër besimit të vet sic shkojnë këto vajza duke vdekur nga uria kjo është pa kuptim për besimin tonë dhe ky është dështim. Besimi ynë  inkurajon për të qëndruar përpara vështirësive. Duhet analizuar nëse kanë patur punë këto vajza, nëse kanë patur shëndet mendor, nëse kanë patur probleme të tjera sepse njeriu vret veten për shumë arsye. Por nëse ato kanë qenë ungjillore është dështim i besimit, fitorja e besimit ungjillor është që përballë cdo vështirësie ti qëndron me shpresë. Sigurisht Bibla e dënon vetëvrasjen, perëndia na krijoi jo që të marrim jetën. Nuk ka asnjë vend në Bibël ku mund të glorifikohet vetëvrasja.”, tha Doçi.

Sekretari i Përgjithshëm i Vllazërisë Ungjillore, Ergest Biti ka deklaruar se familja Josifi ka qenë anëtare e këtij Komuniteti Fetar para 15 vitesh në Përmet, por me ardhjen e tyre në Tiranë ato kanë qenë vizitore, por jo anëtare.

“Në bazë të komunikimeve kanë qenë para 15 vitesh në Përmet, ndërsa në Tiranë mund të kenë qenë vizitore, por nuk rezultojnë si anëtare të kësaj Kishe. Kishat janë të hapura çdo ditë, marrin libra, por nuk kanë qenë si pjesë anëtare të Kishës. Unë jam pastor në Kombinat dhe nuk kam dëgjuar asnjëherë për këtë familje, madje gjatë kohës së pandemisë ne kemi vizituar disa qindra familje që i kemi të regjistruara dhe i kemi ndihmuar në mënyra të ndryshme dhe asnjë nga emrat që kemi marrë nga minibashkia dhe nuk ka rezultuar asnjëherë pjesë e Kishës Ungjillore”, u shpreh Biti. /Opinion.al

Share: