Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera SI MUND TË GARANTOHET FITORJA E OPOZITËS NË ZGJEDHJET E ARDHSHME

SI MUND TË GARANTOHET FITORJA E OPOZITËS NË ZGJEDHJET E ARDHSHME

Nga Kastriot Çipi

Sot kur Rama duket më i fuqishëm se kurrë, sepse mund të ndryshojë Kushtetutën, pa përfillur opozitën dhe qytetarët, në fakt është më i dobët se kurrë! Frika nga koalicionet është, jo vetëm prova e pakundërshtueshme, se sondazhet e kryera prej tij e nxjerrin humbës, por edhe “thembra e tij e Akilit”, pika ku opozita duhet të ngulë heshtën e saj. Mbështetja ndërkombëtare për opozitën, bazuar në Marrëveshjen e 5 qershorit është pikënisja, por nuk ka pse të jetë fundi i përpjekjes opozitare për ta dobësuar edhe më shumë Ramën, para zgjedhjeve të vitit 2021.

Nëse analizojmë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017, kuptohet qartë se Rama ka fituar 8 mandate tepër, në raport me votat e marra. Ky efekt është prodhuar nga një kombinim i tre faktorëve:

  1. Mungesa e koalicioneve
  2. Harta zgjedhore e ndarë në 12 qarqe
  3. Metoda e llogaritjes D’Hondt

Është po kaq e qartë se neutralizimi i këtyre tri faktorëve është garanci e padiskutueshme për përmbysjen e rezultatit: me të njëjtat vota si ato të vitit 2017, pas gjithë manipulimeve, shitblerjeve e vjedhjeve, me neutralizimin e këtyre tri faktorëve, opozita fiton 74 mandate dhe e nxjerr në opozitë “rilindjen” me 66 mandate.
Dhe ja se si:

  1. KOALICIONET
    Opozita nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, nëse “rilindja” ndalon koalicionet me Kushtetutë, jo vetëm sepse ka mbështetjen e të gjithë faktorit ndërkombëtar, por edhe sepse kjo është një ndalesë anti-demokratike, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.
  2. KORREKTIMI KOMBËTAR
    Deformimi i votës si pasojë e ndarjes rajonale mund të zgjidhet me dy mënyra: duke kaluar tek proporcionali kombëtar, pra me një hartë të vetme zgjedhore, ose duke shtuar korrektimin kombëtar të rezultatit, ngjashëm me korrektimin që i bëhej rezultatit të maxhoritarit në zgjedhjet deri në vitin 2005. Mjafton që 100 mandate të dalin direkt nga 12 qarqet, ndërsa 40 të tjerët të përdoren për të siguruar përputhjen sa më të mirë të votave, me numrin e mandateve, në rang kombëtar. Proporcionali i korrektuar është më i mirë se proporcionali kombëtar, pasi siguron lidhje më të mirë të zgjedhësve me të deputetët e tyre.
  3. METODA E LLOGARITJES
    Opozita duhet të refuzojë metodën aktuale D’Hondt dhe ta detyrojë “rilindjen” të zgjedhë mes Sainte Laguë ose Hare/Niemeyer. Të dyja metodat, me fare pak diferencë ndaj njëra-tjetrës, realizojnë një përkthim shumë më të ndershëm të votave në mandate, në krahasim me metodën aktuale D’Hondt.

HAPJA E PLOTË E LISTAVE
Së fundi, por jo për nga rëndësia, opozita ka rastin e artë të demaskojë demagogjinë e Ramës me listat e hapura. I gjithë opinioni publik e ka kuptuar tashmë se hapja e listave për 1/3 e kandidatëve në fakt nuk është hapje, por tallje me qytetarët që i duan listat e hapura. Refuzimi i hapjes së listave nga ana e opozitës thjesht shton kriticizmin qytetar ndaj saj, i shkakton asaj humbje votash dhe i shërben Ramës si alibi për ndryshimin e Kushtetutës. Duke pranuar hapjen e listave, opozita e çarmatos totalisht “Akilin” dhe ia zbulon në dritë të diellit “thembrën”. Opozita duhet të kërkojë që Kodi Zgjedhor të lejojë, hapjen 100% të listës!

Nga ana tjetër, hapja e listave nuk ka pse të jetë dhunë e atyre që i duan, kundër atyre që nuk i duan. Kodi Zgjedhor mund t’i japë mundësinë të gjithë atyre, që duan të votojnë me lista të mbyllura, ta bëjnë këtë lirisht. Kjo zgjidhet fare thjesht, duke e konsideruar të vlefshme votën kur zgjedhësi ka shënuar vetëm logon e partisë, por jo numrat e kandidatëve të asaj partie.

Me këto kërkesa, opozita mund të ulet e sigurt në tryezën e Këshillit Politik. As faktori ndërkombëtar dhe as opozita parlamentare madje nuk mund t’i kundërshtojnë këto kërkesa. E kështu, të gjithë bashkë mund “ta lamë Plakun në shejtnin’ e tij”.

Share: