Nga Dom Gjergji Meta
Kovidi-19 duhet marrë seriozosht, jo vetëm pse vret dhe krijon probleme shendetësore, por për pasojat që po shkakton në jetën e globit, duke filluar nga shkolla, biznesi, shëndeti mendor, marrëdhëniet ndërnjerëzore, zakonet që rregullojnë aspekte antropologjike sikurse dasmat, vdekjet dhe ngjarje të tjera familjare, familja nukleare, varfëria etj.
Nuk mund ta anashkalojmë një trajtim kompleks të kësaj situate, më e pazakonta e të paktën 80 vjetëve të fundit, pas luftës së II Botërore.
Njerëzit gjenden mes frikës dhe papërgjegjësisë, hutimit të strukturave dhe paqartësisë së komunitetit të shkencëtarëve.
Politika, fatkeqësisht e gjendur e papërgatitur, po rreh ujë në havan, sidomos në vende si Shqipëria që nuk është e përgatitur për një epidemi e jo më për një pandemi. Teoritë kospiracioniste dhe ujqërit e fitimit, që dikur i quanim spekulatorë, po bëjnë kërdinë, duke përfituar nga çdo hapësirë e dobësisë së njerëzve apo sistemeve politike dhe ekonomike.
Kjo krizë përfshiu edhe religjionet. Janë epike pamjet me Papa Françeskun i vetëm në sheshin e shën Pjetrit duke u lutur. Po ashtu pamjet e Mekës, të Tokë së shenjtë që zakonisht janë plot me njerëz njohën ndoshta pas shumë shekujsh zbrazëtinë. Kjo kohë pati ndikim në ushtrimin e kultit të komuniteteve religjioze duke kufizuar pjesmarrjen në normalitetin me të cilin ishin mësuar.
Përtej konstatimit duhet të thellohemi në domethënien e kësaj situate të pajetuar më parë së paku nga brezi ynë. Ky virus, pavarësisht nëse është krijuar në laborator apo nga natyra, na ka vënë përballë frikës së një prekje të mundshme të gjithëve. Kjo na ka nxjerrë në pah brishtësinë e natyrës tonë e në të njëjtën kohë limitin e arritjeve shkencore. Por nga ana tjetër ka ngacmuar brenda nesh edhe kuptimin e përkujdesjes për të tjerët. Si në kontrast mund të themi se po prekim me dorë natyrën shoqërore të njeriut i cili nuk mund të anashkalojë të jetuarit në bashkësi qoftë edhe duke mos u takuar me tjetrin. Më mirë të themi se ky takim duhet të ndodhë në një mënyrë tjetêr nga ajo e zakonshmja.
Në mënyrë paradoksale prekja nga virusi e bën të dukshme këtë natyrë sociale të njeriut. Jemi të lidhur me njëri-tjetrin edhe në aspektin e përçimit të së keqes. Gjithë sfida është si ta kthejmë, ta shndërrojmë këtë përçim në një zinxhir solidariteti, në mënyrë që askush të mos mbetet vetëm. Karantinat e domosdoshme të mos kthehen në prerje relacionesh, por në forcimin e tyre. Është rasti kur frika mundet me kujdes dhe përkushtim ndaj të tjerëve. Zinxhiri i prekjeve nga virusi, duke u interesuar për njëri-tjetrin, mund të kthehet në një zinxhir solidariteti. Kjo do të zbusë edhe ato pasoja që listova në fillim. Kjo është lufta e mirë që duhet të bëjmë pa u kursyer në mënyrë që t’ia dalim të gjithë bashkë.
ZOTI QOFTË ME NE!
- Dom Gjergj Meta