Home KRYESORE Rritja e rasteve/ Rama: Nuk do të ketë më mbyllje dhe izolime

Rritja e rasteve/ Rama: Nuk do të ketë më mbyllje dhe izolime

Kryeministri Edi Rama premtoi një rritje të konsiderueshme pagash për të gjithë mjekët dhe infermierët, që prej muajsh po përballeN me koronavirusin, në vijën e parë të betejës.

Gjatë një takimi me mjekët e Spitalit Infektiv, ku trajtohen të infektuar me Covid-19, kryeministri deklaroi se nuk flitet për një rritje page me 5 apo 7%, por duke filluar nga viti i ri 2021, do të ketë një rritje të konsiderueshme pagash.

“Po përgatitemi për një rritje masive të shtrirjes së pagave. Duam që të  realizojmë një rritje page që të jetë shumë e konsiderueshme. Ne po bëjmë kalkulimet për të finalizuar shumën, por ne duam që në aspekt të pagës përtej bonusit që ju si në vijën e parë të 1 000 Eurove, po flasim për gjithë mjekët dhe infermierët në gjithë Shqipërinë. Të jemi në një nivel në mesataren e lartë të rajonit. Nuk po flasim për një rritje që parashikohet sot shumë larg në kohë, por për një rritje që ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt qysh në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Sa i përket pandemisë, kryeministri deklaroi se nuk mund të zgjidhet më mbyllja për shkak të pasojave që sjell në ekonomi.

“Nuk zgjedhim dot mbylljen në mënyrë të vazhdueshme sepse sjell dëme në aspekte të tjera. Kemi tani këtë sfidë të madhe të hapjes së shkollave. Fëmijët janë më pak të riskuar, por jo të imunizuar. Plus që fëmijët janë transmetues. Ne kemi çunin që do shkojë në klasë të parë. Një fëmijë me maskë, mos u përqafo, rri larg vendoset në një situatë që është komplet e panjohur në pikëpamjen e pasojave dhe zakoneve që krijon”, tha Rama.

Po ashtu, Rama deklaroi se Shqipëria nuk do të futet më në karantinë pavarësisht shifrave të të infektuarve.

“Kemi një sfidë të madhe publike, kjo nuk është një betejë që zhvillohet vetëm në spital, por cdo ditë, ku cdo kush duhet të bëjë rolin e tij, ndërkohë që virusi, ju e keni thënë, nuk ka ardhur për të ikur për 4 muaj, por është këtu për një periudhë që nuk dihet sa do të zgjasë, duhet të mësohemi me këtë dinamikë të re. Nuk mund të zgjedhim mbylljen dhe izolimin si opsion të vazhdueshëm, pasi sjell dëme dhe shkatërrime të një natyre tjetër, që kanë kosto në aspektin ekonomik, por edhe psikologjik” tha Rama./Opinion.al

Share: