Home KRYESORE Zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 në Mal të Zi – “Koha është...

Zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 në Mal të Zi – “Koha është tani”

Nga Anton Lulgjuraj

Zgjedhjet e gushtit po afrohen, por uroj që puna mos të jetë ngushtë. Si gjithëherë dy lista me subjekte shqiptare, që kurrë për shqiptarët nuk u bënë bashkë.

Megjithatë, u formua një koalicion që sondazhet e nxjerrin fitues me një deputet – koalicioni “Koha është tani” i udhëhequr nga z. Nik Gjeloshaj dhe Genc Nimanbegu.
Për herë të parë, përfaqësues të lartë nga Tirana zyrtare janë të “njëanshëm” duke mbështetur njërin grupacion politik e duke mbyllur sy e veshë për grupacionin tjetër të udhëhequr nga z. Mehmet Zenka dhe Fatmir Gjeka.

Forumi Demokratik për Integrim në vitin 2017, por edhe më përpara, ka kërkuar nga Tirana zyrtare që nëse nuk arrihet deri tek bashkimi i subjekteve të ashtuquajtura shqiptare, shkaktarët e përçarjes të mbajnë përgjegjësi dhe t’u mbyllet çdo shteg dhe derë. Tirana zyrtare filloi ofansiven e vetë pas përpjekjesh të tëra.

Por, pyetja që shtrohet është: a duhet mbështetur koalicioni me numër 10 që mban moton “Koha është tani”?

Komuna e Tuzit me udhëheqjen e vetë, është më mirë se dje dhe shpresojmë që nesër të jetë më mirë se sot. Ka shumë të meta, pafundësisht shumë, por ka më pak se dje.

Me 3 mars 2019, kur fitoi koaliconi i përbërë nga subjektet shqiptare në Komunën e Tuzit, de facto i tregoi pushtetit qëndrorë se ne dijmë dhe mund të qeverisim veten. Këtë e vërtetoi edhe vizita dhe deklarata e Presidentit të Shtetit në Tuz gjatë kohës së pandemisë, kur vendi ishte i izoluar plotësisht.

Komuna e Tuzit në krye me Kryetarin Gjeloshaj, ka filluar implementimin e disa projekteve për bashkësinë tonë, çka tregon shenja pozitive për të ardhmen e këtij vendi.
Po në gjithë këtë histori, çfarë duhet të dijmë? Ne nuk duhet të bëjmë hapa pa ditur se ku do përfundojmë, as nuk duhet të vazhdojmë rrugën pa patur objektiv të qartë.

Çfarë kërkon votuesi në vendin tim?

Kërkon vendosmëri, vizion, guxim, dinjitet, zotësi, përgatitje profesionale, vepra konkrete etj.

Atëherë çfarë duhet të bëjë kandidati për deputet dhe cilat çështje duhet të diskutohen publikisht? Le ta quajmë sfidë.

Kandidati duhet të tregojë vetëm sinqeritet para votuesëve të vet, kurse çështjet për të cilat pret votuesi të dëgjojë, ndër më kryesorët janë:

  1. Territori i Komunës së Tuzit: ende i padefinuar. Ende pezull. Si mund të kemi shtëpi e mos të dijmë se ku e kemi oborrin dhe pjesëtarët e familjes sonë? Deputeti i ardhshëm duhet të këtë objektiv kryesor këtë çështje tepër të ndjeshme dhe po aq të rëndësishme që ti jape drejtimin e duhur. Koha është tani;
  2. Plantacionet (vreshtaria): një problem ende i pazgjidhur, por një potencial i jashtëzakonshëm për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e Komunës së Tuzit. Kush e tjetërsoi pronën e Komunës sonë? Cili ishte qëllimi? Pse u bë? Janë pyetje që kandidati ynë do duhej të diskutonte dhe njëkohësisht të ngritej një grup ekspertësh që të fillojë procedura gjyqësore për çështjen e plantacioneve sepse mbi 70% e tyre janë në territor të Komunës së Tuzit. Kjo është sfidë për kandidatin. Këtë pret qytetari të degjojë;
  3. Çështja e “Deponisë” (mbetjeve): ende çështje e pazgjidhur. Ka ndërmarrje dhe grupe interesi që kanë shfaqur interes për të sjellë mbetje për riciklim nga vendet e BE-së në “Deponi” që është në territor të Komunës së Tuzit. Ekzistojnë plane për investime kapitale nga Qeveria me vlerë deri në gjysmë miliardë euro. Grupe interesi janë në gjëndje të paguajnë 20 euro për 1 ton mbetje. Prandaj, është i domosdoshëm elaborati për fizibilitetin e “Deponisë”. Ky duhet të jetë kusht sine qua non në bisedimi për formimin e qeverisë së ardhshme;
  4. Zhvillimi infrastruktural dhe bujqësor: të paktën 2 projekte kapitale në vit duhet kërkuar që të investohen nga Qeveria në të gjitha komunat shqiptare në Mal të Zi. Pa infrastrukturë, nuk mund të kemi zhvillim ekonomik dhe bujqësorë. Komuna e Tuzit varet në masë të madhe nga prodhimet bujqësore. Kështu që kandidati duhet të shpalosë planin para qytetarëve për vizionin që ka për grumbullimin, ambalazhimin, ruajtjen dhe transportimin e produkteve bujqësore në vendet e rajonit dhe BE-së.
  5. Diaspora, e drejta e votës dhe investimet në vendlindje: 2/3 e shqiptarëve në Mal të Zi jetojnë në Diasporë. Një përqindje shumë e vogël e tyre ka të drejtën e votës në Mal të Zi. Deputeti shqiptar duhet të vendosë kushte për të filluar procedurat e rregjistrimit të diasporës sonë, pajisjes së tyre me dokumentacionin përkatës dhe të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar sikurse e kanë shumica e shteteve demokratike të botës. Sigurisht që është e tepërt të diskutohet edhe potenciali i tyre për të investuar në atdhe. Prandaj, duhet të zhduken të gjitha burokracitë që mund të krijojnë pëngesa ose zvarritje për të investuar diaspora jonë në atdhe;
  6. Punësimi: kandidati për deputet duhet të shpalosë në platformën e vetë edhe vizionin që ka për të punësuar shqiptarët në Mal të Zi. I njëjti kurs dhe i njëjti diskriminim vazhdon për shqiptarët, sidomos në dy pushtete shtetërore: atë ekzekutiv (ku merren vendimet e mëdha, shqiptarët nuk figurojnë fare), do të thotë që shqiptarët nuk ndikojnë tek përthithja e fondeve për investime kapitale si dhe në atë gjyqësor ku ende nuk ka gjyqtarë shqiptar ose prokuror në nivele të larta të prokurorisë. Shqiptarët në Mal të Zi duhet të jetë proporcionalisht të punësuar;
  7. Identiteti dhe kultura: nëse nuk mësojmë nga historia jonë, rrezikojmë të përsërisim të njëjtat gabime që kanë bërë paraardhësit tanë. Unë besoj se kandidati për deputet ose deputeti i ardhshëm, ka vizion për të ndërtuar një biblotekë qëndrore në Tuz; themelimin e një ansambli që do të paguhet nga fondet shtetërore për kulturë dhe Këshilli Kombëtarë i cili do të përfshijë brenda folklorin dhe traditën e vjetër të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi. Shpalljen e javës së kulturës shqiptare në të gjitha komunat me shumicë shqiptare në Mal të Zi. Kërkesën në Parlamentin e Malit të Zi që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Mal të Zi;
    Ky duhet të jetë vizioni i një kandidati për deputet që vjen nga subjektet e ashtuquajtura shqiptare. Nuk mund të flasim me deklarata e propaganda politike duke luajtur me ndjenjat e votuesëve, por të jemi konkret që në fund votuesi të votojë numrin 10. Ti japim edhe një mundësi koalicionit me numër 10 që të marrë mandate në Parlamentin e Malit të Zi. Dhe gabojnë rëndë ata që barazojnë koalicionet dhe votën. Nuk mund të jetë kurrë vota si për numrin 7 si për numrin 10. Po të ishte njësoj, do ekzistonte vetëm një listë shqiptare. Për derisa janë ndarë, ata nuk mund të jenë kurrë të njëjtë dhe aq më pak të jenë njësoj.
    U bëj thirrje të gjithë atyre personave me të drejtë vote që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Votoni që zëri juaj të dëgjohet.

Me respekt
Anton Lulgjuraj

Share: