Home KRYESORE Ja historia jonë thjeshtësisht…

Ja historia jonë thjeshtësisht…

Nga Ardian Ndreca

Në vitin 1920 Shqipnia lindi për së dyti.
Me 13 qershor Avni Rustemi vrau në Paris anmikun ma të madh të integritetit territorial të vendit.

Komisioni i Luftës me Qazim Koculit e Qazim Kokoshin përzuni italianët në luftën e Vlorës.

Elez Isufi sulmoi dhe nxori jashtë serbët në zonën e Dibrës.

Ahmet Zogu me Xhemal beg Bushatin, Sulço beg Bushatin, Maliq Sokolin zmbrapsën jugosllavët në Luftën e Koplikut.

Hasan Prishtina e Bajram Curri nxitën me forcë lëvizjen në Kosovë.

Në të gjitha frontet shpëtoi tanësia e kufijve të Shqipnisë.

Me 9 nandor 1920 Konferenca e Ambasadorëve i njohti Shqipnisë kufijt e vitit 1913, me 17 nandor 1920 vendi ynë u ba antar i Lidhjes së Kombeve.

Në Shkodër s’u kujtue kush për Luftën e Koplikun, as në Dibër për atë të Elez Isufit me shokë. Fatmirsisht u kujtuen për Luftën e Vlorës. Por, ka ardhë koha me i ikë do interpretimeve që metodologjia historike marksiste rranjosi me dekada, roli i masave në luftë dhe heshtja ndaj të gjithë atyne që ma vonë nuk u rreshtuen me komunistat.

Lufta e Vlorës ka qenë e mirëorganizueme, ka pasë nji Komision Lufte, kryetarë çetash, pse ndryshe nuk do të kishin mbërrijtë me mposhtë nji ushtri me trupa elitare, siç ishin arditët.

Asht e padrejtë me vijue mos me përmendë edhe sot emnat e Qazim Koculit, Qazim Kokoshit, Hasan Hysos, Selman Hysenit, Hamit Selmanit, Duro Shaskës, Hysni Shehut, Osman Haxhiut, Sali Muratit, Shero Eminit, Ahmet Lepenicës, Said Toptanit etj. Ajo luftë nuk asht fitue me akte trimnije individuale por me organizim dhe strategji ushtarake.

E kur bahet fjalë me kujtue njerzit e thjeshtë, ushtarët e panjohun të asaj lufte më pëlqen me kujtue nji djalosh për të cilin shkruen Ago Agaj në kujtimet e tija:

“Në rrëzë të një ulliri të vjetër u përpoqëm me një burrë të panjohur, pas veshjes i Mesaplikas, i cili i plagosur në gjoks kërrusej e drejtohej herë pas here nga dhëmbjet po zë nuk nxirte. Vrapuam pranë tij por s’kish mundësi t’a ndihmonim as neve as mjeku më i math i botës.

-Mbahu or mik se kështu e kanë burrat dhe hidhe mendjen te Zoti – i tha Resuli. Na shikoi të dyve qetësisht në sy dhe na tha: “Im gjysh e im atë po kështu kanë vdekur, po lanë djem pas vetiu. Une s’lë njeri pas.”

Dhe pasi u mbloth e u ç’mbloth dy tri herë filloi prapë: “Punë e madhe, le të rrojë Shqipëria”.

U trondit dhe njëherë tërë trupi, u pështet mirë për ulliri dhe dorëzoi shpirtin e tij trim”.

Share: