Home KRYESORE Programi i të djathtës pasuron edhe më shumë më të pasurit shqiptarë

Programi i të djathtës pasuron edhe më shumë më të pasurit shqiptarë

Nga Irena Beqiraj

“E thënë ndryshe në luftën e tyre pa kompromis me oligarkinë, të djathtët me anë të uljes së tatim-fitimit në 9%, do të dorovisin një nga 23,244 bizneset e mëdha mesatarisht me  193 mijë lekë në vit dhe 1 nga 200 më të mëdhenjtë mesatarisht me 28.4 milionë lekë në vit”.

Batica e uljes së tatimit

Por analiza nxjerr në pah një fakt edhe më interesant. Batica e uljes së tatimit, nëse ndodh,  do të shkatërrojë anijet e vogla, në konkurrencë me 200 më të mëdhenjtë. Tatim-fitimi që parashikohet të paguajnë 200 më të mëdhenjtë pas uljes së taksës nuk e kalon 0,5% të xhiros. Pra, 200 më të mëdhenjtë̈ do të paguajnë në buxhetin e shtetit po aq sa do të paguante një biznes i vogël ”në programin Basha” 0,5% të xhiros vjetore.

Premtimi për uljen e tatim-fitimit justifikohen me pretendimet se norma aktuale i bën bizneset shqiptare “më pak konkurruese” në ekonominë globale. Në pamje të parë mund të duket e besueshme, që ulja e normës së tatimit nga 15% në 9% do t’i bëjë ato “më konkurruese”, por a ka ndonjë lexues me njohuri bazike në ekonomi, i cili pranon që 96% e biznesit do të bëhen më konkurrues në tregjet globale sepse qeveria do t’ju vendosë në dispozicion mesatarisht me 193 mijë lekë në vit, me anë të uljes së tatimit?

Edhe pse trumpetojnë që me anë të uljes së taksave, do të gjenerojnë punësim  ulja e tatim-fitimit renditet e fundit si një lehtësi që gjeneron punësimin. Studimet tregojnë që rreth 75% e saj shkon në rritjen e pasurisë së aksionerëve dhe 25% e saj financon zgjerimin e mëtejshëm  të kompanisë, ku futet edhe punësimi.

Për më tepër ulja e tatim-fitimit nuk do të ndikonte aspak tek rritja e produktivitetit, për arsyen e thjeshtë se ekomomia shqiptare nuk është në kushtet e punësimit të plotë.

Pra ulja e tatim-fitimit jo vetëm rishpërndan të ardhurat pas tatimit në mënyrë regresive, por ka kohë që ka pushuar së qeni “Leva e dëshiruar e Arkimedit” me anë të të cilës mund të ngremë̈ ekonominë.

Efekti tek individët

Po kaq regresive do të jetë rishpërndaja e përfitimeve të uljes së tatimit mbi të ardhurat nga individët. 8.46 miliardë lekë në vit do t’i mungojnë̈buxhetit të shtetit nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale. Rreth 60,4% ose 5.11 miliardë e kësaj shume do të përfitohet vetëm nga  5.3% e të punësuarve me rroga të larta (ato mbi 130,000). Ndërkohë 47.7% (284 mijë) të punësuar me paga të ulëta ( më pak 30 mijë lekë) nuk do të kenë asnjë përfitim nga ulja e taksës.

Këto të dhëna tregojnë që buxheti i shtetit do të humbasë rreth 21,3 miliardë lekë ose 175 milionë euro çdo vit vetëm nga aplikimi i taksës 9%.
Rreth 175 milionë euro në vit, të cilat po të mirëmenaxhohen, mund të siguronin arsim më të mirë  publik i cili është i nevojshëm pikërisht për 95% të shqiptarëve me të ardhura nën 130,000, të cilët edhe me uljen e tatimit nuk mund ta blejnë atë privatisht, mund të siguronin  shërbim më të mirë shëndetësor publik që po ashtu është e pamundur të blihet privatisht nga 95 % e shqiptarëve, mund të siguronim pensione më të larta,  por mund të shërbenin  edhe si një amortizator më shumë për shëndetin e dobët fiskal të shtetit pas pandemisë.
Deficiti buxhetor, i cili i ka kaluar shifrën e 5% është një kërcëmin real për rritjen ekonomike. Por jo të djathtët, pa hezitim, në konkurrencën absurde me gabimet e të majtës, e cila ka kohë që ka rrëshqitur djathtas, luajnë me varfërinë, mbështeten tek mungesa e informacionit për publikun dhe pretendojnë që do të rrisin mirëqënien e shqiptarëve, duke lënë më shumë para në duart e 1% të bizneseve dhe 5% të punësuarve me paga të larta. Është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë që do të ketë̈ më shumë mundësi të blejnë arsim më të mirë për fëmijët e tyre, shërbim shëndetësor më të mirë, makina, shtëpi, e padyshim edhe verë më të mirë.
Kjo është lufta imagjinare pa kompromis me oligarkinë, por që siç thotë Warren Buffet fitohet gjithmonë nga oligarkia.

Share: