Home KRYESORE Shoqëria civile Kuvendit: Hiqni dorë nga projektligji antishpifje

Shoqëria civile Kuvendit: Hiqni dorë nga projektligji antishpifje

Pesëmbëdhjetë organizata shqiptare të Shoqërisë Civile janë informuar në rrugë jozyrtare për një përpjekje nga ana e shumicës parlamentare të Partisë Socialiste për të çuar përpara, në mënyrë jokorrekte dhe jotransparente projektligjin e shumëdebatuar për mediat online, duke mos respektuar në tërësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe duke anashkaluar disa nga vërejtjet më të rëndësishme të këtij opinioni.
Organizatat janë informuar se Kuvendi i Shqipërisë ka në plan të shqyrtojë dekretin e Presidentit Meta për rikthim të ligjit për rishqyrtim dhe në bazë të nenit 86 të rregullores, të trajtojë vetëm ato pika për të cilat Presidenti ka pasur vërejtje.

Organizatat vërejnë se kjo është mënyra e gabuar e trajtimit të problemit dhe nuk adreson shqetësimin kryesor të ngritur nga Opinioni i Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të pranojë dekretin e Presidentit dhe të rinisë procesin nga e para në mënyrë që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret vetëm pasi të jemi siguruar për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.

Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.

Komisioni i Venecias, në opinionin e vet në pikën 71 shkruhet: [Komisioni] këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA në fushën e medias online pa një fuqizim korrespondues të pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.”

Organizatat vërejnë se pavarësia dhe profesionalizmi i këtij Institucioni të pavarur (AMA) që Venecia rekomandon, nuk garantohet me korrektime në legjislacion, aq më tepër në kushte të urgjencës/shpejtësisë, por kërkon një debat të mirëfilltë që më së pari duhet te vijë si nismë e vetë gazetarëve profesionistë dhe jo e ekzekutivit/parlamentit.

Organizatat rikujtojnë gjithashtu se në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetërregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias.

Për sa më sipër, organizatat kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të mos vijojë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh me kushtetutën dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Organizatat shprehin gatishmërinë të ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë në trajtimin e shqetësimeve të ngritura më herët.

Lista e organizatave nënshkruese:
BIRN Albania
Civil Rights Defenders
Citizens Channel
Faktoje
Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut
Këshilli Shqiptar i Medias
Komiteti shqiptar i Helsinkit
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
New Media Network
Qendra Res Publica
Qendra Shqiptare MediaLook
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Share: