Home KRYESORE Të gjithë shqiptarët janë UÇK

Të gjithë shqiptarët janë UÇK

Nga Azgan Haklaj

Bastisja e zyrave të veteranëve të UÇK- së në mes të Prishtinës dhe arrestimi i krerëve të kësaj organizate nga Eulexs ngjalli me të drejtë zemërimin, jo vetëm të luftëtarëve e veteranëve që luftuan për lirinë e popullit të tyre kundër ushtrisë e çetnikëve të kasapit të Ballkanit Millosheviç, por edhe të opinionit publik në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, ku shqiptarët jetojnë në trojet e tyre etnike dhe në Diasporë.

Veprimi i njëanshëm i Eulexs- it është jo vetëm flagrant e i papranueshëm në aspektin juridik dhe atë diplomatik përballë faktit se Kosova është një shtet i lirë dhe sovran, por përtej këtij aspekti arrestimi i drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës që simbolizojnë emblemen e shenjtë të UÇK- së dhe kauzën e saj për liri përbën një akt të pa precedent të fyerjes së dinjitetit të një kombi, sepse shqiponja është simboli i tyre i lirisë dhe nuk mund të dhunohet e të prangoset nga askush, qoftë edhe policia ndërkombëtare me emrin Eulexs, e cila e ka kryer tashmë misionin për të cilin është stacionuar në Kosovë, që me shpalljen e pavarësisë së saj.

Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare janë stacionuar prej një shekulli në vende të ndryshme të botës nën Emblemën e Ligës së Kombeve fillimisht, e atë të OKB- së pas Luftës së Dytë Botërore.

Konflikti i përgjakshm serbo- boshnjak’ dhe masakra e Serbrenicës ku u vranë barbarisht qindramijëra civilë të pafajshëm nga esesët e Millosheviçit e çetnikët e Mlladiçit e Arkanit është një turp për Europën e civilizuar e diplomacinë ndërkombëtare.

Kosova, e cila ka përjetuar prej një shekulli dhunën barbare serbe, operacione shfarosëse e spastrime etnike, në periudhën e Jugosllavisë Mbretërore e asaj Titiste e kishte më se të qartë për të e për popullin e saj kishte ardhur ora e të vertetës historike.

Me Flamurin Kuqezi, atë flamur ngadhënjimtar, që në betejat homerike me barbarët otomanë simbolizonte lirinë e vetë Europës.

Me parullën ja vdekje – ja liri djemtë dhe vajzat trima e trimnesha të Kosovës u rreshtuan në radhët e ushtrisë së tyre çlirimtare dhe u hodhën në zjarrin e betejës çlirimtare.

Dihet tashmë fundi i kësaj lufte, fati i Millosheviçit dhe i ëndrrës së tij për Serbinë e Madhe.

Në luftën e saj të drejtë e të shenjtë për liri UÇK- ja pati aleat Naton, paktin ushtarak e politik më të fuqishm të historisë, i krijuar pikërisht për t’u prerë duart agresorëve fashistë si Millosheviçi dhe për të mbrojtur lirinë e sovranitetin e demokratëve e të ardhmen e kombeve të lira.

UÇK- ja luftoj për lirinë e popullit të saj, e njëherësh edhe për lirinë e Europës, sepse kontinenti i vjetër nuk mund të ishte kurrë i lirë, kur në zemër të tij masakrohej një popull i lashtë e fisnik, pasardhës i pellazgo- ilirëve, të cilët janë themelues të qytetërimit perëndimorë, bashkëthemelues të krishtërimit dhe trashëgimtar dhe bartës të vlerave themelore të shoqërisë njerëzore, si paqja, solidariteti, toleranca fetare e humanizmi.

Hitleri i vogël i Ballkanit Sllobodan Millosheviçi qysh në vitin 1989 me rastin e 600- vjetorit të Betejës së Fushë Kosovës e pat shpalosur manifestin fashist serbomadh dhe urrejtjen patologjike ultranacionaliste ndaj shqiptarëve para qindra mijëra manifestuesve fanatikë serbë të mbledhur në zemër të Kosovës që ishte në fakt kërcënues edhe ndaj Europës dhe civilizimit të saj, sa ishte ndaj shqiptarëve, ndaj të cilëve kishte hartuar në prapaskenë operacionin “Patkoi” si zgjidhje të fundit ndaj problemit shqiptar, përmes spastrimit etnik e shfarosjes.

Lufta për liri është një e drejtë hyjnore dhe s’ka nevojë aspak të vuloset në asnjë kancelari, apo organizëm ndërkombëtar.
Është kjo arsyeja që djemë e UÇK- së dhe populli i Kosovës e filluan me besim tek Zoti e Atdheu luftën për liri, zgjuan ndërgjegjen e njerëzimit për t’i bërë në rrugën e tyre drejt lirisë e pavarësisë aleat të vetin vendet e Atlantikut të Veriut dhe Naton, makinerinë e luftës me të fuqishme e të përsosur që ka njohur bota.

Betejën për çlirimin e Kosovës e aleatët që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë i ka bekuar vetë Zoti.

Asnjë ushtar i vendeve të Natos nuk është vrarë përgjatë ofensivës së stuhishme ajrore të Aleancës Atlantike, duke e pagëzuar betejën që gjunjëzoj Millosheviçin e shkatërroj makinerinë e tij të luftës si “Beteja e Bardhë”. Tashmë ” Kauza” e Serbisë dhe aleatëve të saj për të delegjitimuar luftën e drejtë të UÇK-së, e për të akuzuar për krime lufte, e madje edhe për genocid drejtuesit kryesorë të saj përmes akuzash të fabrikuara nga sherbimet e tyre të fshehta e të çertifikuara nga bashkëpunëtorët e tyre që gëzojnë statusin e deshmitarit të mbrojtur e të manipuluar është një kartë e djegur dhe një strategji e pështirë dhe e diskretituar në sytë e diplomacisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare.

Komandantët e drejtuesit e UÇK- së të çdo niveli qofshin nuk i janë shmangur asnjëherë drejtësisë dhe ballafaqimit me të vertetën që nga Kryeministri Haradinaj i cili ngadhënjeu dy herë në Hagë dhe në Kolmar të Francës duke celebruar drejtësinë e luftës së UÇK-së e deri tek Presidenti Thaçi dhe udhëheqësi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut Ali Ahmeti.

Komandantët e UÇK – së kanë patur kurajon të përballën me akuzat me dinjitet e të provojnë me fakte pafajsinë e tyre e nuk ja kanë mbathur si Mlladiçi e Karaxhiçi nëpër malet e shkrepat e Serbisë.

Natyrshëm lind pyetja po Vuçiçi, Gebëlsi i Millosheviçit pse nuk thirret nën akuzë për krimet rrenqethëse në Bosnje e të llahtarëshme në Kosovë?!

Pse duhet bashkësia ndërkombëtare ta amnistojë e ta trajtojë si partner e interlekutor një kriminel luftërash ndaj disa popujve, e që duhet të mbajë përgjegjësi sa vetë Millosheviçi?!

Sulmi brutal ndaj veteranëve të UÇK-së e bastisja e zyrave të OVL- së, ndaj atyre që akoma kanë në trupin e tyre plagët e luftës për liri, të cilat Napoleoni i Madh i quante:

“Dekorata me e lartë që i jepet ushtarit” është i papranueshëm dhe i denueshëm.

UÇK-ja është e padhunueshme, ashtu siç janë veteranët simboli i gjallě i saj, i ushtrisë me të re të Europës, që me betejat homerike të saj për liri mbrojti edhe nderin e saj të nëpërkëmbur nga barbarët serbë me luftërat e përgjakshme e krimet çnjerëzore ndaj popujve të Ballkanit.

Të gjithë shqiptarët janë UÇK.
Lavdi veprës së lavdishme të UÇK-së.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e paharruar vepra e deshmorëve të Kombit.
Lavdi.

Share: