Home KRYESORE Të përndjekurit politikë janë zeri i Atdheut dhe demokracisë

Të përndjekurit politikë janë zeri i Atdheut dhe demokracisë

Ata nuk janë minoritet as pakicë, janë gardianë të lirisë. Janë kolona vertebrale e nacionalizmit shqiptar.

Nga Azgan Haklaj

S’mund të ketë liri, demokraci, shtet të së drejtës, as integrim europian pa protagonizmin e të përndjekurve politikë

Unioni Kombëtar i të përndjekurve politikë të Shqipërisë, organizata me e madhe shqiptare e njëherësh zedhënëse e qindramijëra shqiptarëve dhe familjeve patriote e nacionaliste, të cilët për gjysëm shekulli i’u nënshtruan dhunës dhe terrorit barbar komunist ka vite që vazhdon betejën demokratike e morale për të drejtat legjitime të kësaj shtrese, e cila ka një kontribut fondamental në përpjekjet e popullit shqiptar për liri, pavarësi shtetformim, e njëherësh për orientimin e Shqipërisë në krah të perëndimit dhe SHBA-së.

Gjyshërit e baballarët e qindra përfaqësuesve të tyre që protestuan dje nëpër rrugët dhe bulevardet e kryeqytetit tonë janë pinjollë të familjeve më të shquara të Kombit Shqiptar, etërit e pavarësisë kombëtare dhe arkitektët e shtetit modern shqiptar, i cili identifikohet me periudhen e Monarkisë Shqiptare në vitet 1928-1939.

Të përndjekurit politikë janë me të vertetë Legjioni i Nderit i demokracisë, patriotizmit dhe civilizimit shqiptar.

Nacionalistët shqiptarë, të cilët përfaqësohen me këtë shtresë të shoqërisë dhe liderët e tyre janë të parët që e pritën me pushkë okupatorin Italian dhe u hodhën në zjarrin e betejave për liri.

Ata janë garibaldët tanë e lavdia jonë e përjetshme sepse krahas luftës për çlirim me kuvendet e mëdha historike të Pezës, Mukjes e atij të Bujanit në Malësinë e Gjakovës hodhën themelet e bashkimit kombëtar, si një aspiratë themelore e shekullore e shqiptarëve në trojet e veta etnike në Ballkan.

Etërve të këtyre që qeverisin sot, siç thonë nga Kosova nuk ua ndjeu hiç për të drejtat legjitime, njerëzore dhe juridike të kësaj shtrese.
Ata janë përgjegjës para historisë, jo vetëm për instalimin në Shqipëri të diktaturës më të egër në Europë dhe izolimin e vendit, por përtej këtij fakti historik këta kmerë të kuq janë autor të krimeve të tmerrshme ndaj popullit të tyre, të cilët në konventat e të Drejtën Ndërkombëtare Juridike klasifikohen si krime kundër njerëzimit.

Në burgjet e gulakët e diktaturës dhe në ekspeditat ndëshkimore të drejtuar nga oficerë të zbulimit sllavë serbo- rusë janë pushkatuar pa gjygj e janë zhdukur mijëra shqiptarë.

Janë trajtuar në mënyrë çnjerezore, pa kursyer as personalitete të shquara të klerit të lartë, të formatit rilindas që vdiq në torturua, si Imzot Vinçens Prenushi, primati i Kishës Katolike Shqiptare, apo trajtimi kanibalesk i Imzot Visarion Xhuvanit, themeluesi e drejtuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në vitet e para të instalimit me dhunë e terror të diktaturës, në vitin 1947 komunistët ekzekutuan në mënyrë të pamëshirëshme grupin e deputetëve opozitarë të dalur në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, mes të cilëve Sheh Ibrahim Karbunaren, të cilit para se ta ekzekutonin ia pushkatuan para syve të birinn Hysenin.

Plumbat e shumtë ia banë gjoksin shoshë dhe kufoma e tij ra mbi atë të birit.
Skena të tilla makabre janë të denja për filmat e Hiçkokut.
Eshtrat e tyre nuk dihen as sot ku janë, nuk u gjetën kurrë.

Ky është epilogu i llahtarshëm i veprimtarit të madh të çeshtjes kombëtare, përkrahësit të fuqishëm të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë, njëri prej organizatorëve kryesorë të Kongresit të Lushnjes dhe kryetar nderi i tij, simbol i parlamentarizmit, kontribues i madh për çlirimin e Shqipërisë Sheh Ibrahim Karbunara, vetëm për faktin se e donte Shqipërinë të lirë pa komunizëm.

Me një skenar tragjikë në të njëjtin vit ekzekutuan Baba Faja Martaneshin dhe Baba Fejzon duke ia lënë autorësinë e këtij krimi të shëmtuar Dede Abazit, i cili me pas vrau vehten sipas komunisteve barbarë.

Një alibi të tillë qesharake nuk e pranon askush.
Të tre i ka vrarë dora gjakatare komuniste.
Internimi i mijëra familjeve nga veriu i Shqipërisë drejt kampeve të vdekjes së Tepelenës e zonave të tjera të jugut.

Konfiskimi i pasurisë së tyre.

Shfrytëzimi shtazarak në punë skllavëruese e të papaguar.
Vdekja e tyre në burgjet e kampet e internimit.
Mohimi i të drejtës për të patur një varr të vetin.
Të gjitha këto janë krime të shëmtuara kundër njerëzimit dhe të kujtojnë epokën e gjygjit të shtrigave të perandorive barbare të mesjetës.

Të përndjekurit politikë, këta njerëz fisnik dhe atdhetar kishin 1000 arsye të hakmerreshin kundër barbarëve që i përsekutuan, e ndaj familjeve të tyre. Por ata nuk e bënë këtë, në emër të Atdheut dhe të ardhmes sonë të përbashkët.

Monstrat e diktaturës meritonin plotësisht të viheshin para drejtësisë në një gjygj alla – Nuremberg e të përgjigjeshin për krimet kundër njerëzimit, të cilat nuk parashkruhen asnjëherë sipas konventave ndërkombëtare.

Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, e xhelatët e morën faljen nga viktimat e tyre si një akt dobësie e frike.

Nëse në kohën e diktaturës është zbatuar një politikë dhune e apartejdi ndaj kundërshtareve politikë që përfaqësohen nga kjo shtresë në periudhën 30- të vjeçare postkomuniste ka pasur një indiferencë të pafalshme nga politika, shteti dhe institucionet e tij.

Problemet e mëdha të të përndjekurve politikë, e në radhë të parë denimi shembullor i xhelatëve, dekomunistizimi e despihunizimi i politikës dhe organeve kushtetuese, të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese, arsimimi, dëmshperblimi, kthimi i pronave dhe integrimi i tyre i plotë në jetën sociale, ekonomike e politike të vendit akoma kanë mbetur në kalendat greke.

Të përsekutuarit e regjimit komunist janë kolona vertebrale e demokracisë e nacionalizmit shqiptar.

Ata janë ikona e vertetë e Shqipërisë Europiane, udhërrefyesit e rrugëtimit tonë drejt kombeve të lira të hapsirës euroatlantike.
Nuk janë racë e ulët që kërkojnë lëmoshë e privilegje nga shoqëria dhe shteti, të cilëve u kanë dhanë kaq shumë.

Nuk ka asnjë vepër të madhe të ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste që nuk ka në themel të saj mundin djersën e gjakun e tyre.
Ata janë detyruar të punojnë në kushte të rënda e çnjerëzore, njësoj si afro- amerikanët në shekullin e XVIII- të.

Ju është mohuar brutalisht e drejta e shkollimit, e përfaqësimit, e drejta e shenjtë për të patur një varr.

Qindra- mijëra familje kërkojnë edhe sot të afërmit e tyre të zhdukur nga diktatura e kasapët e saj, ndërkohë parlamenti, qeveria, institucionet e shtetit janë mbushur plot e përplot me bijtë e bijat, nipat dhe mbesat e etërve mizorë.

Në çdo vend serioz të botës shteti dhe institucionet e tij konceptohen si vazhdimësi në kohë dhe hapsirë.

Asnjë president apo kryeminister shqiptar përgjatë 30- viteve nuk u ka kërkuar falje të përndjekurve politikë në emër të institucioneve që përfaqësojë për vuajtjet dhe përsekutimin e tyre.

E pra Ati i Shenjtë Gjon Pali i Dytë pati kurajon t’u kërkonte falje amerikanëve pas 600- vitesh për sjelljen e padenjë të Kristofor Kolumbit kur zbarkoj në këtë kontinent.

Sllogani “Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” i adaptuar nga Sali Berisha, i përdorur sistematikisht gjatë këtyre tre dekadave ku u barazuan viktimat me xhelatët, ua dha mundësinë shumë prej këtyre të fundit ta kapin si oktapod demokracinë, kurse të përndjekurit politikë të mbesin përsëri të diskriminuar e të paintegruar.

Ky fenomen tragjiko- komik i demokracisë shqiptare trajtohet në mënyrë të përsosur tek filmi “Vdekja e Kalit”.

Edhe ndonjë i përndjekur që është bërë pjesë e trupës politike gjatë këtyre tre dekadave nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë fisnike të Kombit Shqiptar.

Të përndjekurit politikë në fakt janë identiteti, fytyra, shpirti, palca e Partisë Demokratike, misionares së Kombit që rrezoj diktaturën dhe institucionalizoj demokracinë, prandaj është momenti historik sot që Kryetari i saj z Lulzim Basha, i zgjedhur me një anëtar një votë të spastrojë Shtëpinë e Lirisë nga simbolet, sherbëtorët e diktaturës, mendesitë bolsheviko- sllavo- komuniste, arrivistët e Sulltan Ramës sepse ka mbështetje absolute nga të përndjekurit politikë, forcën e tyre e demonstruan dje duke sfiduar covidin 19- të nëpër bulevardet e kryeqytetit për të kërkuar një parcelë varresh simbolike për të zhdukurit në shenjë mirënjohje për sakrificën sublime të tyre për demokracinë dhe Kombin.

Edi Rama si kryetar trashëgimtar i një partie me të kaluar kriminale duhet ta bëjë urgjentisht Aktin e Faljes ndaj të përndjekurve politikë e jo të përkëdhelë e shperblejë një grusht spihunësh e t’i ndërsejë kundër tyre.

Të përsekutuarit janë e djathta reale e Shqipërisë, nisur nga prejardhja, historia e vizioni i tyre për demokracinë e shtetin e së drejtës.
Të përsekutuarit kanë në radhët e tyre figura të spikatura e me kontribute të mëdha.

Ata duhet të përfaqësohen në parlament dhe në të gjitha nivelet qeverisëse me kandidatët e propozuar vetë tek Partia Demokratike e Shqipërisë.

Diskriminimi politik është taktikë e strategji që ndjekin regjimet autoritare, neodiktatoriale në shtetet multietnike ndaj pakicave.

Të përndjekurit nuk janë minoritetet as pakicë.
Ata janë zeri i Atdheut dhe gardianë të lirisë.
Janë aleatët tuaj me të fuqishëm Zoti Basha për fitoren tuaj me dt 25 prill të vitit 2021, për rikthimin e institucionalizimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Regjimi neodiktatorial i Sulltan Ramës duhet të rrëzohet me çdo çmim.
Të përndjekurit politikë janë kryefjala dhe kallzuesi i këtij aksioni të madh kombëtar.

Me plot të drejtë duhet t’i pagëzojmë “Misionarë të Kombit”.
Koha po i thërret përsëri në skene si avangardë për përmbysjen e neodiktaturës.

Share: