Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të patur vaksinën e sigurt anti-covid. Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë Botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.
“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale la të hapur edhe kanale të tjera komunikimi dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian, për sigurimin e vaksinës në kohë.
“Është i rëndësishëm bashkëpunimi i nisur tashmë me instrumentin e COVAX, aleancën Gavi, por paralelisht dua të them se ne vazhdojmë të kemi komunikime me shtete të ndryshme të Bashkimit Europian, të cilët kanë shprehuar angazhimin që të munden të jenë edhe ata ndihmës për të mundësuar blerjen e shpejtë të vaksinës apo aksesin në vaksinë. Sigurisht të gjithë këto kanale komunikimi ne i kemi të hapura dhe do të shqyrtojmë mundësinë më të mirë nga pikëpamja e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës, për të garantuar shëndetin e popullatës kundër COVID19”, tha Manastirliu.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullësisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesen e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë se sa 20%). Shqipëria është zyrtarisht pjesë e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të Botës, ndërsa janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Europian./ Opinion.al