Nga Mentor Kikia
Në Francë dhe jo vetëm, media dhe opinioni për merren me ngjarjen e rëndë, atë të vrasjes makabre të një mësuesi, i cili kishte treguar në klasë disa karikatura të Profetit Muhamed. Padyshim që vrasjen e kanë dënuar të gjithë, përveç ekstremistëve radikalë që nuk e konsiderojnë vrasjen krim.
Ngjarja ngjalli debat edhe në Shqipëri.
Unë personalisht besoj, sipas mënyrës time, por nuk shkoj as në kishë as në xhami, sepse mendoj se as hoxha dhe as prifti nuk janë të dërguarit e Zotit, por ca nëpunës të institucioneve fetare. E thashë këtë për tu zhveshuar nga çdo njëanshmëri në gjykim. Për këtë arsye unë mendoj se luftrat, vrasjet, grindjet dhe konfliktet në emër të fesë janë një idjotësi. Por njerëzimi ky është, nuk e ndryshojmë dot, por vetëm duhet ta menaxhojmë “bombën” që mund të shkaktojë feja.
Në këtë këndvështrim, pasi të dënojmë me gjithë forcë krimet, ne edhe duhet të pyesim: Po media, përse dreqin i fryn këtij zjarri? Të bësh një karikaturë të Muhamedit, ç’lidhje ka kjo me lirinë e medias? Çfarë dobie ka kjo për publikun, mbi të gjitha? Media e kërkon lirinë e saj, së pari, kur ia cënon pushteti, opozitë e të cilit duhet të jetë. Po mësuesi ç’dreqin do që në orën e gjeografisë u tregon nxënësve karikaturat e Muhamedit?
Edhe kjo në emër të Lirisë? Të kujt lirie? Çfarë lidhjeje ka kjo me shkollën? Pasi, në Francë njerëzit dolën në protesta duke thënë se “shkolla jonë nuk dorëzohet”. Kujt nuk i dorëzohet? Cili është armiku?
A mos vallë armiku është media dhe individi që kërkojnë patjetër sensacion dhe audiencë, duke e gjetur atë edhe në gjërat më banale siç është një karikaturë, por që bën zhurmë dhe dëme sa një bombë atomike? Dhe e bëjnë këtë, me vetëdijen e plotë për pasojat. Dhe kur bomba shpërthen, fshihet pas lirisë.
Shoqëria franceze është e mbushur me probleme, së e gjithë Europa bashkë, për shkak të multikulturalizmit, një kosto që po e merr për shkak të pranisë së shtetasve nga vendet që Franca i ka shfrytëzuar e shfrytëzon si koloni.
Media ka plot probleme që mund të trajtojë, pa e trazuar këtë kazan që zjen e shpërthen herë pas here, edhe për një karikaturë.