Home Gjeo-Ekonomia Këmbanat Bien që Ti Dëgjojnë të Gjithë!

Këmbanat Bien që Ti Dëgjojnë të Gjithë!

Nga Genc Mlloja

Mirëqënia e një populli dhe në përgjithësi të drejtat e tij njerëzore aq më shumë të atij në Kinë ku jeton e punon rreth një e pesta e popullsisë së botës nuk mund të jenë çështje fushate për tu realizuar. Vetëm një politikë dhe programe me objektiva të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë u hapin rrugë kapërcimit të vështirësive të zhvillimit të gjithanshëm por edhe të situatave të jashtëzakonshme sikurse është rasti i pandemisë kovidiane që ka pllakosur tragjikisht mbarë botën.

Të kritikosh një vend e të anatemosh politikën e tij lidhur me këtë aspekt jetik shoqëror janë gjëra delikate dhe kërkojnë përgjegjësi sepse çdo gjë duhet të mbështetet në rradhë të parë në vërtetësi, objektivitet dhe madje dashamirësi bashkëpunuese, që do tu shërbenin vendeve të veçanta por edhe mbarë botës për të rritur zhvillimin e mirëqënien e popujve dhe forcuar paqën e sigurinë ndërkombëtare larg krijimit të konflikteve të reja të ‘ftohta’ apo të ‘nxehta’, ‘raciale’ apo të ‘brezave’.

Mungesa e një fryme dhe vullneti të tillë bashkëpunues dhe përdorimi i kësaj karte të vjetër për luftë politike nuk i shërben askujt, jo vetëm vendit që anatemohet por më tepër është në dëm të vetë protagonistëve të saj sepse sot bota është bërë aq e vogël nga zhvillimi i tekniko-shkencor, shkëmbimet e dyanëshme dhe shumëpalëshe mediatike, veprimtaria e organizatave të shumta ndërkombëtare etj. që e tregojnë realitetin si në pëllëmbë të dorës.

Në këtë kuadër duket e vjetëruar dhe tym në erë përpjekja e vendeve perëndimore, kryesisht nëpërmjet një numri OJQ-së, e vazhdimit të avazit të vjetër të sulmeve kundër Kinës në fushën e të drejtave të njeriut herë në një aspekt e herë në një tjetër. Këto kohë bateritë janë përqëndruar mbi Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, dhe vërehet se në krye të saj është shefi i diplomacisë amerikane Mike Pompeo.

Mirëpo krahas realitetit të palëkundshëm në ato pjesë të Kinës disa zhvillime të fundit kanë qënë interesante për të përforcuar si është e vërteta lidhur me të drejtat e njeriut, dhe bien në sy dy ngjarje: zgjedhja e Kinës anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së (UNHRC) për një mandat tre-vjecar (2021-2023) nga Asamblea e Përgjithshmë e OKB-së, si dhe vizita e përfaqësuesve diplomatikë të 20 vende arabe dhe Lidhjes Arabe në Xinjiang nga 19 deri më 22 tetor të këtij viti.

Por mbi të gjitha ajo që po vlerësohet tashmë mbarë botërisht jo vetëm në kancelari diplomatike dhe organizata ndërkombëtare është puna e Kinës në luftën kundër pandemisë coronavirus çka përbën shëmbullin më të mirë për të treguar se të drejtën njerëzore për kujdes shëndetësor, për të jetuar, mbrojtjen e popullit të saj autoritetet e këtij vendi e kanë numër një jo me fjalë por me vepra. E madje dora e shtrirë për të ndihmuar masivisht vende të tjera, përfshi edhe Shqipërinë, me material mjekësore kundër COVID – 19 në këto situata kritike flet për një solidaritet të vërtetë me fytyrë njerëzore.

Diplomatë ne Xinjiang: ‘Të shohësh është të besosh’

Për të ballafaquar realitetin me pretendimet pa baza, shpesh dashakeqe, mbi Xinjiang-un autoritetet kineze në nivele më të larta kanë ftuar prej kohësh diplomatët e huaj të akredituar në Pekin të bëjnë vizita në këtë rajon duke u garantuar lëvizjen dhe programin e tyre.

Në këtë kuadër një grup diplomatësh nga 20 vende arabe dhe Lidhja Arabe bënë një vizitë në Xinjiang nga 19 deri më 22 tetor të këtij viti. Duke folur mbi këtë tur zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi të organizuar në Pekin më 26 tetor bëri me dije se diplomatët vizituan ndërmarrje të ndryshme, shkolla, lagje banimi, u njohën me projekte të zbutjes së varfërisë dhe bashkëbiseduan me banorët e zonave rurale, duke mësuar më shumë mbi qëndrueshmërinë shoqërore, barazinë dhe bashkimin etnik, përmirësimin e jetesës dhe zhvillim ekonomik vendor. Ata vizituan edhe institute islame dhe xhami për të mësuar nga afër mbi mbrojtjen e lirisë fetare në Xinjiang.

Sipas tij, diplomatët arabë vlerësuan lart arritjet e Xinjiang-ut në zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Disa prej tyre vunë në dukje se thashethemet për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë e sidomos në rajonin kinez të Xinjiang-ut janë të pabaza dhe se duhet të mësohet nga përvoja e këtij rajoni autonom në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.

Të shohësh është të besosh. “Kina mirëpret miq nga të gjitha vendet ta vizitojnë Xinjiang-un dhe t’i tregojnë botës një Xinjiang të vërtetë, të bukur dhe të larmishëm”, tha diplomati kinez.

Më parë i pyetur nga AFP lidhur me një kërkesë të zyrtarëve të BE-së për të bërë një vizitë të pavarur në Xinjiang, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha se janë të mirëpritur miq nga e gjithë bota, duke përfshirë palën europiane, për të vizituar Xinjiang-un dhe parë me sytë e tyre gjëndjen atje, në vend që tu besojnë gënjeshtrave të sajuara ose thashethemeve. “Kina ka rënë dakord dhe është gati të bëjë rregullimet për të. Tani topi është në fushën e palës europiane”, tha Zëdhënësi. Duke ndjekur këtë zhvillim nuk rezulton që të jetë bërë një vizitë e tillë…

Disa të vërteta që flasim vetë…

Kohët e fundit si pjesë e fushatës së Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo kundër Kinës në aspektin e të drejtave të njeriut është bërë një propozim nga disa kongresistë amerikanë të “Aktit të Parandalimit të Punës së Detyruar për Ujgurët”, duke u shprehur se ekziston një fenomen sistematik në shkallë të gjerë i “punës së detyruar” në “qendrat e arsimit dhe trajnimit” në Xinjiang. Think Tankët në ShBA dhe Australi publikuan raporte ku thuhet se Kina, nën maskën e programit të uljes së varfërisë, ka detyruar të punojnë kombësitë si ujgure, kazake dhe pakica të tjera kombëtare në Xinjiang.

Kurse, sipas raporteve në mediat zyrtare të Kinës, në vitet e fundit, falë zbatimit të politikës së zbutjes së varfërisë përmes punësimit në rajonin e Xinjiang-ut, standardet e jetesës së banorëve të të gjitha pakicave kombëtare janë përmirësuar dhe ndjenja e pasurisë dhe lumturisë së njerëzve është rritur. Mbrojtja e të drejtave të njeriut ka arritur në një nivel të ri historik.

Pas dy deklaratave krejtësisht të ndryshme të sipërpërmendura, Instituti i të Drejtave të Njeriut i Universitetit Jugperëndimor të Shkencës Politike dhe Ligjit, mbi bazën e respektimit të të gjitha palëve, ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në mënyrë që faktet të flasin vetë. Ekipi studimor dhe hulumtues analizoi rolin e zhvillimit industrial të këtij rajoni në zgjidhjen e çështjes së punësimit të shtresës së varfër të popullsisë dhe bëri një hetim të ndërthurur në terren me sondazhe, pyetësorë e intervistime të hollësishme për të kuptuar thellësisht gjendjen konkrete të punëtorëve nga rajoni i Xinjiang-ut, të cilët punojnë jashtë vendlindjes.

Grupi studimor gjeti se: së pari, për shkak të kushteve të papërshtatshme natyrore, strukturës së çekuilibruar industriale, mungesës serioze të mundësive rajonale të punësimit, përqindjes në rënie të vlerës së shtuar të industrisë bujqësore, tepricës së fuqisë punëtore bujqësore rurale dhe hendekut të madh të varfërisë midis banorëve në zonat rurale dhe urbane, çështja e varfërisë në Xinjiang është e dukshme, prandaj zbutja e varfërisë është një nevojë urgjente. Së dyti, zhvillimi i shpejtë i industrive dytësore dhe tretësore në rajonin e Xinjiang-ut ka siguruar më shumë mundësi punësimi për banorët atje. Kjo është në përputhje me përvojën e botës në uljen e varfërisë. Së treti, punonjësit e rajonit të Xinjiang-ut janë të gjithë punëtorë migrantë vullnetarë me dëshirën e tyre, gjë që ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike, të cilësisë së jetës së tyre dhe sot ata gëzojnë më shumë mundësi zhvillimi. Së katërti, Kina ka vendosur parimet themelore të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të punëtorëve në përputhje me ligjin dhe kujdesin për punësimin e grupeve të veçanta. Ajo ka formuluar dhe zbatuar politika mbështetëse për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e punëtorëve dhe e ndalon rreptësisht me ligj “detyrimin e të tjerëve të punojnë”. Bazuar në rezultatet e sondazhit, grupi studimor arriti në përfundimin se i ashtuquajturi raport i think tank-ut nuk është i vërtetë.

Politika e qeverisë kineze për zbutjen e varfërisë përmes punësimit është një masë e rëndësishme për të përmbushur kërkesat përkatëse të Kombeve të Bashkuara si dhe në përputhje të plotë me kërkesat e konventave ndërkombëtare. Politika për zbutjen e varfërisë në rajonin e Xinjiang-ut është përshtatur me gjendjen e veçantë dhe nevojat e shtresës së varfër të popullsisë. Politika për lehtësimin e varfërisë përmes punësimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në çrrënjosjen e varfërisë në këtë rajon. Po ashtu, kjo politikë duhet të ecë me hapin e kohës në drejtim të mekanizmit të punës, transformimit dhe përditësimit industrial, këputjen e zinxhirit të transmetimit të varfërisë te brezi tjetër, po ashtu në rrafshin e përmirësimit shoqëror, ekologjik, shërbimet kulturore dhe publike, për të siguruar më tej pjesëmarrjen dhe zhvillimin e barabartë të të gjitha pakicave kombëtare, që ato të ndajnë frytet e zhvillimit ekonomik kombëtar dhe të jetojnë së bashku një jetë të lumtur dhe të begatë.

Pushteti lokal ne Xinjiang, sipas të dhënave zyrtare, ka investuar shumë në kualifikim për punë të njerëzve në nevojë, dhe rezulton se nga 2014 deri më 2019 janë hapur reparte trajnimi për 6.95 milionë njerëz nga të cilët 2.32 milionë ishin nga katër prefekturat e pjesës jugore të Xinjang-ut. Rajoni ka ndihmuar gjithashtu 379.400 sipërmarrës të rinj që kanë ofruar punë për 827.400 vetë. Çdo vit një mesatare prej 75.900 njerëz fillojnë biznes.

Kina në UNHRC

Dëshmi tjetër e arritjeve të Kinës sa u përket të drejtave të njeriut është edhe zgjedhja e saj anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC) për një mandat tre-vjecar (2021-2023) nga Asamblea e Përgjithëshmë e OKB-së çka është konsideruar si vlerësim jo vetëm për çfarë ka arritur në përmirësimin e të drejtave të njeriut por dhe për kontributin e saj në veprimtarinë e organizatës më të madhe e prestigjioze pan botërore e cila ka shënuar 75-vjetorin e krijimit të saj këtë shtator.

“Kina i ka kushtuar gjithmonë një rëndësi të madhe zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Duke ndjekur modelin me karakteristika kineze, Kina ka shënuar arritje të mëdha në zhvillimin e të drejtave të njeriut”, vinte në dukje një deklaratë e Misionit kinez pranë OKB-së më 13 tetor 2020. Kjo është hera e pestë që Kina zgjidhet anëtare e këtij organizmi të sistemit të OKB-së i cili ka 47 anëtarë që zgjidhen me rotacion duke patur mandat tre-vjeçar.

Si edhe në raste të tjera ka patur thirrje nga organizata jo-qeveritare dhe politikanë perëndimorë që të bllokojnë zgjedhjen e Kinës në UNHRC duke paraqitur si pengesa të ashtuquajtura çështje të Hong Kongut, Tibetit dhe Xinjiang. Madje disa qarqe mediatike kanë pretenduar se qënia anëtare e UNHRC do të cenonte shqrtimin e raporteve mbi të drejtat e njeriut ne Kinë.

Por gjithnjë faktet janë më kokëfortë se e vërteta tregon se Kina ka patur tre shqyrtime të raporteve mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut më parë dhe sipas shumë përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij organizmi ka rezultuar se vendi ka bërë një punë të mirë dhe objektive. Dhe ky zë realist përsëri dominoi përkundrejt atyre vendeve që nuk e donin Kinën në UNHRC.

Ndërkaq realiteti kinez në këtë fushë mund të thuhet se i ka dhënë Kinës besim dhe potencë që të shpreh edhe ajo sëbashku me disa vende të tjera shqetësimet për gjëndjen e të drejtave të njeriut në vende specifike perëndimore. Duke folur në emër të 26 vendeve, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës pranë OKB-së Zhang Jun kritikoi në një fjalim në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së vendet perëndimore për shkeljen e të drejtavë të njeriut, duke bërë thirrje për heqjen e sanksioneve të njëanshme dhe duke shprehur shqetësim të madh për diskriminin sistematik racial. Nuk është rasti për tu zgjatur por për lexuesin janë mjaftueshëm domethënëse protestat mbarëkombëtare të popullsisë afrikano amerikane në SHBA me kërkesën për ti dhënë fund racizmit sistematik dhe supremacisë së të bardhëve në atë vend.

Nuk ka vend pa pikat e forta dhe të dobta edhe në fushën e të drejtave të njeriut. Të gjithë vendet pavarësisht nga madhësia apo niveli i zhvillimit kanë çfarë të kontribuojnë por edhe të përfitojnë nga ndërveprimi në frymën e multilateralizmit e jo të hegjemonisë.

Kështu mospolitizimi i aspektit të rëndësishëm jetik të të drejtave të njeriut dhe shmangja e qëndrimeve me dy standarte do të bëntë që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të shërbente në mënyrë më efikase për një zhvillim të shëndetshëm të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Në këtë frymë kontributi i Kinës në këtë mandat tre-vjeçar ka vlerën e vet të shtuar sepse sikurse vënë në dukje shumë analistë qasja e saj ndaj të drejtave të njeriut karakterizohet nga gatishmëria dhe vetëbesimi për të shkëmbyer përvojat në këtë aspekt larg klisheve të vjetra kur sundonte mendimi perëndimor. Sikurse ndodhi edhe në takimet e autoriteteve më të larta kineze me drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian Kina flet me ‘letra të hapura’ si për çdo gjë edhe për të drejtat e njeriut. Dhe kështu po vepron edhe për realitetin e gjërave në Xinjiang, Tibet, Hong Kong e gjetkë në vend në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Këmbanat bien që ti dëgjojnë të gjithë!/CRI On Line

Nga Genc Mlloja

Share: