Home Gjeo-Ekonomia Nevoja për harmonizimin e politikave monetare dhe fiskale, rasti i amnistisë fiskale

Nevoja për harmonizimin e politikave monetare dhe fiskale, rasti i amnistisë fiskale

Në çdo rast kur ndërmerren politika të caktuara monetare dhe fiskale, e aq më tepër në një situatë krize dhe paqartësie ekonomike, duhen pasur parasysh jo vetëm përfitimet afatshkurtra ekonomike, por edhe ndikimet afatmesme dhe afatgjata që mund të lindin si pasojë e implementimit të njërës apo disa politikave të ndryshme njëkohësisht

Nga Dorela Beqaj*

Pezullimi i aktiviteteve të shumë bizneseve gjatë karantinës, si dhe prania e vazhdueshme e paqartësisë dhe pasigurisë në ekonomi, u shoqërua me humbje të vendeve të punës, rënie të konsumit dhe rritje të varfërisë. Këto efekte vazhdojnë të jenë të pranishme edhe disa muaj pas përfundimit të izolimit për dy arsye kryesore. E para, për shkak të pezullimit të shumë aktiviteteve të bizneseve, të ardhurat e këtyre bizneseve pësuan rënie të menjëhershme e për pasojë, u ul numri i të punësuarve, të ardhurat dhe konsumi i qytetarëve.

Ky efekt vazhdon të jetë i pranishëm për arsye se të ardhurat e shumë prej aktiviteteve të bizneseve ndikohen nga niveli i konsumit, dhe ky i fundit ndikohet nga rënia e përgjithshme e të ardhurave dhe punësimit, që erdhi fillimisht si pasojë e ndërprerjes së aktiviteteve të bizneseve. Arsyeja e dytë lidhet me ekzistencën e paqartësisë dhe pasigurisë në ekonomi.

Duke qenë se pandemia vazhdon të jetë prezente dhe ende nuk dihet kohëzgjatja apo përkeqësimi i mundshëm i saj me shtim të numrit të rasteve të reja dhe shtim të vdekjeve, skenarët e karantinës janë ende të mundshëm (edhe pse të padëshiruar si nga ana e autoriteteve qeverisëse, ashtu edhe nga ana e individëve apo bizneseve). Kjo lloj paqartësie që po zgjat në kohë, nxit tendencën për të kursyer si tek individët, ashtu edhe te bizneset, e për pasojë ka ulur ndjeshëm konsumin dhe investimet.

Në kuadër të përmirësimit të situatës dhe krijimit të mekanizmave nxitës të konsumit dhe investimeve mund të përdoren politika dhe instrumente të ndryshme fiskale apo monetare. Shembuj të zbatimit të politikave të tilla mund të gjenden në vendet e zhvilluara të BE-së, SHBA-së apo Japonisë, gjatë krizave të mëparshme, por edhe në krizën aktuale që po përjetojnë të gjitha shtetet.

Krahas politikave fiskale të përdorura, gjatë viteve të fundit, si mënyrë për të rimëkëmbur ekonomitë nga krizat është përdorur edhe lehtësimi sasior (quantitative easing-QE). Kjo është një politikë lehtësuese monetare e përdorur nga Banka Qendrore dhe konsiston në rritje të ofertës monetare e lehtësim të kredidhënies, me anë të uljes së normës bazë të interesit, blerjes së bonove, si dhe rritjes së nivelit të kredidhënies ndaj bankave të nivelit të dytë.

Lehtësimi sasior ka rezultuar efektiv gjatë krizave të fundit kryesisht në vende të zhvilluara ekonomikisht si: Japonia dhe SHBA. Krahas reduktimit të stresit në sektorin bankar dhe përmirësimit të klimës së kredidhënies, efekti i kësaj politike ka qenë edhe në rritjen e eksporteve, që ka ardhur si pasojë e zhvlerësimit të monedhave vendase.

Duke qenë se kjo politikë ka rezultuar e suksesshme për rimëkëmbjen ekonomike, ajo ka gjetur zbatim edhe më gjerë në vende të tjera, duke u bërë një mekanizëm i njohur që përdoret kryesisht për lehtësimin e pasojave të krizave. Por, edhe pse efektet pozitive të kësaj politike janë të provuara në vendet e zhvilluara, në vendet më pak të zhvilluara si Shqipëria, duhen pasur parasysh edhe efektet e mundshme negative që lindin si pasojë e rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës vendase.

Kjo e fundit, për shkak se në vendin tonë bilanci tregtar dominohet nga importet, dhe një zhvlerësim i monedhës vendase, pavarësisht se do të ndikonte pozitivisht në aktivitetin e bizneseve eksportuese, nga ana tjetër do të sillte shtrenjtim të mallrave të konsumit të ardhura nga importi. Për pasojë, konsumi dhe mirëqenia e konsumatorëve do të pësonin rënie, gjë e cila nuk do të ishte e dëshirueshme, sidomos në një periudhë krize.

Megjithatë, vetëm zbatimi i kësaj politike monetare nga Banka Qendrore, i cili kryhet në mënyrë të kontrolluar duke ruajtur stabilitetin makroekonomik, do të sillte më shumë efekte pozitive për ekonominë duke lehtësuar kredidhënien, duke përmirësuar klimën e biznesit, si dhe duke rritur besimin në ekonomi.

Çfarë ndodh nëse miratohet amnistia

Por, çfarë do të ndodhte në rast se paralelisht me lehtësimin sasior do të zbatohet edhe një politikë fiskale, që do të kishte efekt afatmesëm në kursin e këmbimit, si amnistia fiskale? Në rast të implementimit të menjëhershëm të amnistisë fiskale, fillimisht do të ketë rritje të menjëhershme të hyrjeve monetare në valutë (kryesisht euro), ku përfshihen të ardhura të padeklaruara nga kursimet individuale, aktivitetet e bizneseve, apo qoftë edhe nga aktivitete të jashtëligjshme. Individët e kategorive të mësipërme do të nxiten që të përfitojnë nga lehtësitë e ofruara nga amnistia fiskale për të sjellë dhe për të investuar paratë e tyre në Shqipëri.

Për pasojë, në një periudhë afatshkurtër (1 deri në 2 vjet) në vendin tonë do të rritet oferta monetare në valutë. Kjo dukuri do të shoqërohet me një zhvlerësim të përkohshëm të monedhave të huaja relativisht me monedhën vendase. Por, pasi procedura e amnistisë fiskale të përfundojë, hyrja e parave të padeklaruara dhe të pajustifikuara në vend do të vështirësohet shumë më tepër në krahasim me periudhat e mëparshme.

Kjo do të sjellë rënie të hyrjeve monetare në valutë krahasimisht me periudhat e mëparshme, duke sjellë edhe zhvlerësim të monedhës vendase relativisht me monedhat e huaja. Në rast se amnistia fiskale implementohet brenda një periudhe të shkurtër kohore (deri një vit), atëherë efekti i zhvlerësimit të monedhës vendase për shkak të amnistisë fiskale do të shfaqet në të njëjtën kohë me efektin e zhvlerësimit të monedhës vendase, për shkak të politikave lehtësuese sasiore të Bankës Qendrore. Ky efekt “i dyfishtë” i zhvlerësimit të kursit të këmbimit do të sillte një kërcënim për stabilitetin ekonomik për këto arsye:

-Së pari, ekonomia shqiptare karakterizohet nga një bilanc tregtar negativ ndër vite, ku vlera e importeve është më e lartë se vlera e eksporteve. Sikurse vërehet nga Grafiku 1., diferenca midis importeve dhe eksporteve është e konsiderueshme, duke u shoqëruar me një tendencë rritëse të importeve. Kjo nënkupton se një shtrenjtim i mallrave të importit (për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase), do të dëmtonte drejtpërdrejt konsumatorët, pasi një pjesë e konsiderueshme e mallrave të konsumit të përditshëm sigurohen nga importi.

-Së dyti, një zhvlerësim i monedhës vendase do të sillte edhe vështirësi për bizneset, të cilat e kanë aktivitetin e tyre të lidhur me importin. Ky efekt do të ishte më i madh te bizneset tregtare me pakicë, të cilat kanë shumë pak mundësi për të ndjekur politika favorizuese çmimesh për klientët e tyre në momentin kur çmimi i mallrave në vendin e origjinës shtrenjtohet.

Po ashtu, këto biznese do të ishin më të goditurat për shkak të mundësive të pakta të financimit apo diversifikimit të aktiviteteve të tyre. Pra, në aspektin makroekonomik, luhatjet e konsiderueshme të kursit të këmbimit, e në veçanti një zhvlerësim i konsiderueshëm i tij, do të ishte shumë i dëmshëm për një ekonomi me bilanc tregtar negativ si ajo e vendit tonë, sidomos në një periudhë krize të konsumit.

Rreziqet e tjera të amnistisë

Më tej, krahas efektit të padëshiruar të kursit të këmbimit, magnituda e të cilit do të jetë më e madhe për shkak të mbivendosjes së efektit që do të gjenerohet edhe nga politika monetare lehtësuese, amnistia fiskale do të sillte edhe ndikime të tjera negative në ekonomi. Një falje e detyrimeve të papaguara, ose të fshehura nga bizneset, do të krijonte një terren të pabarabartë të konkurrencës midis bizneseve.

Kjo për shkak se bizneset, të cilat janë treguar të rregullta dhe kanë paguar detyrimet e tyre tatimore pavarësisht vështirësive në veprimtarinë e tyre, gjenden në pozita të “pafavorshme” krahasimisht me bizneset, të cilat do të falen për detyrimet e prapambetura. Vendosja e bizneseve në pozita të pabarabarta dëmton konkurrencën e lirë.

Gjithashtu, fakti që amnistia fiskale për detyrimet e prapambetura nuk ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe është një histori që përsëritet, krijon te bizneset perceptimin se, pavarësisht nëse janë të rregullt apo jo me shlyerjen e detyrimeve tatimore ndër vite, amnistitë e përsëritura do t’u japin atyre mundësinë që të mos penalizohen pavarësisht shkeljeve të tyre.

Për më tepër, fakti që kjo dukuri shoqërohet edhe me ineficencë dhe korrupsion në proceset e kontrolleve tatimore te bizneset, krijon një precedent të rrezikshëm të fshehjes, apo shmangies nga detyrimet tatimore edhe në të ardhmen. Pra, një amnisti e përsëritur fiskale, jo vetëm që do të cenonte konkurrencën e ndershme dhe në kushte të pabarabarta në treg, por do të nxiste edhe më tej informalitetin e bizneseve.

Së fundmi, një tjetër rrezik që vjen nga implementimi i amnistisë fiskale, është pastrimi i parave të gjeneruara nga aktivitetet e jashtëligjshme. Duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për deklarimin e parave të fituara nga puna informale, individë të caktuar mund të deklarojnë edhe paratë e fituara nga aktivitete kriminale, si para të fituara nga puna informale, gjë e cila është shumë e vështirë, ose edhe e pamundur për t’u verifikuar në disa raste.

Pavarësisht se këto para të amnistuara mund të përdoren për investime, mbeten burim i deformimit të konkurrencës së ndershme të tregut, pasi bizneset e krijuara me këto burime financimi do të konkurrojnë në treg me bizneset ekzistuese (të cilat kanë vepruar në përputhje me ligjet e vendit dhe kanë paguar detyrimet e tyre tatimore) dhe do të trajtohen nga ligji në mënyrë të barabartë.

Diçka e tillë minon parimet dhe themelet e konkurrencës së ndershme në ekonominë e tregut, pasi në një ekonomi të shëndetshme duhet të sigurohet një terren i barabartë ligjor në të cilin kompanitë mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre të biznesit.

Jo vetëm efektet afatshkurtra

Si përfundim, në çdo rast kur ndërmerren politika të caktuara monetare dhe fiskale, e aq më tepër në një situatë krize dhe paqartësie ekonomike, duhen pasur parasysh jo vetëm përfitimet afatshkurtra ekonomike, por edhe ndikimet afatmesme dhe afatgjata që mund të lindin si pasojë e implementimit të njërës apo disa politikave të ndryshme njëkohësisht.

Në rastin e analizuar më sipër, u shpjegua mekanizmi me anë të të cilit zbatimi në të njëjtën kohë i dy politikave monetare dhe fiskale do të sillte zhvlerësim të konsiderueshëm të kursit të këmbimit në periudhë afatmesme, gjë e cila nuk është e dëshirueshme në një ekonomi ku mbizotërojnë importet. Për më tepër, situata e krizës dhe pasigurisë ekonomike kërkon ruajtjen e një stabiliteti makroekonomik, dhe krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ruajtjen e konkurrencës së lirë e të ndershme në treg.

*studiuese e pavarur. Opinionet janë personale të autorit

Share: