Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka thënë se qeveria do të rimbursojë 100% paketën bazë të pacientëve të infektuar COVID-19 që trajtohen në shtëpi.
Përmes një postimi në Facebook, Manastirliu shkruan: “Rimbursim 100% i paketës bazë për trajtimin ambulator në banesë, sipas protokolleve të miratuara nga komiteti teknik i ekspertëve”.
Ndërkohë, ditën e djeshme në një konferencë me gazetarët, Manastirliu theksoi se qytetarët e infektuar me COVID-19, që kurohen në banesë, do të përfitojnë rimbursim të paketës bazë të trajtimit nëpërmjet dy skemave sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
“Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit”, tha Manastirliu./ Opinion.al