Nga Enkel Xhangoli
Shqipëria ashtu si i gjithë globi, ndodhet përballë sfidës së krijuar nga pandemia COVID-19, por si pak vende në planet po kthen në politikë edhe një ngjarje të pazakontë botërore.
Teksa çdo ditë numërojmë të infektuar dhe viktima në rritje, politikanët tanë duket se gjithmonë e më shumë përpiqen ta përdorin në favor edhe këtë situatë.
Qeveria dhe opozita, (në dukje dy anë të së njëjtës medalje) më shumë se sa me Covid-in, janë në betejë me njëra-tjetrën, për të na bindur shpesh të besojmë të kundërtën e asaj që shikojmë dhe jetojmë. Mbase ky është arti i të bërit politikë!
Më së shumti në këtë shkrim po përqendrohem tek sjellja dhe veprimet e qeverisë e cila ka peshën e vendimarrjeve për vendin tonë.
Për t’u dukur sa më bindës në fjalimet e tyre, ministra, deputetë apo funksionarë të rilindjes, shfaqen kaq pranë retorikës së kryeministrit, sa duket se imitojnë çdo fjalë, frazë e madje edhe mimikë të tij.
Nuk shtojnë, nuk heqin, nuk ndryshojnë qëndrime, por shajnë njëlloj, lavdërojnë njëlloj, vlerësojnë njëlloj, heshtin njëlloj, qeshin e përqeshin po një lloj.
Është kaq e lehtë të dallosh se si argumentet e kryeministrit merren e rimerren nga çdo njeri brenda së majtës, duke na bërë të mendojmë se t’i japësh të drejtë liderit është gjëja më e thjeshtë në botë, edhe pse kjo shpesh do të thotë të shkelësh mbi lirinë e mendimit, mbi karakterin, mbi dinjitetin dhe të fyesh inteligjencën tënde.
Por sa të besueshme tingëllojnë deklaratat standarde të qeverisë, përballë realitetit ku jetojmë?
A është argument në vitin 2020 premtimi për 24 orë ujë dhe krahasimi me kohën e komunizmit, siç bën zoti Rama sot?
Sa siguri përcjell vëmendja mediatike që qeveria i atribuon vetes, ndërkohë që sfida mes masave shëndetësore dhe pasojave ekonomike bëhet edhe më prezente me afrimin e dimrit?
Ndërsa shohim se si një nga njerëzit më të lakuar të krimit rimerr makinën dhe aktivitetin e hidrokarubreve të sekuestruara nga OFL, sa i besueshëm, është Ministri Lleshaj kur thotë se: OFL vazhdon me intensitet të lartë?
Në këtë panoramë, ndërsa reforma në drejtësi trumbetohet sot si një nga vlerat dhe arritjet e qeverisë, një nga anëtarët e mazhorancës hetohet nga SPAK për fshehje të pasurisë.
Duket se i vetmi “nder” që drejtësia e re na ka bërë deri tani është lënia në rrugë e Gjykatës Kushtetuese, e pakonceptueshme për çdo vend tjetër e ca më pak për një vend që pas 4 muajve hyn në zgjedhje.
E ndërsa secila prej palëve politike përpiqet të marr meritat për sistemin në drejtësi e të gjejë gabimin tek kampi tjetër, ajo që do të ishte normale në një vend me demokraci të konsoliduar, këtu duket e pazakontë. Suksesi i sistemit të drejtësisë nuk duhet dhe nuk ka përse, t’i adresohet si meritë as qeverisë as opozitës. Ky është një sistem që duhet të mbajë distancë të barazvlefshme nga çdo subjekt politik, por deri atëherë druaj se do të na duhet kohë.
Deri atëherë të rinjtë shqiptarë, për këto arsye e për shumë të tjera do të vazhdojnë të trokasin si azilantë dhe si punëkërkues në dyert e Bashkimit Europian, me synimin për të ndërtuar një jetë që Shqipëria, për fat të keq nuk ua ofron.
Në një nga takimet e tij, Edi Rama i vuri vetes vitin 2029 si afat për t’u larguar nga qeverisja. Pyes veten nëse deri atëherë, ai do të vazhdojë të trajtojë si në komunizëm dhe të “demaskojë” në ERTV të gjithë ata që mendojnë ndryshe?
Pyes veten nëse deri atëherë do të vazhdojmë të shohim në ERTV kronika të montuara për spitalet, apo investigime të mirëfillta për dëftesat dhe notat e kritikëve?
Pyes veten nëse deri atëherë ne do të vazhdojmë të shohim se si televizioni i Kryeministrit do të ulet gju më gju me të infektuarit me koronavirus, të cilët harrojnë peshën e sëmundjes për të folur me fjalët e “Rilindjes”?
Pyes veten se dhe sa do ta dëgjojmë zërin dramatiko-histerik të kronikave të kryeministrisë, ku kritikët “pushkatohen” në emër të qeverisë?
P.S. Opozita duhet të flejë, që embrioni i saj të rritet. Tani s’ka as fuqi as strategji të mposhtë këtë monstër-propagandë. Keqardhje për veten dhe të gjithë ata që si unë, ky kombinim i frikshëm qeveri – opozitë, ja ka dalë t’u vrasë çdo ëndërr (Dhe kjo vret më shumë se Covid-i). Mund t’ia dalë të shkatërrojë dhe një shtet.