Home KRYESORE Edmond Panariti largohet nga LSI, angazhohet në një detyrë të rëndësishme

Edmond Panariti largohet nga LSI, angazhohet në një detyrë të rëndësishme

Ish-ministri i Bujqësisë dhe i Jashtëm, Edmond Panariti ka njoftuar se do të ndërpresë angazhimin e tij në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në një postim në Facebook, ai sqaron se do të largohet nga LSI pasi do të angazhohet me një detyrë të rëndësishme, por pa bërë të ditura detaje të tjera.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të ndërpres angazhimin tim si pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shkak të një ftese për tu angazhuar në një detyrë të rëndësishme .

Me këtë rast më lejoni t’ju falenderoj përzemërsisht për këtë rrugëtim 16 vjeçar të përbashkët, plot sfida, sakrifica dhe arritje.

Duke ju shprehur mirënjohje dhe falenderim për miqësinë vlerësimin dhe mbështetjen, ju siguroj që do të mbetem miku juaj përherë”, thekson Edmond Panariti.

Panariti ka qenë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej vitit 2004. Ai ka mbajtur funksionet e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Sekretarit për Bujqësine dhe Mjedisin. Në vitin 2011, Panariti zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas emërohet Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2012, emërohet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbajti edhe postin e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Edmond Panariti në vitin 2013 u zgjodh Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave të Shqipërisë.

Share: