Home KRYESORE Mblidhet qeveria e Kosovës/ Hoti: Të ruajmë unitetin, do dalim faqebardhë para...

Mblidhet qeveria e Kosovës/ Hoti: Të ruajmë unitetin, do dalim faqebardhë para botës

Mbledhja e qeverisë së Kosovës

Një ditë pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe vendosjes së tij në paraburgim në Hagë, qeveria e vendit u angazhua se do të punojë me përkushtim.

“Presim bashkëpunimin e të gjithëve, bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’i realizojmë projektet e mëdha që i kemi para vetes, që janë me rëndësi kombëtare. Qeveria e Kosovës pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike”,  tha kryeministri Avdullah Hoti.

Në mbledhjen e qeverisë, Hoti vlerësoi, siç tha ai, sjelljen e përgjegjshme dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai përsëriti se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi nuk mund të njolloset dhe as të përbaltet.

“Populli i Kosovës nuk luftoi në tokë të huaj por në oborrin e vet për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Agresori ishte Serbia. Askush asnjëherë nuk ka asnjë dilemë për këtë. Duhet të tregojmë urtësi e vizion për të përballuar këtë sprovë dhe të dalim faqebardhë”, tha ai.

Sipas Kosovapress, ministri i drejtësisë, Selim Selimi, tha në mbledhjen e qeverisë se vendi po kalon një periudhë të vështirë dhe ngritja e aktakuzave është një goditje për Kosovën. Ai kërkoi që qeveria të pezullojë dialogun me Serbinë deri në një moment të dytë e po ashtu duhen ndërprerë edhe të gjitha aktivitetet që lidhen me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë, por gjykata duhet qartë të sqarojë se është gjykatë e Kosovës e nuk operon me “prova” të Serbisë”, tha ai.

Top Channel

Share: