Home Approccio Italo Albanese Ministrja Balluku: Rihapet gara për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Ministrja Balluku: Rihapet gara për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një deklarate për mediat, njoftoi rihapjen e garës, e cila u ndërpre për shkak të pandemisë Covid-19, teksa bëri të ditur edhe procedurat dhe afatet e reja të kësaj gare për të gjitha kompanitë që kanë interes.

Afati për dorëzimin e ofertave nga ana e kompanive është deri në datën 23 dhjetor, ndërsa më pas do të bëhet vlerësimi i ofertave, që do të paraqiten. Shpallja e kompanisë fituese do të bëhet në mes të muajit janar, të vitit 2021, pas vlerësimeve nga ana e ekspertëve dhe konsulentëve të cilët janë pjesë e këtij procesi.

Deklarata e plotë e Ministres Belinda Balluku:

Në 19 dhjetor të 2019-ës hapëm garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Më pas ngjarjes rrodhën ashtu siç ne nuk do deshëm, pandemia, mbyllja jo vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë botës dhe për më tepër aviacioni civil, fusha më e goditur nga kjo pandemi, na bën që të merrnim një vendim në ato momente të duhurin, bllokuam këtë proces, e ngrimë, për ta rihapur në një moment të dytë atëherë kur investitorët ndërkombëtar do të kishin interes për t’u futur në garë. Ndoshta, për një moment të dytë, kur edhe institucionet financiare do kishin mundësi që të mbështesnin këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe ambicioz, jo vetëm për Shqipërinë, padyshim, por për të gjithë rajonin, një shkallë më lartë në aviacionin civil.

Tashmë ka ardhur koha që të rihapet kjo garë. Pas kërkesave të shumta që kemi pasur nga investitorët kemi vendosur që duke filluar nga 23 nëntori të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operim e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të qëndrojë hapur edhe për 30 ditë, deri në 23 dhjetor të këtij viti.

Më pas, ne do të marrim kohën e duhur, atë të vendosur në ligj prej 2 javësh, për të vlerësuar ofertat që do të kenë arritur deri në datën 23 dhjetor.

Në mes të muajit Janar, ne, stafet tona dhe ekspertët, sigurisht dhe konsulentët që na kanë mbështetur në të gjithë këtë proces, do kenë mundësi që të nxjerrin një fitues. Shpresojmë një konsorsum ndërkombëtar i cili të jetë i denjë për ndërtimin e aeroportit të shqiptarëve.

Unë shpresoj që ky lajm të jetë i mirë jo vetëm për qytetarët e Vlorës. Ky lajm është i mirë dhe i rëndësishëm për qytetarët e të gjithë Shqipërisë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen në botë.

Uroj që ju dhe familjet tuaja të keni shëndet të plotë dhe gjithçka të shkojë mirë.

Top Channel

Share: