7 ditë për të marrë përgjigjen e një tamponi të Covid-19. Kaq kohë nuk duhet as në vendin më të humbur të globit, por fatkeqësisht kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Tamponi aktualisht është i vetmi test që verifikon nëse një person është apo jo i prekur nga koronavirusi.
Që nga nisja e pandemisë janë të shumtë qytetarët që janë ankuar se autoritetet nuk ua kryejnë testin. Tani, edhe kur testi bëhet, marrja e përgjigjes është hall më vete.
Qytetarë të shumtë kanë denoncuar në Televizionin Klan faktin se e kanë bërë tamponin 7 ditë më parë, por askush nuk u ka dhënë përgjigje. Kanë qëndruar për 1 javë me radhë në shtëpi, të izoluar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, kanë munguar në punë, kanë pasur vështirësi për të kryer nevojat e përditshme, apo kanë pasur edhe ankth për shkak se simptomat e gripit stinor i kanë ngatërruar me ato të Covid.
Bazuar në procedurat e përcaktuara nga ekspertët shëndetësorë, testi kryhet në ditën e 5 të nisjes së simptomave.
Ekspertët thonë se nëse duhet të pritet 7 ditë për përgjigjen, me shumë gjasë një person i prekur nga Covid-19, ose është negativizuar në ditën e 12, ose është përkeqësuar si pasojë e mos reagimit në kohë dhe mund të rrezikojë edhe jetën.
Vonesa kaq të gjata ndodhin vetëm në Shqipëri. Maqedonia e Veriut, prej ditës së sotme ka futur testin e shpejtë, që mundëson përgjigjen brenda 15 minutave. Kosova, shteti më i ri në Europë, e jep përgjigjen brenda 3 ditësh./ tvklan.al