Home KRYESORE Prodhuesi i Sputnik V, thotë se vaksina për koronavirus është 92 për...

Prodhuesi i Sputnik V, thotë se vaksina për koronavirus është 92 për qind efektive

Vaksina ruse Sputnik V, kundër koronavirusit, është më shumë se 90 për qind efektive në mbrojtjen e njerëzve, ka thënë kompania prodhuese më 11 nëntor, teksa Moska nxiton që të jetë në hap me prodhuesit perëndimorë të ilaçeve, në garën për krijim të vaksinës.

Bazuar në numrin e personave që kanë qenë në kontakt me virusin pasi janë vaksinuar apo kanë qenë pjesë e testimit të rreth 16,000 vullnetarëve, vaksina Sputnik V ka pasur shkallë të efikasitetit prej 92 për qind, ka thënë Instituti Gamaleya, që sponsorohet nga shteti rus.

Kjo deklaratë vjen pak kohë pasi gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer dhe kompania gjermane BioNTech, kanë thënë se vaksina e tyre ka qenë më shumë se 90 për qind efektive. Drejtori i Institutit Gamaleya, Aleksandr Gintsburg, ka thënë se rezultatet e një periudhe kohore kanë treguar efikasitetin e vaksinës Sputnik V dhe se doza masive do të shpërndahen në gjithë Rusinë në javët në vazhdim. Shkencëtarët kanë shprehur shqetësimet e tyre pasi Moska ka nisur vaksinimet në masë, para përfundimit të të gjitha fazave të testimit të vaksinës.

“Besoj se ka pasur presion politik pas publikimit të deklaratës nga Pfizer dhe BioNTech më herët gjatë kësaj jave për të bërë krahasime me të dhënat e tyre”, ka thënë Bodo Plachter, zëvendës-drejtor i Institutit për Virologji në Universitetin Mainz në Gjermani. Rusia ka qenë shteti i parë që ka miratuar vaksinën për koronavirus, e cila është përdorur nga publiku në këtë shtet.

Vaksina Sputnik V, është thënë të jetë krijuar në gusht dhe ka qenë gati për shkallë të gjerë të testimit në shtator. Rusia përbën shtetin e pestë me numrin më të madhe të të infektuarve me koronavirus në botë. Deri më tani ka regjistruar 1,836,960 raste./REL

Top Channel

Share: