Home KRYESORE Rindërtimi/ Rama: Brenda 2-3 muajve përfundojnë punimet në 19 kantiere

Rindërtimi/ Rama: Brenda 2-3 muajve përfundojnë punimet në 19 kantiere

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama foli në lidhje me procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Rama tha në fjalën e tij se banorët që u prekën nga tërmeti brenda 2-3 muajve do të jenë akomoduar në shtëpitë e reja, pasi përfundonjnë punimet në 19 kantiere.

Sipas kryeministrit, procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta dhe se banorët e Shijakut do të festojnë Vitin e Ri në banesat e reja individuale.

Ndërkohë, kujtojmë se ditën e sotme PD denoncoi rastin e një familjeje në  Fushë-Milot, e cila nuk ndihmohej nga institucionet pasi kishin folur keq për Ramën.

“Programi i rindërtimit po ecën me ritme shumë të larta. Programi adreson një problem të mprehtë për mijëra familje, por krijon kushtet për një përfshirje masive të të gjithë kompanive të ndërtimit dhe për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh. Nga ana tjetër, edhe pr/buxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë në mënyrë prioritare pikërisht pasojat e tërmetit dhe të Covid-19. Për programin e rindërtimit parashihen 28 miliardë lekë nga buxheti i vitit që po hyjmë. Është parashikuar gjithashtu edhe fondi prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qirasë, për familjet që do të vijojnë të jetojnë në kushte shtëpie, deri kur të kthehen në apartamentet e reja. Këtë vit janë 34 mld lekë të buxhetit të vendosura në funksion të rindërtimit, prej të cilave 32 mld janë të alokuara plotësisht. Deri në fillim të tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura dhe faktikisht bëhet fjalë për shtëpitë, për të cilat një masë për ditë e më e konsiderueshme banorësh po marrin çelësat. E gjithë pjesa tjetër e shumës është në themelet dhe strukturat e ndërtesave të reja, si dhe infrastrukturës rrugore e nëntokësore të atyre që do të jenë së shpejti lagje të reja, të ngritura nga e para në zonat e prekura nga tërmeti. Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste më të mëdha se shtëpitë, që humbën familjet nga tërmeti. Ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë në një kulm në shtëpitë e shembura, për të cilat do të ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen aktualisht. Në Shijak, Laç, Durrës dhe në Fushë Krujë kemi tanimë një pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik, sepse bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja pse kjo është një krizë që patjetër duhet të krijojë një mundësi. Kjo krizë po kthehet në një mundësi jo vetëm për familjet, por për komunitete të tëra, që do të jetojnë në standarde krejt optimale. Me Durrësin lajm i mirë është se më në fund kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe tani jemi gati për linjën përfundimtare. Kemi edhe një lagje tjetër të re, më saktë një bllok pallatesh të reja, në Krujë, për të cilin po punohet intensivisht. Në Shijak kemi mbi 270 banesa individuale, që parashikohet të jenë gati në fund të nëntorit dhe brenda muajit dhjetor të gjitha familjet do të hyjnë për të festuar vitin e ri aty. Gjithashtu, po përfundon projekti i madh i infrastrukturës për lagjen e re në Durrës, që do të ndërtohet në zonën e Spitallës, dhe që do të jetë një lagje me standarde optimale, ashtu sikundër një vlerë e shtuar në atë zonë, ku po merr formë dhe ekoparku. Në total janë 13 kantiere banesash individuale dhe 6 kantieresh zonash të reja, punimet e të cilave do të përfundojnë në 2-3 muajt e ardhshëm.”-tha Rama./ Opinion.al

Share: