Home Gjeo-Ekonomia Si u bënë virale lajmet e rreme për pandeminë e COVID-19 në...

Si u bënë virale lajmet e rreme për pandeminë e COVID-19 në Shqipëri

Në fundin e muajit mars, një lajm që i referohej një ‘mjeku nanopatolog’ nga Bolonja, Stefano Montanari – i cili vinte në pikëpyetje rrezikshmërinë e sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri duke e krahasuar me gripin e zakonshëm, u bë viral në hapësirën shqipfolëse të medias sociale, Facebook.

Sipas lajmit, gjatë një interviste për një kanal të Youtube të quajtur “Byoblu”, Montanari shprehej se SARS- CoV -2 është një virus që “shërohet vetë nga organizmi, në pjesën dërrmuese të rasteve, dhe nuk ka nevojë për masa ekstreme si ato që po vendosin qeveritë në botë.”

Deklaratat e Montanarit nuk mbështeten nga autoritet shkencore kryesore. Për më tepër, ai nuk është një mjek, por farmacist nga shkollimi si dhe propagandist kundër vaksinave. Byoblu.com akuzohet gjithashtu për shpërndarjen e lajmeve të rreme për pandeminë e COVID-19 nëpërmjet Youtube – ku disa nga videot e saj janë hequr për shkelje të kushteve të përdorimit.

“Njerëzit që besojnë se COVID-19 nuk ekziston dhe teori konspirative të ngjashme kanë besim tek Montanari,” shpjegon Camilla Vagnozzi, kryeredaktore e organizatës së verifikimit të fakteve Facta.News – e cila i ka vlerësuar deklaratat e Montanarit si të rreme.

“Duke parë shpërndarjen që kanë pasur opinionet e tij gjatë muajve të fundit, me keqardhje them që një mazhorancë njerëzish besonin që ai thoshte të vërtetën dhe po jepte informacion që të tjerët e mbanin të fshehtë,” shtoi ajo, duke theksuar se rrjetet sociale i kanë dhënë gjatë pandemisë vizibilitet figurave të dyshimta mjekësore.

BIRN analizoi të dhënat e shpërndarjes së artikujve në rrjetet sociale dhe gjeti se lajmi rreth deklaratave të rreme të Montanarit për Byoblu.com ka qenë një nga lajmet më të shpërndara në shqip për COVID-19 në rrjetet sociale -duke lënë pas lajmet më popullore për këtë temë të 20 mediave më të mëdha të vendit.

Ekspertët vendas ngrenë gjithashtu shqetësimin se shumë media, ndonëse të ndërgjegjshme për rrezikun e COVID-19, u kanë bërë jehonë me vetëdije dhe i kanë shpërndarë këto lajme të rreme me tituj bombastikë, për të gjeneruar vëmendje dhe klikime.

Si pasojë, një pjesë e konsiderueshme e popullatës ka filluar t’i besojë teoritë konspirative rreth pandemisë dhe institucioneve ndërkombëtare që po e luftojnë atë.

Ata theksojnë gjithashtu se për shkak të situatës së jashtëzakonshme, edhe informacioni i shpërndarë nga autoritet vendase ka qene shpeshherë kontradiktor dhe në disa raste qëllimisht i rremë, duke përcjellë konfuzion tek publiku.

I pyetur nga BIRN, Facebook nuk ju përgjigj një kërkesë për koment mbi shpërndarjen e lajmeve të rreme nëpërmjet aplikacioneve të saj gjatë pandemisë. Byoblu.com gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkesë për koment për akuzat se ka shpërndarë deklarata të rreme për COVID-19.

Ndërkohë, në një përgjigje nëpërmjet email-it, Stefano Montanari mohoi të kishte shpërndarë lajme të rreme.

“A mund të gjeni ndonjë interes që unë kam për të shpërndarë ‘lajme të rremë’?” pyeti Montanari, i cili zotëron një laborator në Bolonja ku punon me grimca nanoskopike dhe e cilëson vetën si një nanopatologjist.

“Ata me padyshim janë të trembur,” shtoi ai mbi vendimin e Youtube për të hequr nga rrjeti deklaratat e tij.

Lajmet e rreme bëhen virale

Grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN

Për analizën e të dhënave, BIRN përdori një databazë nga kompania analitike amerikane Buzzsumo, e cila indekson miliarda artikuj të postuar në media sociale dhe i bën ato të kërkueshme sipas fjalëve kyçe, url-së, reagimeve në Facebook dhe mediat e tjera sociale.

Nëpërmjet platformës, BIRN kërkoi artikujt që në titullin e tyre përfshinin fjalët kyçe ‘COVID-19, koronavirus ose coronavirus,’ për të parë lajmet me reagimin më të madh të lexuesve gjatë vitit të fundit në Facebook, të publikuara nga 20 mediat kryesore në Shqipëri, përfshirë televizionet Top Channel, Klan, Vizion Plus, etj., dhe gazetat kryesore si Panorama, Shqip, Shekulli, si dhe agjencitë Balkanweb.com dhe ATA. [kliko këtu për listën e plotë]

Në të njëjtën kohë, BIRN shqyrtoi listën e artikujve me më shumë reagim duke gjurmuar lajme të rreme dhe dezinformuese për COVID-19 – të konfirmuara si të rreme nga organizatat e verifikimit të fakteve ose nga institucione ndërkombëtare si Bashkimi Europian.

Duke filluar nga janari e deri në tetor nga mediat në Shqipëri –televizionet, gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe u ndanë në Facebook 149,543 artikuj që përfshinin në titull fjalët kyçe për COVID-19, të cilat morën më shumë se 4.89 milionë reagime në Facebook – përfshirë klikime ose shfaqje emocionesh nëpërmjet ikonave si i mërzitur, i nxehur, etj.

Kërkimi përfshinte gjithë vitin e fundit deri në datën 11 tetor 2020.

Reagimet ndaj shkrimeve në Facebook nuk konvertohen gjithmonë në trafik ose klikime të ngjashme për artikujt e vlerësuar, por ato janë një indikacion i popullaritetit të këtyre artikujve.

Në total, njëzet artikujt më të shpërndarë në Facebook nga 20 mediat kryesore në vend për COVID-19 gjatë vitit të fundit gjeneruan 93,711 reagime/shpërndarje, ndërkohë që 20 lajmet e rreme ose dezinformuese më të shpërndara morën 68,267 reagime ose 28 % më pak.

Megjithatë, një lajm i vetëm i botuar nga portali GazetaKorrekte.com, që i referohej deklaratave të Stefano Montanarit pati 8602 reagime. Nga 20 lajmet e rreme ose dezinformuese të identifikuara nga BIRN, pesë i referohen deklaratave të bëra nga Montanari midis datave 14-17 mars për kanalin Byoblu.com në Youtube – me një total prej 27,365 reagimesh në Facebook.

Faqja Byoblu.com është një video- blog i publikuara nga Claudio Mesora*, një ish-konsulent komunikimi për lëvizjen italiane ‘5 yje’. Sipas shërbimit të vlerësimit të besueshmërisë së faqeve të internetit, NewsGuard, kjo faqe cilësohet si i pabesueshme, pasi shkel “standardet bazike të transparencës dhe besueshmërisë.”

“Faqja ka publikuar në mënyrë të përsëritur këshilla mjekësore të pabaza, përfshirë informacion të rremë në lidhje me pandeminë e COVID-19,” shkruan NewsGuard duke iu referuar edhe intervistave të marsit me Stefano Montanarin.

Sipas NewsGuard, në janar 2017, Google e dëboi ByoBlu.com nga platforma reklamuese AdSense për shkeljen e politikave të saj për përmbajtje mashtruese.

Camila Vagnozzi është kritike mbi vizibilitetin që rrjetet sociale i kanë dhënë jo vetëm Montanarit, por edhe disa figurave të tjera të diskutueshme mjekësore si Roberto Petrella apo Gulio Tarro.

“Kjo nuk ndodh vetëm me çështjet mjekësore, është një fenomen që ne tashmë e shohim edhe për tema të tjera të tilla si teknologjia 5G ose teoritë e konspiracionit për Bill Gates,” tha Vagnozzi.

“Me pandeminë e COVID-19, ndryshimi është se njerëzit janë të frikësuar dhe të kapur nga paniku, ata e kuptojnë që ne po jetojmë në një situatë të çuditshme dhe jashtë kontrollit tonë. Njerëzit shpesh nuk e dinë se çfarë të besojnë,” shtoi ajo.

Gazetarja italiane theksoi se megjithë problemet e evidentuara, kompanitë e mediave sociale po ndërmarrin hapa për të luftuar dezinformimin, por jo çdo gjë varet nga përpjekjet e tyre.

“Sipas mendimit tim, platformat e mediave sociale po bëjnë një punë të ndershme në luftimin e dezinformimit,” tha Vagnozzi.

“Përhapja e lajmeve të rreme të Montanarit nuk lidhet vetëm me përpjekjet e Facebook dhe Youtube për të luftuar dezinformimin, por lidhet edhe me aftësinë e njerëzve për të kuptuar se çfarë mund të jetë e vërtetë dhe çfarë është e rreme,” përfundoi ajo.

Doktorë të dyshimtë, ekstremistë të djathë dhe dezinformim rus

Grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN

Artikujt e lidhur me deklaratat e Montanarit nuk ishin të vetmet lajme të rreme që u bënë virale gjatë periudhës së pandemisë. Pas tij, ‘doktorë’ të tjerë të huaj u shfaqën në mediat shqiptare për të dhënë këshilla mjekësore mbi COVID-19.

Një artikull i publikuar në prill, i cili i referohet një ‘doktori’ amerikan të quajtur Rashid Buttar, pretendon se virusi SARS-CoV-2 është i modifikuar gjenetikisht, një bashkim i HIV dhe Mers i realizuar në laborator nga eksperti i respektuar amerikan i imunologjisë, Anthony Fauci.

“Fauci theu ligjin, duke përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë për këtë kërkim që prodhoi Covid 19,” pretendon Buttar.

Artikulli e prezanton Buttar si të diplomuar për biologji dhe teologji në Universitetin e Uashingtonit, që më pas ka studiuar për Ostiopati – një formë mjekësie alternative. Ajo që ky lajm i rremë nuk përmend, është fakti që Buttar është një autor i njohur teorish konspirative dhe propagandues kundër vaksinave.

Sipas Huffington Post, ai ka shpërndarë pas shpërthimit të epidemisë, lajme te rreme për COVID-19, duke i drejtuar ndjekësit në faqen e tij personale të internetit ku i shet paketa informacioni për një jetë të shëndetshme.

Një tjetër artikull i referohet deklaratave të bëra gjatë një intervistë të shpërndarë më 11 maj në Youtube nga doktoresha britanike, Prof. Dolores Cahill nga University College Dublin- e diplomuar për mikrobiologji dhe me doktoraturë për virologji.

Artikulli i titulluar “Mjekja britanike deklaratë befasuese: Në Itali po vdesin ata që kanë bërë vaksinën e gripit, Covid-19 s’është aq i rrezikshëm…” i bën jehonë deklaratave të Cahill se COVID-19 nuk është një sëmundje aq e rrezikshme sa raportohet, ndërkohë që fajëson vaksinën e gripit për viktimat e shumta në Italinë e Veriut.

Cahill gjithashtu pretendon se nëse prekesh njëherë nga koronavirusi, pacienti imunizohet përjetë.

Shërbimi i kontrollit të fakteve “Health Feedback” do t’i përshkruante deklaratat e Cahill si të “bazuara në informacione të pasakta dhe mashtruese” dhe Facebook e Youtube e fshinë videon si lajm të rremë.

Edhe pse Cahill ka një reputacion të mirë akademik, ajo është njëkohësisht drejtuese e një grupimi politik të ekstremit të djathtë, i quajtur Partia Irlandeze e Lirisë, që mbështet largimin e Irlandës nga BE.

Në përgjigje të deklaratave të saj për koronavirusin, 133 studentë mjekësie nga University College Dublin i kërkuan universitetit të merrte masa, duke i cilësuar ato “inkonsistente me shkencën dhe epidemiologjinë e COVID-19”.

Një tjetër artikull i rremë i publikuar në 24 shkurt, ‘Koronavirus, eksperti amerikan i bioterorizmit: U krijua në laborator, është armë biologjike,’ pretendon se SAR-CoV-2 është një armë biologjike e krijuar në një laborator në qytetin Wuhan të Kinës – qyteti ku fillimisht shpërtheu epidemia.

Ky artikull është publikuar fillimisht nga faqja ruse e propagandës dhe dezinformimit, Sputnik në variantin e saj në gjuhën katalane dhe listohet në databazën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së kundër propagandës ruse.

Besimi në teoritë konspirative

Qytetarët me pankarta në protestën kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj COVID-19 | Foto : Nensi Bogdani

Sipas një sondazhi të botuar më 10 tetor nga Instituti për Zhvillim, Kërkime dhe Alternativa, IDRA, teoritë konspirative për COVID-19 janë shumë të përhapura mes shqiptarëve.

Sondazhi thekson se për sa i përket origjinës së krijimit/prodhimit të virusit, rreth 70% e të anketuarve besojë se COVID-19 është krijuar në një laborator në Kinë. Nga ana tjetër, të dhënat tregojë se teoria që ky virus është krijuar nga personat me pushtet apo kompanitë farmaceutike për qëllim përfitimi monetar dhe pushteti, pranohet nga 65% e të anketuarve.

Një e treta e të anketuarve beson se rrjeti i mbulimit me internet 5G është një nga faktorët për përhapjen e shpejtë të virusit, ndërkohë që 29% e të anketuarve besojë se përmes vaksinës do të vendosen mikroçipe tek njerëzit, për t’i gjurmuar ata.

“Në perceptimin tim, dezinformimi është kryefjala që ka shoqëruar të gjithë situatën e pandemisë,” theksoi Denisa Canameti, kryeredaktore e gazetës Shëndet Plus.

“Dhe për shkak të kësaj, jemi në pikën ku një pjesë e popullsisë nuk beson tek Covid, një pjesë tjetër nuk besojnë tek trajnimi që ofrohet brenda spitaleve në vendin tonë, një pjesë tjetër mendojnë që vaksina është një çip për të na kontrolluar, ka midis tyre që nuk besojnë as tek shifrat që raportohen, apo janë vënë në pikëpyetje politikat e OBSH-së, etj,” shtoi ajo.

Edhe pse shumica e lajmeve të rreme të publikuara nga media shqiptare pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19 janë përkthime nga burime të huaja, një pjesë janë edhe dezinformime të prodhuara nga aktorë vendas.

Një nga artikujt që gjeneroi shumë shpërndarje në Facebook lidhet me një deklaratë të inxhinierit Sazan Guri, i cili pretendonte se gjatë periudhës së izolimit, një kompani funerale me emrin G, po jepte shërbime falas dhe para të thata në dorë për të regjistruar të afërmit e vdekur nga shkaqe natyrale si viktima të COVID-19.

Guri i tha BIRN se i qëndronte deklaratës së tij dhe besonte se këto shpërblime vazhdonin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ndërsa shtoi se deklarata e tij për agjencitë funerale faktohej nga dëshmitë e ngjashme të marra në rrjete sociale nga komentuesit. Ai insistoi se epidemia e COVID-19 është një lajm i rremë i trilluar nga mjekët dhe gazetarët.

“Gjithë Covid-i është lajm i rremë, është 1% – 2% që ekziston, 98 % është i rremë, që nga mjekët, që nga mediat që e pasqyrojnë dhe e kanë bërë njeriun të vdesë nga frika e frikës,” tha ai.

“Këto interpretime i bën vetëm një inxhinier me mendje të dhuruar nga Zoti, si bën dot mjeku që ju i kërkoni tek mjekësia,” shtoi Guri.

Një tjetër lajm dezinformues deklaronte se kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj parashikonte vdekjen e 56 foshnjave, si interpretim i një tenderi të mbajtur nga Agjencia e Funeraleve për arkivole.

“Do thoja që janë të dyja, edhe të prodhuara nga ne [media vendase], por edhe të importuara, sepse një pjesë e mediave digjitale në Shqipëri, marrin një informacion nga media e huaj, e përkthejnë dhe e shpërndajnë menjëherë,” tha Klodiana Kapo, drejtore ekzekutive e organizatës së verifikimit të fakteve, Faktoje.

Sipas Kapos, faj për informimin e keq të publikut gjatë periudhës së pandemisë mbajnë edhe institucionet, të cilat kanë shpërndarë shpesh informacione kontradiktore pas shpërthimit të epidemisë në Shqipëri.

“Ajo çfarë ne kemi gjatë gjithë kësaj periudhe është një mungesë e plotë transparence nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga të gjitha këto strukturat shëndetësore, duke bërë që lajmi të jetë jo vetëm ai i prodhuar nga ministria, por edhe duke na penguar në verifikimin e tyre,” tha ajo.

“Pandemia është shoqëruar me rritje të presionit dhe një informacion të kontrolluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria,” shtoi Kapo.

Edhe Canameti mendon se media dhe institucionet nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të informuar publikun gjatë periudhës së pandemisë.

“Mendoj, se edhe këtë herë nuk shpëtuam dot nga interesi për vëmendje dhe klikime, edhe pse situata në këtë rast ishte shumë herë më delikate se zakonisht, pra ishim në një situatë të jashtëzakonshme,” theksoi ajo.

“Jo se nuk e kuptuam seriozitetin e situatës, por ndoshta sepse vetë autoritetet shëndetësore nuk arritën të artikulojnë qartë informacionet mbi pandeminë dhe ia lanë medias në dorë,” përfundoi Canameti.

Më herët ky artikull ju referua themelusit të Byoblu.com si Fabrizio Messora kur në fakt themeluesi quhet Claudio Messora.

Share: